Prof. Dr. Arben Malaj: Kryeministri Rama duhet t’i kërkojë  Ramushit  ndjesë publike për atë padi inatçore

264
Sigal

 

Rama duhet t’i kërkojë Ramushit ndjesë publike për atë padi inatçore, kur  mori vesh se Ramushi dhe familja e tij ka dhënë gjak dhe kanë vendosur gurë të rëndë në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ja pse vëllai nuk e hedh në gjyq vëllain. Ja pse një vëlla “i madh” nuk nxit sherret midis vëllezërve. Këto janë prova që Rama do të le gjurmë në historinë e shtetit shqiptar, si kryeministri që nxiti përçarjen midis lidershipit politik të Kosovës. Është kryeministri që kurrë nuk bëri politikë kombëtare, por bëri thjesht politikë personale me lidershipin e Kosovës, të cilin e voton dhe e përzgjedh populli i Kosovës. Rama përkëdhelte këdo, që i pëlqente interesave të tij personale dhe u mbyllte telefonat dhe dyert e bashkëpunimit liderve politike të përzgjedhur me votë nga populli i Kosovës, që nuk i kënaqnin shijet, apo interesat e tij personale. Politika nuk është pikturë me tipare zhgaravinash, por arti i të pamundurës. Rama kurrë nuk bëri të pamundurën për ta lehtësuar bashkëpunimin e liderve politikë të Kosovës për sfidat e vështira të Kosovës dhe kombit shqiptar. Për Ramën gjithmonë fasada dhe marketingu mediatik personal ka qenë thelbi i angazhimeve të tij. Shikoni dekoret impresionuese të takimeve dypalëshe  të dy qeverive dhe shikoni zvarritjet  pa fund dhe dështimet për thellimin dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën. Mundësinë, që të jep posti i kryeministrit të vendit për t’i shërbyer Kombit tënd, e fitojnë shumë pak individë, fatkeqësisht shumë prej tyre dështojnë në mënyrë të turpshme, sepse bien viktimë e pushteteve absolute që i rrethojnë dhe i korruptojnë. Kosova meriton mbështetjen e të gjithë faktorëve shoqërorë dhe politikë shqiptarë, pa kërkuar rolin e vëllait të madh, pa ju minimizuar dhe cënuar të drejtën e përfaqësimit të tyre të drejtpërdrejtë  në çdo aktivitet ndërkombëtar, në çdo takim dhe në çdo tavolinë, ku diskutohet dhe merren vendimet e përbashkëta për të ardhmen e saj.