Prof. Dr. Afrim Krasniqi: Konfliktet permanente rrezikojnë Kosovën dhe inetgrimin e saj

527
Prof. Dr. Afrim Krasniqi, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke analizuar rrjedhën e ngjarjeve politike në Kosovë, thotë se, qeveria dhe opozita e kanë kaluar vijën e kuqe, duke vëne në funksion të tyre mjetet jo demokratike. Prof. Krasniqi thotë, se ka ardhur koha që në Kosovë të largohet pjesa e politikës që erdhi nga forcat ushtarake dhe u duhet hapur rrugë politikanëve të rinj. Sipas Prof. Krasniqi, edhe Tirana nuk ka një politikë mbi Kosovën, nuk ka strategji, nuk ka rol dhe nuk ka as ndikim. Fatkeqësisht. Prof. Krasniqi bën apel që sot politika kosovare të përfitojë duke “përdorur shansin e vizitës së sekretarit Kerry për arritjen e një kompromisi cilësor të demokracisë dhe maturimit politik”. 

-Zoti Krasniqi, çdo të thotë arrestimi i Albin Kurtit?
– Ka një proces politik kohët e fundit në Kosovë, që lë shije të hidhur dhe përbën dilemën e madhe mbi elitën politike në Prishtinë, nëse ata janë në gjendje, të aftë dhe vizionarë për të krijuar standardet e premtuara të shtetit dhe të demokracisë. Kur në një krizë politike një palë gabon, atëherë ka shanse për zgjidhje, sepse ka palë të tjera të maturuara, por kur gabojnë të gjithë, situata është serioze, sepse mungon dritarja për dialog dhe mendje të qeta e të maturuara politike. I tillë është reagimi ‘in exstremis’ i një pjese të opozitës në Kuvend, i tillë është shurdhëria e qeverisë dhe ndërhyrja policore për defaktorizimin e opozitës. Kosova sot nuk ka nevojë për heronj të ri dhe as mite të reja, – midis klasës politike nuk ka engjëll e djaj, por janë palë politike dhe individë politikë me axhenda shumë personale, që tentojnë të imponojnë axhendën e shtetit të Kosovës dhe të identifikohen me të. Kjo është e gabuar. Lexoni reagimet e Trojkës Perëndimore për të kuptuar se kalimi i limiteve është provokim, shikoni skenat e datës 28 për të mësuar se roli i policisë është i tepërt në një konflikt thellësisht politik dhe partiak. 

– Qeveria e Kosovës ishte e detyruar nga faktorët ndërkombëtarë t’i nënshkruante ato 2 marrëveshje?
– Përgjigjja e kësaj pyetje mund të bëhet në një formë tjetër: imagjinoni pas 30-40 vitesh, kur të flitet për ngjarje të tilla: të gjithë do të thonë se u veprua gabim dhe çdo qeveri që do jetë në Kosovë do ketë detyrime ndërkombëtare. Kosova ka gjykatë kushtetuese dhe ajo mund të japë vlerësimin e saj, Kosova ka procese zgjedhore dhe qytetarët mund të bëjnë vlerësimin e akteve të qeverisë, Kosova nuk ka politikanë të shitur në kuptimin klasik, ka politikanë të korruptuar dhe egoistë, por ata janë në shtrirje horizontale në secilën parti, – ndaj secila palë, ata pro dhe ata kundër marrëveshjeve dhe akteve të njëjta, le ta kërkojnë zgjidhjen tek institucionet e tyre kushtetuese, jo tek presioni në rrugë apo refuzimi i transparencës dhe konsultimit publik. 

– Sipas jush, ku ka gabuar qeveria e Kosovës në nënshkrimin e atyre 2 marrëveshjeve?
– Procesi i bisedimeve dhe detyrimeve që burojnë prej tyre duhet të jetë në çdo kohë gjithëpërfshirës, sa më transparent dhe me legjitimitet të gjerë, pra, me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe elitave politike. Shumica e partive dhe politikanëve të opozitës do të bënin të njëjtën gjë si edhe qeveria nëse do ishin në qeveri, dhe kjo është një tregues që duhet shfrytëzuar për të nxitur dialogun politik. Qeveria ka përgjegjësi të jetë e hapur me shoqërinë dhe aktorët publikë, të bisedojnë për detaje dhe detyrime dhe midis disa alternativave të bëjë zgjedhjen më të mirë, e cila edhe pse është zgjedhje politike, e kapërcen mandatin 4 vjeçar të një qeverie. Unë e shoh gjendjen aktuale në Kosovë jo si një debat të nxitur vetëm nga mosmarrëveshjet për marrëveshjen, por si një shpërthim i disa faktorëve, i një krize përfaqësuese dhe besimi tek institucionet drejtuese. Imagjinoni, – në qeveri janë parti që kanë qenë rivale të ashpra njëra me tjetrën, zvkryeministri thotë se do jetë president i ri, opozita është fragmentare dhe pa një projekt të qartë e unanim politik – atëherë qytetarët ndjehen të pafuqishëm, të parespektuar, të pa përfshirë dhe përdorin reagimin si mjet për t’u dëgjuar. 

– Mënyra e shprehjes së opozitarizmit që bën opozita në Kosovë është brenda normave demokratike?
– Nuk ka shumë parime programore që ndajnë palët politike në Kosovë dhe as në Shqipëri, ndaj sjellja e opozitës duhet të mbetet gjithnjë proporcionale, jo me hendek të thellë. Tek e fundit, cila është alternativa e opozitës, a merr ajo mbështetje tek qytetarët dhe faktori ndërkombëtar? Nëse po atëherë ata kanë të drejtë, nëse ajo ata duhet të reflektojnë. Në Kosovë oferta perëndimore është më e votuar dhe më e mbështetur sesa oferta e koalicioneve të rastësishme politike, përfshirë koalicionit në opozitë. Në 100 mënyra për të bllokuar jetën politike ajo e përdorimit të mjeteve të dhunshme është skajore, dhe duhej shmangur. Vetë opozita dhe Kosova tregon se ka nevojë që në kompozimet e ardhshme politike Vetëvendosja të vijë në pushtetin qendror (ajo është në pushtet në Prishtinë dhe nuk ka arritur të sigurojë ende një bilanc pozitiv dhe ndryshe qeverisës) për t’u provuar dhe bindur se është si gjithë të tjerat. Me siguri do të kishte një sjellje të ndryshme politike dhe me siguri do të ndryshonte qëndrime për shumë çështje, siç kanë ndryshuar të gjitha partitë populiste në Ballkan.

– Ky tensionim politik në Kosovë a dëmton imazhin e shtetit të Kosovës? Cilat mund të jenë pasojat?
– E dëmton ecurinë e shtetit, të njohjes ndërkombëtare dhe të cilësisë së qeverisjes. Sepse është headline në media dhe kancelaritë diplomatike si vend në krizë, si vend me klasë politike ende të pamaturuar dhe si një eksperiment që nuk po arrin të dalë nga rrethi vicioz i individëve të fuqishëm që mbajnë peng vendimmarrjen dhe partitë politike. Teza se politikanët e ardhur nga forcat ushtarake dhe nga strukturat e vjetra politike duhet të largohen për t’i lënë vendin politikanëve të rinj është urgjente, thelbi i zgjidhjes. Kosova ka potenciale të mëdha politike e njerëzore, ka diasporë aktive dhe të formuar, ka shoqëri civile me kurajo e zë përfaqësues, ka individë me përvojë dhe sukses profesional, – dhe ka shansin të mësojë nga gabimet e Tiranës apo Tetovës politike për të mos bërë gabime të njëjta. Nëse i përdor këto asete zhvillimi i saj demokratik do jetë më i shpejtë, nëse i imiton bilancet e trishta dhe të njëjta shqiptare do mbetet një demokraci e brishtë dhe për shumë kohë nën monitorim të rreptë ndërkombëtar. Gjë që do të dobësojë cilësinë e përfaqësimit të saj dhe kapacitetet drejt një demokracie funksionale dhe shteti të së drejtës. 

– Paanshmëri apo paaftësi mund ta quajmë qëndrimin e deritanishëm të politikës së Tiranës, për çfarë ndodh në Kosovë?
– Tirana zyrtare nuk ka një politikë mbi Kosovën, nuk ka strategji, nuk ka rol dhe nuk ka as ndikim. Fatkeqësisht. Për vendimmarrësit politikë lidhjet me Kosovën janë ndërtuar mbi raporte personale, jo mbi raporte institucionale, dhe zhvillimet në Kosovë lexohen e trajtohen me të njëjtën nivel joserioziteti si zhvillimet në një zonë periferike nga elita luksoze e Tiranës. SHBA dhe BE kurdoherë ka nxitur Tiranën zyrtare të ndikojë pozitivisht në Kosovë, të ruajë kontaktet dhe të ndërmjetësojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të vogla, përpara se ato të bëhen të mëdha. Tirana nuk e ka përdorur këtë përgjegjësi, përkundrazi. A nuk mundej Tirana të kishte një draft zgjidhjeje në bisedime informale dhe jopublike? Po. Nuk e ka bërë. A mundet Tirana t’i japë mbështetje pa rezerva Presidentes Jahjaga për t’i ulur palët në bisedime dhe për zgjidhje afatgjatë? Po, dhe nuk e ka bërë. A mundet Tirana të krijojë mjedis debati demokratik informal midis liderëve politikë të Kosovës? Po, dhe nuk e ka bërë. 

– Cilat mund të jenë rrugëzgjidhjet politike: Qeveria e Kosovës të rinegociojë marrëveshjet? Opozita të tërhiqet nga bllokimi i Parlamentit?
– Ka një duzinë zgjidhjesh. Ne nuk shpikim zgjidhje, i kemi të gatshme nga praktika të njëjta të vendeve rajonale sa herë ka pasur kriza të njëjta politike. Është çështje vullneti politik, nëse këto praktika të mira përdoren dhe nëse palët duan ta zgjidhin krizën e radhës. Në politikë, edhe kur nuk ka zgjidhje të prera ose kur palët janë larg çdo kompromisi, ka zgjidhje politike përmes votimit, konsultimit publik. Gjithçka lidhet me vullnetin politik dhe Kosova duhet ta dëshmojë aftësinë për kompromis e vullnet për dialog. Duke përdorur si pikë nisje e kompromisi lirimin e çdo politikani të arrestuar dhe kthimin e normalitetit në Kuvend. Duke iu përgjigjur me oferta konkrete dhe racionale tryezës së Presidentes dhe duke e përdorur shansin e vizitës së sekretarit Kerry për arritjen e një kompromisi cilësor të demokracisë dhe maturimit politik. Nëse asnjëra nuk ndodh, nëse vizita e sekretarit amerikan nuk merr produktin që meriton Kosova dhe kërkojnë aleatët strategjikë, atëherë Kosova mund të rrezikojë të mbetet një vend me potencial të madh të konfliktit permanent dhe me siguri, jashtë rrjedhave të shpejta të integrimit. Kjo u duhet thënë qartë e shqip qytetarëve dhe politikanëve, publikut dhe atyre që kanë një rol direkt, apo indirekt në krizën e radhës.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 02.12.2015
Sigal