Procedura ligjore që do të ndiqet për arrestimin e dy deputetëve

731
Prokuroria e Përgjithshme ka marrë kompetencat për hetimin e çështjes “Doshi”, pasi ajo për Krime të Rënda, ka arritur në konkluzionin se ngjarja është inskenuar nga ana e Tom Doshit dhe Mark Frrokut. Prokuroria e Përgjithshme në këtë fazë të hetimit, ka tagrin ligjor për hetimin e zyrtarëve me funksion “deputet. Në analizën që i është bërë materialit hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme, është konkluduar se dy deputetët dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”.
Por ja çfarë parashikon Kodi Penal e Republikës së Shqipërisë për këto vepra penale:
Neni 305, Kallëzimi i rremë, dënim me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Në ktë nen, kallëzimi i rremë specifikohet si: “Kallëzim për kryerjen e një krimi që dihet se nuk është kryer ose për kryerjen e një krimi nga një person që dihet se nuk e ka kryer atë, si edhe, krijimi i provave të rremë me qëllim që të bëhen ndjekje penale, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.” Neni 305/a, Deklaratat e rreme përpara prokurorit, dënim me gjobë ose me burgim deri në një vit. Në këtë nen, specifikohet: Kushdo që, gjatë hetimeve apo procedimeve penale, i pyetur nga një prokuror që të japë informacionin e duhur lidhur me hetimin, jep të dhëna, me gojë ose me shkrim, që ai e di se janë, tërësisht ose pjesërisht, të rremë apo fsheh fakte ose prova, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme në rast se akti është kryer në çdo fazë të procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të ligjshme, ose që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu përgjigjur pyetjeve.<
Neni 312/a, Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë, dënim me burgim nga një deri në katër vjet
Në këtë nen specifikohet: Kanosja ose vepra të tjera dhune, që i bëhen personit për të siguruar deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë ose për të refuzuar kryerjen e detyrave të tyre përpara organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës dënohet me burgim nga një deri në katër vjet. Procedurat që ndjek Kuvendi kur duhet të arrestohet një deputet
Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë në nenin 118 të saj përcakton procedurat që ndiqen në rastet kur Prokurori i Përgjithshëm i kërkon parlamentit autorizimin për ndjekje penale ose arrestimin e deputetëve. Më poshtë citohet neni 118 i rregullores parlamentare:
– Heqja e imunitetit të deputetit –
1/1. Heqja e imunitetit bëhet nëpërmjet kufizimit të tij për vepra penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv, sipas Kodit Penal, në përputhje me vendimin përkatës të Kuvendit ose nëpërmjet heqjes së tij (autorizim për fillimin e ndjekjes penale), sipas kushteve dhe procedurave në këtë nen për të gjitha veprat penale. Vendimi i Kuvendit për kufizimin e imunitetit është pjesë përbërëse e Rregullores si aneksi 1 i saj.
1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.
2. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes.
3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.
4. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.
5. Procedura e parashikuar në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni zbatohet edhe në rastin kur kërkohet autorizimi për arrestimin e një deputeti.
6. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.
7. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose për dhënien e autorizimit për arrestimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Në orët e para të pasdites së sotme Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për arrestimin e debutetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, si të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallëzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”
Sot mblidhet Këshilli i Rregullores për mandatet
Ndërkaq nesër pritet të mblidhet Këshilli i Rregullores për mandatet, me qëllim që të shqyrtojë mandatet e dy deputetëve. Ndërsa deri të hënën pritet të mblidhet edhe Parlamenti për votimin.
Këshilli për mandatet përbëhet nga Ilir Meta, Fatmir Xhafaj, Namik Dokle, Vasilika Hysi, Armando Subashi, Eduard Halimi, Arben Ristani, Kastriot Islami dhe Dashamir Tahiri.
Dëshmitë e politikanëve në Prokurorinë e krimeve të rënda
Akuza e Prokurorit të Përgjithshëm: Deputeti Tom Doshi ka inskenuar vrasjen. së bashku me Durim Bamin 
Më 3 mars 2015 arrestohet Durim Bani, i cili ishte prezantuar nga Doshi si “atentatori i penduar”, i cili ishte paguar 500.000 euro për të vrarë Tom Doshin dhe deputetin Mhill Fifi. Durim Bami, njeri që për 6 muaj me rradhë konsiderohej nga deputeti i PS Tom Doshi si vrasësi me pagesë i natyralizuar më pas në dëshmitarin kyç të tij, ka nxjerrë të gjithë planin e artikuluar prej gati 6 muaj më parë nga depueti Doshi, duke pohuar se gjithçka ka qenë një lojë që është stisur dhe financuar nga deputeti i PS-së Tom Doshi.
6 mars 2015 Në prokurori dëshmon Kryeministri Rama, Kryeparlamentari Meta, Ministri Tahiri
Është hera e parë në historinë 24 vjeçare të demokracisë, ku një kryeministër, dëshmon në prokurori për hetimin e një akuze penale. Prokurori i Krimeve të Rënda duke stigmatizuar akuzat publike të deputetit Tom Doshi, reagon menjëherë dhe hap dosjen e hetimeve. Të parët që thirren nga prokuroria janë kryeparlamentari Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, ministri Brendshëm Tahiri, si edhe ishkryeministri Berisha, deputeti Edi Paloka, etj. 
Ora 09.30 Meta: Gati të ballafaqohem me Doshin dhe Berishën…Toma vetë është antiprovë
Përreth 1 orë e 30 minuta kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta ka dhënë deklarimin e tij para prokurorëve të Krimeve të Rënda, Adnand Xholi, dhe Përparim Kulluri, në lidhje me akuzat publike të deputetit të përjashtuar nga PS Tom Doshi se ka planifikuar dhe paguar për vrasjen e tij. Arsyeja e parë sipas Metës, është fakti se ndaj tij nuk rëndon asnjë akuzë, ndërsa argumentin e dytë ia adresoi liderit të opozitës Lulzim Basha duke i kujtuar akuzën që prokuroria dhe KLSH ngritën ndaj tij për një aferë 230 milionë euro për rrugën e Kombit. “Ju e dini shumë mirë që e dhashë shembullin duke u larguar nga qeveria. Por njëkohësisht zoti Basha bëri çdo gjë për të mbyllur çështjen për shkak të procedurave dhe jo për t’i shkuar çështjes në fund. Kështu që ai është një model i shkëlqyer për të treguar se si i hapet rruga hetimet”, -tha Meta. 
Ora 13:30 Tahiri: Dhashë ndihmën time për hetimet, t’ia lëmë institucioneve të zbardhin këtë rrëmujë
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dha një prononcim të shkurtër për mediet, ku tha se me dëshminë e tij dhe të zyrtarëve të tjerë po bëhet gjithçka për t’i ardhur në ndihmë hetimeve. 
“Thashë gjithçka jam vënë në dijeni gjatë gjithë kësaj kohe, ja thash prokurorëve duke shpresuar që kjo bëj unë, që bëjmë të gjithë është ndihma më e madhe për t’i dhënë kohën dhe mundësitë e duhura prokurorisë të bëjë hetime të plota dhe të zbardhë gjithçka me këtë ngjarje. Më vjen keq që publiku është ngarkuar me këtë rrëmujë po është koha t’ia lëmë institucioneve të flasin”, u shpreh ministri Tahiri.
Ora 13:41 Rama: Publiku peng i një historie gangsterësh me protagonist kryesor Berishën
Ndërsa ka mbaruar deklarimin e tij para prokurorëve përreth 1 orë e 20 minuta, kryeministri Edi Rama uroi që ftesa e prokurorisë për dëshminë e tij dhe të zyrtarëve të tjerë, të jetë shprehje e vullnetit për ta zbardhur deri në fund të vërtetën e historisë së atentatit të pretenduar nga deputeti Tom Doshi. Kreu i qeverisë theksoi se për herë të parë është vendosur një raport i ri i kryeministrit me Prokurorinë, ku gjatë pushtetit të djathtë sipas Ramës, organi i akuzës trajtohej nga shefi i qeverisë si “ushqim për qentë”. Vetëm hetimi i plotë tha Rama, mund ta çlirojë publikun shqiptar nga fjalët pa fund të politikës. “Koha kur kryeministri i Shqipërisë e trajtonte prokurorinë si ushqim për qentë ka mbaruar në 23 qershor të 2013-ës. Uroj që ftesa për të ardhur sot këtu të jetë shprehje e vullnetit të Prokurorisë për ta zbardhur plotësisht të vërtetën e kësaj historie të shëmtuar. Kjo histori e shëmtuar mund të mbarojë si një film dhe jeta politike e shqiptarëve nuk mund të vazhdojë më tutje nga filmi në film”, u shpreh Rama.
9 mars dëshmon në prokurori edhe ish kryeministri Berisha
Ish kryeministri Sali Berisha, pas dëshmisë në prokurori, nuk pranoi që të pohojë për ato që dëshmoi. “Thelbi i dëshmisë nuk dekonspirohet në mënyrë absolute nga unë. Unë jam besnik i ligjit”, tha Berisha. I thirrur në cilësinë e personit në dijeni për ngjarjen, siç ka pohuar në Parlament, zoti Berisha mohoi të ketë lidhje me personat e përfshirë. 
Kuvendi i Shqipërisë njofton deputetët për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e tyre
Pas dorrëzimit të kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm në Sekretariatin e Përgjithshëm të Kuvendit, për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, Kuvendi, nëpërmjet sekretares së Përgjithshme, Albana Shtylla u ka përcjellë deputetëve Doshi dhe Frroku kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm, si edhe njoftimin “se mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që do të shqyrtojë kërkesën për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës, do të mbahet ditën e shtunë, datë 21.03.2015, ora 17.45, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetit Mark Frroku
Lënda: Lajmërim e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënie autorizimi për
arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Drejtuar: Z. Mark FRROKU
Deputet, Kuvendi i Shqipërisë Rruga “Leonard Frroku”, Nr.54. Tiranë
I nderuar z. deputet,
Me shkresën nr. 1004/2 prot., datë 20.03.2015, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës ka depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Mark Frroku.
Në zbatim të pikës 2 dhe 5 të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, bashkëlidhur kësaj shkrese ju dërgojmë kërkesën e paraqitur nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm dhe relacionin përkatës, sipas parashikimit të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale.
Në zbatim të pikës 3 të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ju njoftojmë se mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që do të shqyrtojë kërkesën për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës, do të mbahet ditën e shtunë, datë 21.03.2015, ora 17.45, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetit Tom Doshi
Lajmërim e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Drejtuar: Z. Tom DOSHI
Deputet, Kuvendi i Shqipërisë Rruga “Qemal Stafa”, Nr.350. Tiranë.
I nderuar z. deputet,
Me shkresën nr. 1004/2 prot., datë 20.03.2015, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës ka depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Tom Doshi.
Në zbatim të pikës 2 dhe 5 të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, bashkëlidhur kësaj shkrese ju dërgojmë kërkesën e paraqitur nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm dhe relacionin përkatës, sipas parashikimit të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale.
Në zbatim të pikës 3 të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ju njoftojmë se mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që do të shqyrtojë kërkesën për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesës do të mbahet ditën e shtunë, datë 21.03.2015, ora 17.00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Çështja “Doshi”, sinjal për drejtësi të barabartë
Përparim HALILI
Shqipëria duket se po kalon në një pozicion zbatueshmërie të detyrës së saj kushtetuese, për të trajtuar si të barabartë përpara ligjit edhe shtetarët e lartë. Dje, ajo i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku lidhur me konkluzionin e saj hetimor, se të dy kanë inskenuar e servirur për opinionin dhe institucionet kushtetuese ligjore një version “krimi politik e shtetëror”, që sipas hetimeve paraprake ka rezultuar sajesë me pasojë krijimin e një situate bllokazhi e kaotike për shoqërinë, shtetin, pushtetin dhe institucionin ligjvenës. Kërkesa për çuarje përpara drejtësisë të dy deputetëve të mazhorancës, po i thotë opinionit shqiptar e atij ndërkombëtar, se ka nisur të veprohet, se ka nisur vullneti dhe përgjegjshmëria e drejtësisë për t’i dhënë fund papkrekshmërisë së krerëve të lartë të shtetit e politikës, duke i vendosur ata si të barabartë përballë ligjit, si çdo qytetar tjetër i këtij vendi. Kërkesa për “pranga” ndaj Doshit e Frrokut, tregon qëndrimin e prokurorisë. Është sinjal i qartë i “zgjimit” të organit të akuzës për të vepruar pa hezitim, si shenjë e shkëputjes prej diktatit dhe kthetrave të politikës. Në këto 23 vjet, drejtësia shqiptare ka qenë përherë nën akuzat e ndërkombëtarëve, të opinionit publik e të shoqërisë civile, për qëndrime selektive në raport me goditjen e krimit dhe zbatimin e ligjit, duke mos “prekur” krerët e shtetit e të klasës politike edhe kur ata, kanë qenë pjesë e dukshme dhe e plotë e krimit, me prova konkrete. Kjo histori paprekshmërie ka nisur me ish-ministrat e PD-së të viteve 1992-1995 Genc Ruli e Artan Hoxha, të akuzuar për aferën e kontrabandës së drurit të arrës. Në atë kohë, u kërkua burgosja e Rulit e Hoxhës, por që rezultoi një flusk sapuni, mbasi drejtësia nuk veproi, duke mos thirrur as për pyetje dy ish-ministrat, njeri prej të cilëve (Ruli) u bë sërish ministër në 8 vitet e ish-pushtetit të PD të viteve 2005-2013. Më pas, po pushteti i PD i viteve 1992-1997, kërkoi burgosjen ish-deputetit Azem Hajdari, por edhe kjo tentativë u shua shpejt duke mos u vepruar prej drejtësisë. Më pas, nga politika u kërkua heqja e imunitetit dhe burgosja e ish ministrit Basha për akuzën e abuzimit me font publike të rrugës Durrës-Kukës. Por edhe ky rast u “mbyll” me procedurë prej drejtësisë, duke mos e prekur ish-ministrin. Më tej doli në skenë rasti “Mediu”, me akuzën ndaj ish ministrit Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit, por edhe këtë akuzë, drejtësia nuk e çoi deri në fund, duke mos prekur ish-ministrin Mediu. Pas rastit “Mediu”, doli në skenë akuza për çështjen e 4 vrasjeve të 21 janarit, me kërkesën e opozitës për të marrë të pandehur ish-kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e brendshëm Basha. Gjithçka rezultoi një lëvizje politike pa çuarje të tyre përpara drejtësisë. 
Sigal