Primaret për Bashkinë e Tiranës: Gerti Bogdani zyrtarizon kandidaturën: Ja synimet e mia!

118

“Është çast vendimtar për të marrë në dorë fatet tona dhe për të bërë ndryshimin, të gjithë bashkë, pa dallim! Tirana sot ka nevojë për alternativë, shpresë, vëmendje dhe respekt ndaj qytetarëve”

Sigal

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani shpall kandidaturën për Tiranën në zgjedhjet e ardhshme vendore. Për këtë ai njoftoi se do të garojë në primaret e opozitës, që pritet të mbahen pas pak kohësh.

Prezantimi i Gert Bogdanit, në Primaret e PD-së për Bashkinë e Tiranës:

“Të dashur demokrate dhe demokratë! Të nderuar bashkëqytetarë të Tiranës!

I lindur dhe rritur në Tiranë, në një familje të vjetër tiranase, me traditë dhe vlera, kam jetuar çdo ditë me dashurinë dhe ndjeshmërinë më të thellë për qytetin tonë. Kam mësuar të njoh e të dua çdo cep të Tiranës dhe të respektoj çdokënd që kontribon për Tiranën. Fatkeqësisht ndër vite dhe sidomos këto 8 vite të fundit, Tirana ka pësuar një deformim të rëndë dhe ka përjetuar, jo vetëm një shkatërrim të trashëgimisë dhe identitetit, por edhe një përkeqësim të ndjeshëm të jetës sonë të përditshme si banorë të kryeqytetit! Ndryshe nga çfarë mundohet të shfaqë propaganda, realitetin e jetojmë çdo ditë dhe realiteti flet qartë për dekadencën urbane dhe modelin korruptiv që nëpërkëmb çdo ditë e më shumë dinjitetin dhe mirëqenien e secilit prej nesh! Tirana quhet sot kryeqyteti i rinisë për vitin 2022, por të rinjtë e Tiranës nuk kanë ujë të lahen; nuk gjejnë shpresë në një qytet që nuk ka asnjë hapësirë publike për ta e që nuk i jep mundësi të ndërtojnë një të ardhme, sepse në Tiranë ndërtohet vetëm për oligarkët! Problemet dhe hallet e përditshme, gjithësecili nga ne i përjeton çdo ditë në këtë qytet, Ndaj ka ardhur koha që këto probleme të zgjidhen!

Të dashur miq,

Prej kohësh tashmë, gjatë takimeve të njëpasnjëshme me demokratë dhe demokrate të çdo bindje e në çdo cep të Tiranës, kam dëgjuar thirrjen dhe energjinë për t’i prirë këtij ndryshimi;

Ndër vite kam punuar gjithmonë me integritet, me përkushtim dhe me alternativa konkrete. Jo thjesht si qytetar që vjen nga një familje e vjetër Tiranase, por mbi të gjitha si një prind i ri që ka vendosur që të ardhmen e familjes së vet, fëmijëve të vet, Ajrës dhe Reinartit, ta ndërtojë në këtë qytet. Ndaj me përulësi dhe vendosmëri, me përkushtim dhe përgjegjësi, me dinjitet dhe transparencë,me integritet dhe energji, me respekt për çdo qytetar e qytetare të Tiranës, kam marrë vendimin për të kandiduar për Kryetar të Bashkisë së Tiranës; Sepse kam bindjen e plotë se Tirana ka ende mundësinë të jetë një qytet në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetarëve.

Shpallja e kandidaturës në këtë proçes primaresh, është zotimi im për të shërbyer me përkushtim dhe përulësi – për t’i prirë kthesës për ndryshim që Tirana kërkon dhe meriton si metropol i shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Një model të ri qeverisjeje, i cili mundëson çlirimin e energjive prodhuese dhe krijuese të metropolit të shqiptarëve! Një përkushtim për t’i kthyer qytetit dhe qytetarëve, dinjitetin që meritojnë!  Ky është një moment vendimtar për të marrë në dorë fatet tona dhe për të bërë ndryshimin, të gjithë bashkë, pa dallim!

Kush është Gerti Bogdani:

Gerti Bogdani, ka lindur dhe është rritur në Tiranë, me frymën dhe traditën më të mirë të familjeve autoktone tiranase Bogdani dhe Bërxolli. Pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe‘Medalje Ari’, Gerti Bogdani vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – ‘Medalje Ari’ në degën e Shkencave Kompjuterike. Pas rikthimit në Shqipëri, e nisi karrierën e tij profesionale në fushën akademike si Pedagog në Universitetin e Neë Yorkut –Tiranë.

Në vitin 2005, pranon ftesën për t’u angazhuar në politikë shtyrë nga thirrja e brendshme qytetare për të kontribuar për vendin. Në vitin 2007 fillon detyrën si Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i PD, të cilën e kryen me sukses deri në vitin 2019, duke zgjeruar ndjeshëm rrjetin ndërkombëtar në mbështetje, jo vetëm të Partisë Demokratike, por sidomos të Shqipërisë – që nga Kongresi e Senati Amerikan, Parlamenti Europian e Bundestagu Gjerman, veçanërisht në raste të votimeve të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën. Në këtë detyrë ai ka arritur me sukses të mbështesë anëtarësimin e PD në Bashkimin Ndërkombëtar Demokrat – IDU, aplikimin e LDK-së për anëtarësimin në Partitë Popullore Europiane – EPP, si dhe ka kontribuar në anëtarësimin me të drejtë vote të Partisë Demokratike në EPP.

Në vitin 2007 kandidon në Zgjedhjet Vendore, duke qenë i pari kandidat nga e djathta që bëhet kryetar i Minibashkisë nr. 10 në Tiranë dhe Kryebashkiaku më i ri i zgjedhur ndonjëherë, duke bërë për vete komunitetin dhe duke marrë mbështetjen e elektoratit të njësisë përtej ndryshimeve politike majtas apo djathtas.

Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë dy legjislaturave parlamentare 2009 – 2013 dhe 2013 – 2017 kontribon në nisma ligjore me impakt për arsimin, mbështetjen sociale dhe të rinjtë. Gjatë dy mandateve parlamentare shërben në komisionin e Integrimit Europian & në komisionin e Medias, si dhe i përkushtohet problematikave të komunitetit autokton tiranas.

Nga viti 2009 e në vijim, ai merr detyrën si Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe i përkushtohet zgjerimit të anëtarësisë & gjallërimit të veprimtarisë FRPD-së në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këtë kuadër Bogdani e zgjeron rrjetin e aktivizimit ndërkombëtar të FRPD dhe njëkohësisht organizon disa akitivitete vjetore dhe kongrese rinore të YEPP, IYDU e DEMYC në Tiranë, duke sjellë në Shqipëri disa qindra të rinj nga e gjithë bota.

Pas 2 viteve në pozicionin e Zv.Presidentit, në vitin 2014 zgjidhet President i IYDU – Bashkimi Rinor Ndërkombëtar Demokrat, në Asamblenë në Lisbonë & ushtron këtë detyrë 2014 – 2016, duke u bërë politikani i parë shqiptar që zgjidhet në një pozicion kaq të lartë drejtues në një organizatë ndërkombëtare.

Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave.

Gerti është i martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe është babai i Ajrës dhe Reinartit.