Prof. Asoc. Dr. Zamira Çavo: Turistët që vijnë një herë, nuk kthehen më Shqipëri

226
Sigal

Turizmi si drejtim “prioritar i ekonomisë” kanë vite që thonë pushtetarët me idenë se nga Turizmi burojnë të ardhura të mëdha. Nuk po i hyj këtij diskutimi edhe pse jam e bindur se një vend “NUK MUND TË KETË PRIORITET Turizmin”. Pa prodhuar, nuk ka zhvillim.

Po le ta kalojmë këtë pjesë. Le të supozojmë që e kemi vërtetë prioritet turizmin. Po e a e dini se turistët që vijnë një herë nuk kthehen më? A e dini se niveli primitiv i turizmit shqiptar nuk është dhe nuk do të jetë kurrë fitimprurës për vendin? Një faturë çmimesh e “çmendur” deri në absurditet është pasaporta më e mirë për të mos promovuar ardhjen. Një gotë vere e hapur 11 mijë lëkë apo një tas midhjesh 30 mijë lekë nuk ka njeri në botë që i pranon! Kjo ndodh se babëzia e atyre që bëjnë turizëm ( e që fatkeqësisht janë shumë), por prish imazhin edhe të bizneseve serioze, që merren me turizëm. Injoranca e atyre që pretendojnë se bëjnë turizëm me filozofinë ” T’ja fusim të parit që vjen”: më kujton Gjergj Fishtën kur thoshte se “Shqiptari mburret se ia ka shit 3 grosh kokrrën e petllës serbit”. Pale shërbimi. Kamarierë që sikur ua ke borxh, vonesa e fytyra të egërsuara, që të kallin datën e jo më të relaksojnë për pushime…Gota me njolla e pjata të krisura…vonesa që ta plasin shpirtin! Po po i kapërcej edhe këto. Ama një gjë nuk po mundem dot ta kapërdij: vendet historike ku në vend të ciceronëve shqiptarë, kemi “gjetur” italianë apo serbë, që tregojnë historinë shqiptare. Nuk besoni? Shkoni diku. Psh në Kalanë e Lukursit… Pra ‘t’ja leshë në dorë tregimin e historisë tënde të huajve ky është kulmi. Ja nxorrëm rrënjët këtij vendi… Dhe nuk është aspak për gallatë, por nuk është as patetizëm!