Prof. Dr. Elmaz Sherifi: E vërteta dhe e drejta

597
Sigal

Kur opozita dorëzoi mandatet, Rama u tha “Rrugë të mbarë se u vetëasgjësuat”, kemi “opozitën e re parlamentare”! Kjo ishte e vërtetë e thënë publikisht, por nuk është e drejtë, se nuk mund të ketë Shtet Demokratik, pa opozitë. Koha vërtetoi sa i gabuar ishte mendimi politik i kryeministrit. Tani ai e ka harruar “opozitën parlamentare” dhe i lutet “opozitës politike” të ulen në tavolinë për të zgjidhur krizën politike, që asnjëherë nuk e ka pranuar se ajo ka ekzistuar dhe është e ulur këmbëkryq. Prandaj të përsëritësh termin “thashë të vërtetën”, nuk do të thotë se ke të drejtë. E vërteta si kategori filozofike është trajtuar që para Revolucionit të Tetorit 1917, nga Bogdanovi, si pasqyrim i realitetit, i situatave a ngjarjeve, por ajo që ndodh nuk perceptohet njësoj nga të gjithë. Prandaj rëndësi merr raporti i së vërtetës me të drejtën, dhe a është bazuar në ligj ajo që ndodh. Ky është problemi më i mprehtë në Shqipëri. Sepse interesat individuale, ose interesat e një grupimi politik e konsiderojnë të drejtë, atë që u intereson, dhe jo atë që vlerësohet si e tillë nga normat morale dhe, sidomos, normat ligjore. Që shoqëria të prosperojë, duhet që të jemi në krahun e të “vërtetës së drejtë”! Palmer deklaroi se zgjedhjet vendore duhet të bëhen më 30 qershor, kush nuk është dakord-përforcoi ai, le t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese!? Kjo është e vërteta e deklaruar publikisht, por aspak e drejtë. Me atë deklaratë ai inkurajoi kryeministrin ta shpallte 30 qershorin ngjarje të madhe historike që do sillte ngjarje edhe më të mëdha për “Shqipërinë e Re” me largimin e Bashës nga PD dhe shkrirjen e LSI-së? Koha vërtetoi sa e pa drejtë ishte deklarata e Palmer. Sepse ai e demaskoi tezën e tij. Duke deklaruar se ankesat për zgjedhjet le të bëhen te Gjykata Kushtetuese, legjitimoi Dekretin e presidentit. Prandaj duhej zbatuar e Drejta Kushtetuese, që zgjedhjet vendore duhej të zhvilloheshin pasi të shqyrtohej ankesa e Ramës në Gjykatën Kushtetuese. Por asnjë subjekt nuk ka bërë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe zgjedhjet u zhvilluan pa u zbatuar Dekreti i Presidentit, që i ka dekretuar zgjedhjet vendore, më 13 tetor. Këtë e përforcoi edhe Glover, kryetare e misionit të monitorimit të zgjedhjeve nga ODHIR-OSBE, se kompetente për shqyrtimin e dekretit është vetëm Gjykata Kushtetuese. A e kuptojnë tani në PS, se sa e gabuar është teza e Palmerit, se ata që nuk pranojnë rezultatin e zgjedhjeve vendore duhet të ankohen në Gjykatën Kushtetuese ? Deklaratat e tij janë të vërteta, por jo të drejta ! Ankesën fillimisht duhej ta bënin në Gjykatën Kushtetuese subjektet zgjedhore që kundërshtonin dekretin, jo ata që kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve. Sepse zhvillimi i zgjedhjeve vendore pa respektuar dekretin e presidentit të botuar në fletoren zyrtare i shpall ato të pavlefshme. Kjo është e vërteta e drejtë. Së fundi “qershia mbi tortë”! Rama e emëroi Metën president duke e konsideruar atë presidentin më të mirë të pluralizmit politik. Kjo është e vërtet! Meta tani konsiderohet si Haxhiu i dytë, i lajthitur, prandaj tërë pasion po punohet nga “Baballarët e Kombit” për ta shkarkuar? Presidenti dje me konferencën e shtypit, megjithëse piu shumë ujë, tha shumë të vërteta, aq të forta, saqë Rama, si kurrë ndonjëherë jashtë zakonit që është përgjigjur në sekondë e ka mbrojtur edhe ministrat e akuzuar për korrupsion, ka “humbur” e nuk bën zë. Si duket përgatitet për të kundërshtuar me letër? Kjo besoj se pranohet si e vërtetë edhe nga ata që i nënshtrohen karizmës së tij! Nuk e di sa të drejtë ka, por po presim! Meta foli si Kryetar Shteti, dhe tha disa të vërteta, që duhet vërtetuar sa të drejta janë. E vërtetë është se zgjedhjet vendore nuk sollën atë që pretendohej nga Rama, përkundrazi, Shqipëria është në qendër të mediave më të mëdha botërore si vend në anarki politike, kushtetuese dhe Institucionale dhe Kryeministri ngjason si Haxhiu i parë! Kjo është shumë e vërtetë. Nuk do dëshiroja të ishte e drejtë!