Prof. Artan Fuga: Sfidat e demokratëve në zgjedhjet e parakohshme lokale. Janë militantët që marrin pjesë në foltore, që i bëjnë kritikën me themele e çati ish-PD së para 25 prillit

71
Sigal

Sfidat e Partisë Demokratike në zgjedhjet e parakohëshme lokale

Prof. Dr.  Artan Fuga

Në ndihmë të votuesve, gazetarëve, analistëve dhe politikanëve të rinj. Si duket partitë politike po bëhen gati të shkojnë në zgjedhjet për kryetarët e bashkive në gjashtë komuna të rëndësishme.

Kjo është një ditë dhe një etapë e rëndësishme edhe për qytetarët votues, por edhe për të gjithë popullsinë e këtyre bashkive. Jo vetëm sepse deri tani ata jetojnë në qeverisje lokale jolegjitime, moniste, dhe për të cilën praktikisht kanë refuzuar ta votojnë, por edhe sepse bashkitë dihet, për të zezën tonë, nuk janë qeverisja lokale vetëm e zonave urbane, por e një rrethi të tërë, përfshirë fshatrat e zonës, si komitetet ekzekutive në kohën pas Luftës së Dytë botërore.Me këtë rast nuk ka ndonjë rëndësi se çfarë do të bëjë partia socialiste. Atë që ka bërë edhe më parë. Por, këtë radhë do të përfitojë së tepërmi nga çarja e elektoratit të ish partisë demokratike të para 25 prillit të drejtuar nga z. Lulzim Basha. Kjo ish parti është ndarë sikurse dihet në lëvizjen për rithemelimin e partisë demokratike rreth z. Sali Berisha, dhe në grupimin e burokracisë së partisë dhe statukuonë partiake të drejtuar nga z. Lulzim Basha.Mbi këtë çarje partia socialiste ka gjetur kalin ku do të kalërojë drejt marrjes së kryetarë të bashkive në fjalë. Dihet se LSI do t’i bashkojë ata zgjedhës që ka me Lëvizjen për Rithemelimin e PD. Kurse partitë opozitare me elektorat të vogël po hezitojnë mes z. Sali Berisha dhe z. Lulzim Basha, aq më shumë se ato tradicionalisht nuk është se kanë programe dhe strategji autonome, por mbështeten në llogari të vogla elektoraliste. Eh, ja që kështu ndodh!Pra, rëndësi ka se çfarë ndodh mes dy grupimeve të ndara e të çara brenda ish partisë së dikurshme demokratike të drejtuar para 25 prillit nga z. Lulzim Basha. Nga do të anojë elektorati demokrat? Apo do t’i refuzojë të dy? Kjo është një matje forcash reale midis tyre. Deri tani, të dy palët po bëjnë garë është se cila prej tyre mbush sallat. Por, kjo njësi matëse sado e rëndësishme është e kufizuar në saktësinë e saj. Matja e vërtetë është atje te vota për këto gjashtë bashki. Dhe pikërisht kësaj deri tani këto dy grupime, si disa deputetë rreth z. Lulzim Basha, ashtu edhe antarë të grupit për Rithemelimin e Partisë demokratike, nuk po i bien kresë, Nuk them ende se po e evitojnë sikur të ishte një kujtim i hidhur që i traumatizuari psikologjikisht nga “divorci” nuk dëshiron ta sjellë ndërmend. Ka analistë – utopistë që mendojnë se zgjidhja do të kishte qenë që grupi i parë dhe grupi i dytë të merreshin vesh dhe të negocionin për zgjedhjet në këto bashki. Kjo do të kishte shënuar fundin politik si të zotit Sali Berisha ashtu edhe të zotit Lulzim Basha. I pari nuk do të justifikohej dot para publikut të gjerë të foltoreve, i dyti do të akuzohej menjëherë nga aktorë të fuqishëm brenda dhe jashtë Shqipërisë për fallcitet dhe hipokrizi ndaj tyre. Do kishte rënë gongu i mbarimit!!! Negociata aty nuk ka sepse e gjithë skema dhe skela bie.

A do të përfitojnë qytetarët që nga “sherri” politik të marrin realisht pushtetin në këto gjashtë bashki, apo çdo gjë do të mbarojë si një flakë kashte prej së cilës do të mbetet vetëm hiri?

Cilat janë ato dukuri që vihen re?

E para, të dyja grupet brenda ish partisë demokratike të dikurshme të para 25 prillit, 9 shtatorit, 11 dhjetorit, të drejtuar nga zoti Lulzim Basha, e cila nuk ekziston më faktikisht, kanë pranuar të shkojnë në zgjedhje pa komente kritike. Në këtë mënyrë duke shkuar në zgjedhje vetëm për ato bashki që nuk kanë kryetar, ata me nënkuptim kanë pranuar se zgjedhjet në bashkitë e tjera kanë qenë në rregull. Faktikisht, indirekt i kanë pranuar ato. Nuk po thonë asgjë edhe për faktin se në bashkitë e Shqipërisë edhe këshillat bashkiake janë ilegjitime. Jo vetëm disa kryetarë. Me një fjalë janë pajtuar me rezultatin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 që na lanë ne qytetarëve “jetimë”, pra pa pushtete legjitime lokale!!!Mirë që nuk po e prekin këtë temë, por ne si votues dhe publik duam të dimë si nga njera palë ashtu edhe nga tjetra se si qendron puna e djegies së mandateve, si qendron puna e mospjesëmarrjes në zgjedhjet e pushtetit lokal, kush e pati përgjegjësinë në drejtimin e atëhershëm të ish partisë demokratike të para 25 prillit, nga erdhi urdhëri i papritur për të bërë këto veprime politike në favor të kryeministrit Edi Rama, kush ishte kundër dhe pro, a u diskutua kjo vendimarrje me Kuvendin dhe Këshillin Kombëtar të partisë dhe me militantët e saj? Se meqë janë hapur letrat dhe flasim për transparencë, ja ku është nevoja për transparencë! Të shkojmë te ngjarjet dhe faktet sepse transparencë me retorikë politikë patetike nuk bëhet dot! E dyta, të dy grupimet e ish partisë demokratike të para 25 prillit, a të para 9 shtatorit, nuk po prekin ende një pikë shumë të rëndësishme që ish partia e tyre e pranoi, e gëlltiti për një kohë të gjatë dhe pranoi diktatin e partisë socialiste, kokëulur dhe pa bërë zë. Z. Edi Rama i tërhoqi me hir a me pahir në zgjedhjet e 25 prillit dhe duke iu imponuar kushte elektorale poshtëruese, u a mori zgjedhjet pa nisur ende ato. E kam fjalën për kodin elektoral dhe për formatimin e pushtetit lokal që sot është sikurse e kemi pasur në kohën e babaqemos! Kush e pranoi grisjen e marrëveshjes së 5 qershorit? A e quajnë të drejtë kodin elektoral për pushtetin lokal, a e quajnë të drejtë këtë ndarje territoriale dhe këto struktura të pushtetit lokal ku vetëm pushtet lokal nuk ka? Ne presim nga takimet në foltore dhe në mbledhjet e palës së burokracisë së partisë të na japin përgjigje për këto, që ne të bëjmë transparencës që na premtohet. Transparenca nuk është retorikë metaforash patetike. Së treti, ajo që është më themelorja në këto zgjedhje në gjashtë bashki, është pikërisht se nga do të anojë elektorati i madh dhe dinjitoz i partisë demokratike, i treguar me nivel shumë të lartë ndërgjegjeje politike sesa elita drejtuese e partisë. Pra “beteja” politike bëhet në Lushnjë, në Dibër, në Shkodër, në DurRës, etj., nuk bëhet as në Mirëditë, dhe as në Kurbin. E them këtë se ka një farë inercie në organizimin e eventeve nga të dy grupet rivale brenda ish partisë së dikurshme demokratike, një farë inercie në retorikën e drejtuesve të tyre. Elektorati në veprim aktualisht ndodhet atje ku është beteja politike për zgjedhjet që po afrojnë në gjashtë komunat, pra është diku gjetkë, kurse takimet kryesore dhe retorika bëhet gjetkë. Tamam sikur “i traumatizuari” nga “divorci” të mos dojë të shkojë drejt “sherrit” të vërtetë, pra që gjuha të mos shkojë atje ku dhemb dhëmbi!Se e ka pasur zakon ish partia demokratike e kësaj dekade, që bënte fushatë të rreptë elektorale, por pasi zgjedhjet përfundonin!!!Mos vazhdojë të bëjë fushatë, atje ku zgjedhjet nuk janë. Dikur zhvendosej në kohë, tani në hapësirë!Gjithçka synohet që takimet e liderave të bëhen sa më madhështore, si një betejë “numrash” në salla, kurse nga sa shohim kur bëhen takimet për organizimin e fushatave në zonat e elektorale të gjashtë bashkive, atje shkojnë figura të dorës së dytë a të tretë, me takime në salla të vogla dhe pothuajse të mjera, dhe me përmbajtje ligjërimesh aspak politike. Ndërkohë risia e kësaj radhe vjen vërdallë në fakt vetëm rreth një pyetjeje: A do të dalin kandidatët e foltoreve për kryetarë bashkie vërtetë nga zgjedhja që do të bëjë antarësia e ish partisë demokratike e mbledhur rreth lëvizjes së foltoreve, pra nga votimi paraprak i antarësisë, apo do të ndodhi sikurse e kanë zakon partitë politike te ne, që kandidatët i nxjerrin nga “xhepi” kryetarët e partive si kukulla lidhur me fije peri ? A do të jetë premtimi një fakt real i vërtetë, apo prej gjasme? A do të përfitojnë qytetarët që nga “sherri” politik të marrin realisht pushtetin në këto gjashtë bashki, apo çdo gjë do të mbarojë si një flakë kashte prej së cilës do të mbetet vetëm hiri? Kjo është ajo që do të përbëjë risi, ose nuk do të përbëjë. Ky është premtimi në foltoret pjesëmarrësit e të cilave po tregojnë jo vetëm një energji të madhe politike, por edhe një nivel ndërgjegjeje politike shumë të lartë. Janë militantët që marrin pjesë në foltore, nuk ka rëndësi se për çfarë arsyeje, që po i bëjnë kritikën me rrënjë e me degë, me themele e çati ish partisë demokratike të para 25 prillit ose 9 shtatorit të udhëhequr dikur nga zoti Lulzim Basha. Aty është premtimi, aty është kthesa, aty është shlyerja e detyrimeve, aty në fakt është edhe ajo çka e pret lëvizjen për rithemelimin e partisë deemokratike. Dështoi kalimi i pushtetit te militantët? Dështoi gjithçka. Nuk është aty shqetësimi im, por do të dështonte edhe përplasja “tektonike” brenda klasës politike që do të na bënte ne qytetarëve të përfitonim disa thërrime demokratizimi! Ne si qytetarë duam të zgjedhim gjithashtu drejtpërdrejt këshilltarët tanë bashkiakë dhe jo me lista nën siglat e partive! Ne nuk i njohim as për emër këshilltarët tanë bashkiakë. Sepse më së shumti ata janë funksionarë politikë qendrorë partish, ose funksionarë apo ish funksionarë të shtetit, administratës, qeverisë.

Askush nuk pipëtin për këtë. Sado që zoti Lulzim Basha juridiksht mbetet kryetar i një ish partie demokratike të përpara 9 shtatorit a të përpara 25 prillit që nuk ekziston më realisht, politikisht. Juridikisht ai ende ka legjitimitetin inercial të postit të tij. Unë mendoj se ai mbetet ende juridikisht kryetar, politikisht jo, por ndërkohë mbetet vetëm kryetar formal juridik i një partie demokratike që nuk është më ajo që ishte. Eshtë njësoj sikur shoferi i një autobuzi të thotë unë e kam lejen zyrtare për të qarkulluar me këtë autobuz, por ndërkohë autobuzi nuk ekziston më. Ai, në iluzion sugjestionohet dhe sugjestionon me idenë se ka “letrat” për të qenë juridikisht kryetar i një partie, por ndërkohë realisht ajo parti nuk ekziston më sikurse ishte para 25 prillit dhe para 9 shtatorit, apo para 11 dhjetorit. Shoferi i autobuzit i ka letrat e dhëna nga inspektoriati, por autobuzi nuk është më! Mirëpo kjo sjell një ngërç te Lëvizja për Rithemelimin e Partisë Demokratike. Sado drejtuesit e këtij grupi të thonë se janë ata përfaqësuesit e partisë demokratike, juridikisht, sado dashamirës të ishte Komisioni Qendror i zgjedhjeve, ai nuk do t’i pranojë si të tillë. Sepse ky Komision Qendror nuk ka tagër të analizojë mandatet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Ai pret gjykatën, por gjykata do të vonojë. Unë jam i bindur se Kuvendi i 11 dhjetorit, dhe referendumi i 18 dhjetorit, kanë ende rrugë juridike për të bërë që të njihen ose mos njihen në vendimet e tyre për shkarkimin e zotit Lulzim Basha. Por, nëse pritet juridikisht të njihen ose jo për të shënuar ose jo fundin politik të zotit Lulzim Basha si kryetar, një gjë tjetër dihet fare mirë: Keto dy evente politike madhore i dhanë fund ish partisë demokratike të para 25 prillit dhe 9 shtatorit, apo të para 11 dhjetorit që zoti Lulzim Basha ka pas drejtuar. Autobuzi nuk ekziston më as juridikisht as politikisht, nuk ekziston në realitet, por është thjeshtë një gjurmë në kujtesë.Nëse Komisioni për Rithemelimin e Partisë Demokratike do të shkonte në zgjedhjet në gjashtë bashki vetëm me kandidatë të pavarur, pa sigël partie, atëhere ai nuk do të bënte tjetër veçse do të na zhgënjente ne si publik dhe zgjedhësit demokratë. Nëse do të krijonte parti të re me emër tjetër, sigurisht do të tregonte dobësi.Por u mbetet një mundësi e vetme. Të rregjistrohen ashtu sikurse janë sot, të institucionalizojnë rrugëtimin e tyre të “fotografuar” sot, Pra të rregjistrohen jo si parti politike statike, por si lëvizje. Pra, të rregjistrohen si “Lëvizja për Rithemelimin e Partisë Demokratike”. Kanë identitetin e duhur, tregojnë dinamikën e tyre, dhe i mundësojnë elektoratit të tyre të hyjë si duhet në betejën politike. Sepse ka një kundërthënie ndryshe: Edhe të thuash se po shkojmë drejt rithemelimit të partisë demokratike, edhe të thuash se ne jemi partia demokratike – janë logjikisht të papajtueshme!!! Ose njera ose tjetra!