Procesi në dy faza/ Ja si do të zhvillohet numërimi i votave për partitë dhe kandidatët

160
Sigal

Në Shqipëri u kryen sot votimet e përgjithshme që do vendosin se kush do të jetë në pushtet për 4 vitet e ardhshme. Ndryshe nga zgjedhjet e 4 viteve më parë, ajo që u vu re ishte një pjesëmarrje më e madhe e votuesve. Si në çdo zgjedhje, nuk munguan as këtë radhë disa incidente të shënuara, që nga arrestimet për fotografime fletësh votimi e deri te plagosje me thikë.

Pasi kutitë e votimit u mbyllën zyrtarisht në orën 19:00, tani vjen procesi më i rëndësishëm, ai i numërimit.

Por si do të bëhet ky proces?

Pasi kutitë e votimit të çdo qendre votimi të transportohen në KZAZ-të përkatëse, do të fillojë edhe procesi i numërimit.

Ky proces do zhvillohet në dy faza, në bazë të partive se cila fiton në rang kombëtar dhe më pas votat preferenciale për kandidatët.

Më herët është lajmëruar që procesi i numërimit do të jetë i shpejtë dhe pa vonesa dhe pritet diku te 48 orë kohë. Kodi Zgjedhor ka “paralajmëruar” se për çdo vonesë do të ketë pasoja, duke ngushtuar kështu hapësirën kohore të numërimit.

Me të mbaruar procesin i numërimit për rezultatin e përgjithshëm partiak do të fillojë numërimi për kandidaturat për deputetë.

Që një kandidat të fitojë dhe të zgjidhet deputet duhet të kalojë limitin e votave, i cili llogaritet nga 10-11 mijë vota.