Pritje madhështore e Presidentit Meta nga arbëreshët e Kalabrisë

599
Sigal

Presidenti Ilir Meta nis vizitën zyrtare në Kalabri, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nisi vizitën zyrtare në Kalabri të Italisë, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Gjatë kësaj vizite, Kreu i Shtetit shqiptar, do të takohet me Presidentin e Republikës Italiane, Sergio Mattarella dhe së bashku do të vizitojnë Kolegjin e Shën Dhimitër Koronës, ku do të takohen me arbëreshët, përfaqësuesit dhe autoritetet e tyre vendore, drejtuesit e bashkësive fetare arbëreshe, personalitete të ndryshme, pedagogë, studentë arbëreshë. Në përfundim të takimit të dy Presidentët do të përurojnë një pllakat për nder të 550-vjetorit të Heroit tonë Kombëtar. Presidenti Meta pritet të zhvillojë takime zyrtare edhe me drejtuesit dhe përfaqësuesit vendorë të Kalabrisë si dhe të vizitojë Universitetin e Kozencës, në të cilin shkollohen shumë studentë arbëreshë dhe shqiptarë.

Presidenti Meta merr pjesë në Meshën për ndër të Gjergj Kastriot Skënderbeu

Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka vizituar ditën e djeshme Kalabrinë. Vizita e tij në Lungro të Kalabrisë, ka bërë që me mijëra arbëreshë që jetojnë atje të bëjnë një pritje madhështore për kreun e shtetit shqiptar. Gjatë vizitës së tij Meta, ka marrë pjesë në meshën e organizuar në nder të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gjatë vizitës së tij për në kishë Meta është shoqëruar nga qindra arbëreshë.

Presidenti Meta pritet nga Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, Oliverio

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në krye të një delegacioni zyrtar, u prit dje nga Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, Gerardo Mario Oliverio. Presidenti Meta vuri në dukje raportin e ngushtë mes Shqipërisë e Kalabrisë dhe theksoi se kemi një potencial të madh ekonomik, tregtar, arsimor, kulturor e historik mes dy vendeve. “Kalabria është shumë e rëndësishme për ne, sepse këtu është zemra e bashkësisë arbëreshe të zhvendosur në Itali që në Mesjetë. Ju jemi mirënjohës që kanë ruajtur gjuhën, traditat, zakonet, identitetin që nga koha e Skënderbeut. Është meritë e tyre, por edhe e kalabrezëve dhe italianëve, që i kanë mirëpritur.” – u shpreh Presidenti Meta. “Turizmi është një nga fushat ku mund të gëzojmë bashkëpunim më të ngushtë. Ashtu siç kemi marrëveshjen me Rajonin e Puljas, mund të bëjmë edhe me Rajonin e Kalabrisë, duke përfituar edhe nga projektet evropiane.” – vuri në dukje kreu i shtetit, duke e ftuar Presidentin Oliverio për një vizitë të shpejtë në Shqipëri për ta konkretizuar edhe më tej këtë bashkëpunim. Presidenti i Rajonit të Kalabrisë vlerësoi lart vizitën e kreut të shtetit shqiptar si një sinjal shumë domethënës për bashkëpunimin mes dy vendeve, duke nënvizuar lidhjet e vjetra historike dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy popujve, si dhe rolin e rëndësishëm në këtë drejtim të bashkësisë arbëreshe në rajonin e Kalabrisë në këtë drejtim. “Është një bashkësi që ka treguar përgjatë shekujve se si kultura, ekzistenca, ruajtja e traditave dhe gjuhës, por sidomos integrimi i tyre në Itali, kanë treguar se kjo është rruga e drejtë për të ilustruar mesazhet e paqes dhe bashkëjetesës.’’ – vuri në dukje Presidenti Oliverio. Të dy personalitet vlerësuan rolin e arbëreshëve gjatë Rilindjes dhe bashkimit të Italisë, duke nënvizuar faktin se vizita e kreut të shtetit shqiptar në Shën Mitër Korona nesër, së bashku me Presidentin italian Mattarella në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut është historike dhe shumë e rëndësishme jo vetëm për komunitetin arbëresh, por edhe për të gjithë Rajonin e Kalabrisë dhe Jugun e Italisë, duke pasur parasysh edhe ndjeshmërinë dhe lidhjet e veçanta që Presidenti Matarella ka me arbëreshët.