Prof. Asoc. Afrim Krasniqi: Politika i çon qytetarët në burg, kurse politikanët e akuzuar nga qytetarët për korrupsion, kanë mon

430
Sigal

Intervistë me politologun  Prof. Asoc. Afrim Krasniqi

Politologu Prof. Asoc. Afrim Krasniqi, në intervistën për “Telegraf” pohon se zgjedhjet në PD patën zhvillin negativ sepse sollën njerëz me probleme në cilësinë profesionale dhe politike. Politika i çon qytetarët në burg, kurse politikanët e akuzuar nga qytetarët për korrupsion, kanë monopolin mbi politikën. Ndërsa reformat e deritanishme të maxhorancës, zoti Krasniqi i cilëson “reforma për fundjave”, pra akte me efekt afatshkurtër dhe pa një plan konkret afatgjatë dhe nuk premtojnë një qeverisje ndryshe”. Bojkotin e opozitës, Krasniqi e vlerëson se  “nuk është alternativë e një vendi në NATO, është sjellje e një vendi në krizë identiteti politik”. Katarsi i politikës nga korrupsioni, thotë Krasniqi, do të vijë vetëm kur politikanët të dëftojnë burimet  e ligjshme financiare për të justifikuar pronat e pasuritë e tyre dhe në kësi rastesh, shumica e politikanëve tanë, do të kenë nevojën e ..avokatëve për t’u mbrojtur nga ligji!

Zoti Krasniqi, këto zgjedhjet e fundit në PD a mund të cilësohen si reformim i saj në përshtatje me kohën dhe me qëllimin politik të rikthimit të PD-së në pushtet?

–  Zhvillim pozitiv është fakti se pas një viti PD-ja arriti të mbyllë procesin e brendshëm zgjedhor. Zakonisht në parti moderne kjo ndodh brenda 1-2 muajsh, tek ne treguesi i funksionimit të brendshëm partiak është i brishtë dhe shpesh joinstitucional, ndaj edhe në partitë kryesore nuk ka kohëzion dhe as respekt të parimeve e afateve statutore. Zhvillim negativ është fakti se ekipi i ri plotësues sjell sasi në emra, por në një pjesë të madhe të tyre është problematik në cilësinë profesionale dhe politike. Një parti e madhe kërkon figura me integritet, përvojë dhe të aftë të japin ide e të marrin përsipër përgjegjësi për të gjitha çështjet që fokusohen në program dhe në alternativën e saj politike. Tek ne vijohet praktika e nisjes nga zero, e dhurimit të posteve dhe e rrugës së shkurtër për karrierë; fillimisht zgjidhen drejtues. pastaj u kërkohet të bëhen anëtarë në kuptimin, – të mësojnë çfarë është politika, pse janë në këtë parti, çfarë alternative duhet të përfaqësojnë dhe si funksionon politika dhe një parti politike. Në politikë nuk hyhet nga lart, por nga poshtë; tek ne në partitë kryesore dhe në parlament po krijojmë modelin e hyrjes nga lart, i cili cënon parimin e konkurrencës, aftësisë dhe transparencës.

Përse mund të quhet një rast i humbur për PD-në procesi i zgjedhjes së organeve drejtuese të saj?

– Votimi, megjithë risinë pozitive në procedurën formale të tij, tregoi se midis alternativës së mendjes dhe forcës, iu dha prioritet kësaj të fundit, kur në fakt opozita ka nevojë për mendje të reja, vizione të reja, sjellje të reja, ide të reja dhe jo për zëvendësim muskujsh e figurash kalimtare.

Vangjel Dule i cilësoi reformat e deritanishme të kësaj maxhorance “ pa fillim dhe pa fund”. Ju, ku do të pajtoheshit dhe ku do të distancoheshit nga Dulja?

– Zoti Dule është kryetar partie dhe zv/kryetar në parlament, ndaj ka të gjithë hapësirën, informacionin dhe mundësinë të shprehet për çdo vendimmarrje të miratuar, ose munguar të mazhorancës. Si qytetar votues, taksapagues dhe vëzhgues i politikës, do të doja të kishte një model tjetër qeverisjeje, – shumë më transparent, se ku shpenzohen paratë tona, se cila është gjendja faktike dhe pritshmëria për vitin e vitet e ardhshme në sektorët kryesore të qeverisjes, mbi nevojën për të pasur një plan konkret dhe të programuar reformash bazuar në premtimet elektorale, në sfidat e vendit dhe parimet e mireqeverisjes; si dhe do doja më pak arrogancë dhe më shumë respekt të vendimmarrësve ndaj qytetarëve. Ecja me parimin e “reformave për fundjave”, pra akte me efekt afatshkurtër dhe pa një plan konkret afatgjatë, është në të mirë të imazhit, marketingut dhe sondazheve të mazhorancës, por nuk mendoj se do përmbushë premtimin madhor për qeverisje ndryshe, Shqipëri ndryshe, politikë ndryshe dhe reforma të prekshme afatgjata për qytetarët.

Në demokraci, kur një aleat kritikon me kaq ton politik, detyrimisht largohet nga koalicioni. Sipas jush, përse Dulja nuk largohet, por qorton në distancë?

– PBDNJ-ja  ka qene dhe mbetet aleat direkt ose indirekt me çdo qeveri përgjatë tranzicionit. Nuk është çështje programi, por politike dhe përfaqësimi. Është normale dhe më shumë sesa përgjegjësi e tij është përgjegjësi e atyre që kanë detyrë të konsultohen me aleatet dhe partnerët qeverisës dhe të mbajnë gjallë modelin e ekipit, siç u premtua edhe në fushatë dhe siç vepron çdo parti vizionare në demokracitë funksionale.

A  është e interesuar  kasta politike e jona, që, pasi morëm statusin kandidat, të fillojnë sa më shpejt  bisedimet  për anëtarësim në BE?

– Palët politike janë të vetdijshme se procesi integrues është i gjatë dhe karta e integrimit nuk është më kartë elektorale, ndaj asnjë nuk merret më direkt me të. Palët po synojnë realpolitikën, ose politikën e ngushtë lokale, gjë që mendoj se është e dobishme nëse kjo bëhet me synimin për t’u ofruar zgjidhje problemeve të brendshme. Nëse kjo përdoret e keqpërdoret për të denigruar njeri tjetrin dhe për të mbajtur nën presion opinionin publik, rezultati mund të jetë pozitiv në aspektin afatshkurtër, por është negativ në aspektin afatgjatë. Në fund do bëhen bilancet dhe psh, bilanci dëshmon se katër vitet e fundit te qeverisjes së djathtë dhe thuajse viti i parë i qeverisje së majtë nuk kanë arritur të realizojnë asnjë prej reformave të mëdha strukturore, si psh, reformën në drejtësi ose aktet konkrete antikorrupsion. Ne jemi të aftë të arrestojmë qytetarë që i kanë borxh shtetit ose shkelin ligjet në marrëdhëniet rutinë me të, por ne ende nuk jemi të aftë të dërgojmë përpara drejtësisë vendimmarrësit politikë dhe ata që me akte korruptive kanë qënë dhe mbeten faktori kryesor pengues i progresit, reformave dhe forcimit të besimit tek demokracia.

Çfarë vlerë mund të kenë ato ligje që janë kaq të rëndësishme, por që votohen vetëm nga një palë politike në Kuvend, kur opozita bojkoton?

– Bojkoti nuk është alternativë e një vendi në NATO, është sjellje e një vendi në krizë identiteti politik. Arsyet e bojkotit nuk janë thelbësore dhe as alibi e besueshme. Ndaj PD-ja do jetë e detyruar të kthehet brenda sesionit të janarit, sepse parlamenti është dhe mbetet vendi i vetëm për politikë e vendimmarrje. Nga ana tjetër, as refuzimi apriori i minorancës nuk është standard demokracie, është pasojë e sistemit prej nga erdhëm dy dekada më parë. Mazhoranca duhet të punojë më shumë për klimë pozitive, qoftë edhe për një arsye të thjeshtë, – është votuar të mos të bëjë të njëjtat gabime si pala tjetër. Kur ka raste, siç ka pasur, kur opozita ka pasur të drejtë në denoncimet e saj korruptive, nuk ka sens të ketë refuzim en block, por duhet të ketë reflektim, vlerësim dhe sjellje institucionale. Diçka ende e huaj për kulturën politike shqiptare ku piramida nomiale e sistemit të kaluar është zëvendësuar nga disa piramida të vogla nominale e klanore, të cilat dallojnë vetëm nga sigla partiake e ndryshme.

Ju si e shpjegoni që politika  por edhe Media jonë heshtën …çuditërisht nga mesazhi që u dha nga drejtësia portugeze që arrestoi ishkryeministrin Sokrates për korrupsion?

– Në Shqipëri po ndodh paradoksi, politika kërkon qytetarët që shkelin ligjin me masën esktreme të burgut, kurse politikanët e akuzuar nga qytetarët për korrupsion kanë imunitet dhe madje kanë monopolin mbi politikën dhe vendimmarrjen. Nuk është çështja formale të arrestohet dikush, por është nevojë jetike që parimi kushtetues i barazisë përpara ligjit të zbatohet për të gjithë, si për qytetarët ashtu edhe për politikanët. Gjë që nuk ka ndodhur dje, nuk po ndodh as sot. Nëse nuk ndodh më tej, atëherë rrezikohemi të krijojmë një sistem konsensual oligarkie, i cili, përvecse pengesë për demokracinë, do kthehet në kërcënim për të dhe qytetarët. Merrni një detaj: pronat legale që kanë politikanët. Le të tregojnë ligjërisht burimet e financimit dhe t’i justifikojnë ato. Nëse kjo do ndodhte me siguri një pjesë e madhe e politikës, e parti Bojkoti nuk është alternativë e një vendi në NATO, është sjellje e një vendi në krizë identiteti politik ve kryesore, e parlamentit dhe posteve kryesore qeverisëse do të duhet të kontaktonin avokatët privatë për tu mbrojtur.

A duhet të mbajnë shpresa shqiptarët, se më në fund, politika do të reformojë Drejtësinë  që ajo të japë drejtësi për të gjithë?

– Reforma në drejtësi është komplekse dhe afatgjatë. Nuk është çështje aksioni politik dhe as zëvendësimi të disa emrave me disa të tjerë. Deri tani të gjithë flasin për reforma, por mungojnë aktet. Për shembull, do duhet ndryshim kushtetues, do duhet rishikim të sistemit të emërimeve dhe financimit, do duhet të ketë mekanizma transparence publike, etj, elementë që i mungojnë vullnetit të deritanishëm politik të dyanshëm, si politikës ashtu edhe vetë institucioneve të drejtësisë.

– Zgjidhja?

– Në kushtet aktuale ose një ndërhyrje e fortë politike për reforma të thella dhe konsensus sa më të madh ose një paketë e tretë e ardhur nga jashtë dhe e pranuar nga palët tona. Të dyja mbeten shanse teorike, personalisht mendoj se sa më shumë të vonohet procesi, aq më shumë mpleksen interesa dhe pamundësohet reforma e premtuar dhe e kërkuar.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA