Prof. Dr. Alqi Naqellari: Socializmi Enver Hoxhës nuk ka lidhje me Marksin                                                         

707
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Doli nga shtypi libri im “TË SHKRUASH NË DY KOHË, SOCIALIZMI”. Ky libër vjen në një kohë kur debatet mbi sistemin socialist kanë zënë faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve. Libri jep një kontribut origjinal në vlerësimin e sistemit socialist. Autori ka jetuar dhe punuar për 14 vjet në kooperativat bujqësore të Tepelenës dhe e njeh mirë atë sistem. Ka shkruar artikuj në gazetat e kohës, revistat shkencore si dhe ka dhënë mendime për shpërblimin në kooperativat bujqësore.

Libri është ndërtuar në dy pjesë. Pjesa e parë është monografi “Konsiderata mbi sistemin socialist”, ndërsa pjesa e dytë ka artikuj të shkruar nga viti 1981 deri në vitin 1996 në “Zëri Popullit”, “Bashkimi”, “Problemet Ekonomike”, “Bujqësia Socialiste” etj.

Monografia nuk ka kapituj, tituj e nën tituj por është hartuar në formën e një autonterviste ku Zoti Alqi Naqellari, pensionist, pyet Shokun Alqi Naqellari ekonomist i viteve 1990. Çfarë është socializmi, pse Shqipëria përqafoj socializmin dhe jo kapitalizmin, ku ndryshon me socializmin e lindjes, pse nuk ka lidhje me marksizmin, kush ishin parimet, ligjet që vepronin, si u sanksionua në kushtetutë ideologjia e Partisë së Punës, çfarë ishin kooperativat bujqësore etj, etj.

Shpesh kur flitet për socializmin në Shqipëri përdoret shprehja “ideologjia marksiste-leniniste, nën udhëheqjen e marksizëm leninizmit”. Në fakt ideologjia e Partisë së Punës nuk kishte lidhje me marksizmin aq më pak me Marksin por me ideologjinë e BRSS, të Leninit e Stalinit, me pjellat e socializmit të mendjes së Enver Hoxhës i cili nuk kishte lexuar asnjë faqe nga Kapitali Marksit.

Sistemi socialist, komunist shqiptar të cilit ne i shërbyem, si teori mbeti një utopi që nuk u realizua kurrë. Ai u kthye në sistem grabitqar, një sistem që varfëroj dhe hëngri veten e tij. Sistemi eleminoi klasat e pasura, bëri pjesën më të madhe të popullsisë të barabartë në kushtet e varfërisë dhe mori me mijra jetë njerëzish.

Sistemi për shkak të konsolidimit të pushtetit të Partisë së Punës, me pretekstin e solidaritetit e barazisë socialiste zhvilloj me ashpërsi luftën e klasave, realizoj shpronësimin e pronës në qytet dhe fshat duke diskriminuar klasën e pronarëve dhe një pjesë të gjerë të popullsisë. Nëpërmjet analizave të koncepteve, parimeve dhe ligjeve ekonomike, autori kërkon ti bëjë një autopsi të përgjithëshme Sistemit Socialist Shqiptar, pa pretenduar se e shter problemin. Ai është ndalur më tepër në veçoritë dalluese dhe shkaqet e dështimit të tij, në kooperativat bujqësore si pjesë e sistemit socialist.

Socializmi si teori dhe praktikë nuk ka lidhje me teorinë e Marksit. Marksi analizoi sistemin kapitalist, analizoi mallin dhe kontraditat e tij të brendëshme, analizoi vlerën dhe mbivlerën, rentën, kapitalin, punën etj, po ai nuk analizoi ndonjë sistem socialist dhe nuk dha asnjë model të tij.

Të përziesh teoritë “neomarksiste” pas vdekjes së Marksit, me ato të krijuara prej tij është një veprim i bërë me dashje ose nga padia për ta diskretituar këtë teori. Askush prej teoricienëve “neomarksist” nuk i ka bërë një analizë të tillë si Marksi kapitalizmit. Marksi i bëri autopsinë këtij sistemi dhe nuk ka dhënë ndonjë model të sistemit socialist. Në kohën kur jetoi e punoi nuk ishte vendosur socializmi në asnjë vend të botës.

Lenini dhe Stalini e zbatuan në mënyrë “krijuese” teorinë “marksiste” në kushtet e një sistemi monarkik gjysëm feudal pa pasur ndonjë model për ta zbatuar. Kështuqë përmëndja e Marksit dhe e mësimeve të Marksizmit ishte një mjet dhe mënyrë për të justifikuar veprimet e tyre në ashpërsimin e luftës së klasave dhe vendosjen e pushtetit të Partisë Komuniste, pushtetit të Sovjetëve.

“Karl Marksi transformimin e domosdoshëm të shoqërisë kapitaliste në shoqërinë socialiste e nxjerr fund e krye dhe vetëm nga ligjet ekonomike të lëvizjes së shoqërisë moderne”. Marksi e shikonte bazën e ardhjes së socializmit te “socializimi punës”, dhe socializimi i punës do ketë pasojë “shoqërizimin e mjeteve të prodhimit”, “shpronësimin e shpronësonjësve”. Si faktor tjetër të ardhjes së socializmit Marksi shikonte “rritjen kolosale të rendimentit të punës”.

Çfarë thekson Marksi për sistemin e ardhëshëm komunist në Manifestin e Partisë Komuniste? Një koncept kyç në teorinë e Marksit është “prona” dhe pronësia, veçanërisht mbi mjetet e prodhimit. Pronësia private është tipar i shoqërive kapitaliste me klasa. Sipas tij pas revolucionit proletar prona private do kthehej në pronë shtetërore. “Megjithatë në vendet më të përparuara mund të zbatohen pothuajse kudo masat, që vijojnë;

1.Çpronësimi i pronës tokësore dhe përdorimi i rentës tokësore për mbulimin e shpenzimeve shtetërore.
2. Tatimi i lartë progresiv.
3. Heqja e të drejtës së trashëgimit.
4. Konfiskimi i pasurisë të gjithë emigrantëve dhe gjithë rebelëve.
5. Centralizimi i kreditit në duart e shtetit nëpërmjet një banke kombëtare me kapital shtetëror dhe me monopol të plotë.
6. Centralizimin i të gjitha mjeteve të transportit në duart e shtetit.
7. Shtimi i numrit të fabrikave shtetërore, të veglave të prodhimit, përvehtësimi i tokave djerr dhe përmirësimi i tyre sipas një plani të përgjithëshëm.
8. Detyra e barabartë për të gjithë që të punojnë, krijimi i ushtrive industrial, sidomos për bujqësinë.
9. Kombinimi i bujqësisë me industrinë, masat për të zhdukur gradualisht kontrastin midis qytetit dhe fshatit.
10. Edukimi publik dhe falas për të gjithë fëmijët. Ndalimi i punës së fëmijve në fabrika në formën e sotme. Kombinimi i edukimit me prodhimin material, etj.

“… në vendet e zhvilluara kapitaliste, “punëtorët nuk kanë atdhe dhe se “bashkimi përpjekjeve” të punëtorëve, të paktën të vendeve të qytetëruara “është një nga konditat e para për çlirimin e proletariatit”… “duke përmbysur me forcë gjithë rendin shoqëror ekzistues”. Teoria e Marksit presupozon se socializmi do fitojë si sistem një kohësisht në vendet e zhvilluara kapitaliste. Nuk ka thënë që do fitojë në vendet feudale apo gjysëm feudale dhe në një vend të vetëm. Këto teori janë të Leninit e të Stalinit dhe ideologëve të tjerë post marksistë. Edhe Mao Ce Duni në Programin e tij të vitit 1947 thekson se nuk mund të flitet për socializëm në një vend gjysëm feudal si Kina.

Marksi në Mjerimi Filozofisë thekson: ‘Në një shoqëri të ardhëshme, ku antagonizmi i klasave do të zhduket, ku nuk do të ketë më klasa, konsumi nuk do të përcaktohet më  nga minimum i kohës së domosdoshme për prodhimin; përkundrazi, sasia e kohës që do ti kushtohet prodhimit të këtij ose atij malli do të përcaktohet nga shkalla e dobisë shoqërore të këtij malli”. Më tej: “Atëherë, kur gjatë zhvillimit ndryshimet e klasave do të zhduken, dhe gjithë prodhimi do të përqëndrohet në duart e shoqatës së individëve, pushteti publik do ta humbasë karakterin e tij politik”…  “Nëqoftëse proletariati, në luftën kundër borgjezisë formohet medoemos si klasë, nëqoftëse me anë të revolucionit ai bëhet klasë sunduese dhe si klasë sunduese përmbys me forcë marrëdhëniet e vjetra të prodhimit, së bashku me këto marrëdhënie prodhimi ai zhduk edhe kushtet e egzistencës së antagonizmit të klasave, si dhe të egzistencës së klasave në përgjithësi dhe në këtë mënyrë edhe sundimin e vet si klasë. Vendin e shoqërisë së vjetër borgjeze me klasat e saj dhe antagonizmat midis klasave e zë një shoqatë, ku zhvillimi i lirë i secilit është një kusht për zhvillimin e lirë të të gjithëve”.

 

I theksova këto thënie të Marksit sepse ai nuk flet për luftë klasash në socializëm, për kulakë, ballistë, nacionalistë për grupe armiqësore të partisë e të popullit. Luftën e klasave ai e shikon midis borgjezëve dhe proletarëve në kapitalizëm të lidhur me varfërimin e proletariatit dhe shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Në komunizëm ai supozon të mos ketë më klasa dhe shteti të shuhet, të vendoset si relike në muze. “Proletariati merr në dorë pushtetin shtetëror dhe i shndron mjetet e prodhimit, para së gjithash në pronë shtetërore”. “Me ti marrë shoqëria mjetet e prodhimit nën zotërimin e vet, do të zhduket prodhimi i mallrave, dhe bashkë me të edhe sundimi i produktit mbi prodhuesit. Anarkia në prodhimin shoqëror zëvendësohet nga organizimi i ndërgjegjëshëm me plan”. “Tani e tutje bëhet i mundshëm prodhimi shoqëror sipas një plani të studjuar qysh më pare”.

Socializmi shqiptar nuk ka lidhje me ato që ka thënë Marksi. Ideologjia e Partisë Punës u bazua mbi “mësimet e Leninit, Stalinit dhe Enver Hoxhës”. Këta “ideologë” të “famshëm”, Leninist e Stalinist nuk kërkonin vetëm zhdukjen e mbeturinave borgjeze por kërkonin edhe zhdukjen fizike të tyre. Shumë vonë doli parulla “të luftojmë çfaqet e huaja dhe të shpëtojmë njeriun tonë socialist”. Partia e Punës krijoj dhe u mbështet në Kushtetutën e 1976 e cila u hartua sipas mendësive të Enver Hoxhës, sepse Kushtetuta e 1946 nuk kishte ngjashmëri me të.

Në Kushtetutën e 1946 thuhej: “Shqipëria emërohet Republikë Popullore me emrin Republika Popullore e Shqipërisë” . ART. 1. Shqipëria është një republikë popullore, ku i gjithë pushteti buron nga populli dhe i takon popullit. ART. 2. Në Republikën Popullore të Shqipërisë populli realizon pushtetin e tij me anë t’organeve përfaqësonjëse të pushtetit shtetëror që janë këshillat popullore, … ART. 9. Garantohen pronësia private dhe iniciativa private në ekonomi. Garantohet e drejta e trashëgimit të pasurisë private. Ndalohen monopolet, trustet, kartelet, etj., të krijuara me qëllim që të diktojnë çmimet, të monopolizojnë tregjet në dëm t’ekonomisë nacionale. ART.10 … Shteti mpron personat që pajtohen për punë duke i u siguruar të drejtat e organizimit, duke kufizuar orët e punës dhe duke caktuar minimumin e mëditjeve. ART. 16. Të gjithë shtetasvet u garantohet liria e ndërgjegjës dhe e besimit. Kisha është e ndarë nga shteti. Në 96 Artikuj që ka Kushtetuta e 1946 nuk ka asnjë ku të përmendet fjala Parti, aq më pak Parti Komuniste.

 

Në vitin 1976 u hartua dhe u miratua kushtetuta e re e cila kishte ndryshime thelbësore në krahasim me Kushtetutën e 1946 dhe me çdo Kushtetutë të një vendi demokratik sepse sanksiononte diktaturën. Enver Hoxha në Kongresin e VII të Partisë së Punës deklaroj: “Kushtetuta e re përshkohet tërësisht nga ideologjia e nga parimet themelore të marksizëm-leninizmit, mishëron mësimet dhe përvojën revolucionare të Partisë sonë të Punës dhe mban vulën e mendimit krijues të masave të gjera të popullit tonë…  (Enver Hoxha fliste gjithmonë në emër të marksizëm leninizmit dhe në emër të popullit, por që në fakt thëniet e tij nuk kishin lidhje me asnjërën prej tyre, ato nuk shprehnin interesin e klasës punëtore, veçanërisht  të fshtarësisë kooperativiste e cila u kthye në klasë bujkrobërish të shekullit të XX).

Kushtetuta e 1976 nuk e fshehu karakterin e saj klasor. “Ajo e shpall dhe e sanksionon natyrën e shtetit tonë si diktaturë e proletariatit në fuqi, e shpall dhe e sanksionon rolin e pandashëm e udhëheqës të Partisë në shtet dhe në gjithë shoqërinë, e shpall dhe e sanksionon luftën e klasave si forcë kryesore lëvizëse të gjithë shoqërisë sonë. Në Projektkushtetutë thuhet hapur se shteti ynë socialist, në tërë veprimtarinë e tij, i përmbahet parimit të madh marksist-leninist të luftës klasore, e cila përbën forcën e madhe lëvizëse për të çuar përpara revolucionin socialist.

Përcaktimi në Kushtetutë se në shtetin tonë socialist «ideologjia sunduese është marksizëm-leninizmi», se «në bazë të parimeve të tij zhvillohet gjithë rendi shoqëror socialist… ndërtimin e socializmit Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë i përmbahet parimit të mbështetjes në forcat e veta.

Me Kushtetutë u shpall shteti-diktaturë, partia-shtet, lufta e klasave forcë lëvizëse, ideologjia sunduese marksizëm leninizmi, përvoja e Partisë Punës dhe Enver Hoxhës, popull i armatosur, mbështetja në forcat e veta,…  etj.

 

Në dy nenet e para shprehen dy nga ndryshimet themelore të saj, ajo ndryshon emrin nga Republikë Popullore kthehet në Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe kjo mbështetet nga neni 2 duke u kthyer në diktaturë të proletariatit, shkurt do thotë Shtet Socialist i Diktaturës së Proletariatit. Ky tog fjalësh përbën thelbin e sistemit Socialist Shqiptar. Në Nenin 1. Shqipëria është Republikë Popullore Socialiste. Neni 2. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë është shtet i diktaturës së proletariatit, që shpreh dhe mbron interesat e të gjithë punonjësve

Në nenin 3 të Kushtetutës së 1976 thuhej “Partia e Punës e Shqipërisë, pararojë e klasës punëtore, është forca e vetme politike udhëheqëse e shtetit dhe shoqërisë shqiptare”.

Ky nen vuloste gjithçka, do të thoshte se Partia ishte mbi të gjitha, para shtetit, para qeverisë e çdo organizate tjetër të krijuar. Kjo që ndodhi në Shqipëri nuk ndodhi në asnjë vend tjetër të Lindjes. Në librin “Të shkruash në dy kohë. SOCIALIZMI” janë dhënë ndryshimet dhe veçoritë e sistemit socialist shqiptar. Analiza është shoqëruar edhe me analizë ekonomike.

Nëpërmjet të dhënave të treguesve ekonomik është provuar se Sistemi Socialist Shqiptar dështoj edhe prej planifikimit dhe synimit të përputhjes së Kërkesës Agregate(AD) me Ofertën Agregate(AS).

Dështimi Socializmit Lindor i dha botës mësime të çmuara në teorinë ekonomike. Sistemi Socialist i Lindjes provoi botërisht se nuk ka ekuilibër makroekonomik dhe mirëqënie aty ku AD=AS. Ai hodhi poshtë teorinë Keynsiane të “Kërkesës Efektive” dhe një pjesë të teorive Klasike e Monetariste duke provuar se aty ku AD = AS fillon recesioni dhe Depresioni.

Midis Kërkesës dhe Ofertës Agregate që qëndrojnë “ballë për ballë”, “tete a tete” duhet gjetur një MADHËSI OPTIMALE që të ndikoj në rritjen e ekonomive, në rritjen e punësimit e të mirëqënies.