Primaret në Partinë Demokratike mes polemikave, kontestimeve e përplasjes fizike

169

Partia Demokratike zhvilloi Primaret, të cilat janë shoqëruar me përplasje fizike në një zonë të Paskuqanit dhe përplasje me deklarata nga anëtarët e PD. Pakënaqësi për procesin kanë shprehur shumë candidate, ndërsa një pjesë e tyre janë tërhequr nga gara. Disa kandidatë denoncuan problemet me listat dhe manipulimet.

Sigal

 

Lajmi i fundit

Bie Kamza! Nga 28 mijë të regjistruar në lista votimi vetëm 3250 votues

Kandidati Arjan Hoxha vetëm 2100 vota ose 7% të besimit të demokratëve, aq sa mori edhe Rakip Suli pa kundërshtar në 2019. Asllan Dogjani mori 1000 vota dhe 150 vota Shemsi Prenci. Në Kamëz , bastionin e domokratëve, situata më kaotike se kurrë, kandidatët kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve.

 

Kamëz/ Shemsi Prençi: Nuk jam tërhequr nga gara, kontestova procesin, nuk do të njohim rezultatin e zgjedhjeve! Ja mesazhi që i dërgova Berishës e Nokës

Kandidati Prençi denoncon: Socialistët po votojnë me emrin në listë, demokratëve iu shkruhet me dorë


Kandidati i primareve të Partisë Demokratike në Kamëz, Shemsi Prençi deklaron se nuk do të njohë procesin, për shkak të parregullsive me listat e votuesve, ndërsa për gazetën “Telegraf” ka konfirmuar se nuk është tërhequr nga gara, por ka kërkuar që të përsëriten zgjedhjet. “Të nderuar demokrat të bashkisë Kamëz-Paskuqan! Me keqardhje ju njoftoj se po konstatojmë se në listat zgjedhore të Primarëve ka më shumë anëtar dhe drejtues të strukturave të Partisë Socialiste se anëtar dhe drejtues të strukturave të Partisë Demokratike. Mbi 50% e anëtarsisë Partisë Demokratike nuk kanë emrin në listat e votimit. Madje rezulton se nuk kanë emrin në listat e votimit as Kryetari i Forumit Rinor të PD, Z. Françesko Muça dhe N/ Kryetari e anëtarët e Kryesisë dhe drejtuesit e Grupseksioneve e seksioneve të PD. Gjithashtu në listat e votuesve përsëriten emrat e votuesve nga 2,3, 4 herë një person e që nuk ka lidhje fare me PD. Një situatë të tillë e kemi konstatuar në grup duke mbikqyrur procesin së bashku me dy kandidatët e tjerë Arjan Hoxha dhe Asllan Dogjani si dhe Kryetari i PD Kamëz Arben Muja e Sekretari Gjovalin Pali. Në këto kushte anarkie dhe për të mos u bërë pjesë e kësaj katraure zgjedhore bëj publike: “Mosnjohjen e këtij procesi zgjedhor!” Gjithashtu i kërkoj Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëritjen e Procesit të Primareve, duke respektuar Statutin e PD dhe udhëzimet e saj në lidhje me Primaret i bindur se vetëm kështu do realizojmë një proces Primareve në Parti pa lista të konsoliduara dhe të shpallura 5 ditë para votimit. Lista e votuesve me Demokratët jashtë liste ka mbërritur në PD Kamëz vetëm sot me dt. 04 dhjetor 2022 në ora 07:00. Duke dëgjuar protestën e anëtarëve dhe drejtuesve të strukturave në 19 Grupseksionet e Partisë Demokratike dega Kamëz jam i bindur në mos njohjen e këtij procesi denigrues për Demokratët e bashkisë Kamëz. Kauza e Demokratëve, nuk është nxjerrja e një kandidati, por forcimi dhe bashkimi për t’u përballur denjësisht me regjimin Rama-Rilindja me dt. 14 maj 2023 dhe për t’i kthyer bastionin demokratëve e Bashkinë Kamëz qytetarëve. Mirënjohje dhe respekte për demokratët e Kamzës dhe Paskuqanit. Rroftë Partia Demokratike e Shqipërisë.” Prençi ka bërë publike mesazhin që i ka dërguar kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha një ditë para zgjedhjeve ku ngrinte shqetësimet për çështjet e zhvillimit të procesit zgjedhor: “Përshëndetje Doktor Berisha! Në listat e simpatizantëve që kanë rregjistruar Strukturat e PD Kamëz, ka probleme se përsëritet deri 3-4-5 herë një person dhe është përfshirë mbi 50% e strukturave të PS Kamëz ….! Ju lutem ndërhyrja Juaj që të mos publikohen këto lista se besoj do jetë me ndikim në opinionin publik…! Në këto kushte procesi është tepër i kompromentuar dhe besoj nuk jemi në rrugën e duhur, sepse PD ka marrë 16.929 vota në vitin 2021, ndërkohë që janë rregjistruar më shumë simpatizantë dhe në QV janë planifikuar mbi 3.000 votues.” Ndërsa për gazetën “Telegraf” Prençi shpjegon “Por lista ka ndryshuar se në 18:25 minuta  ka ardhur tjetër listë dhe sot në orën 06:55 të mëngjesit ka ardhur tjetër listë e krehur…! Sot janë printuar listat në Kamëz dhe janë shpërndarë duke hequr anëtarët e PD e ndërkohë lista përmban anëtarët e PS…! Unë kam kontestuar procesin, por nuk jam tërhequr nga gara. Kam kërkuar përsëritje të procesit të primareve…” Për gazetën “Telegraf” Prençi ka renditur disa prej arsyeve që ai nuk është tërhequr nga gara ndryshe nga disa kandidatë të tjerë, të cilët deklaruan tërheqjen.

  1. Lista përfundimtare e votuesve ka mbërritur në Kamëz në orën 06:55…!
  2. Në listë nuk janë anëtarët dhe kryetarët e strukturave të PD-s dhe FRPD…!
  3. Në listën e votuesve janë në një % të madhe anëtarët e PS…!
  4. Në QV ka lista me mbi 1.200 deri 1.800 votues, që është shkelje bazuar në Kodin Zgjedhor!
  5. Në asnjë QV nuk ka shpallje të listave të votuesve…!

Në disa QV janë pranuar të votojnë persona, që nuk kanë emrin as si anëtarë të PD-s dhe as si simpatizantë të PD-së”. Prençi ka zbuluar se në votime janë duke marrë pjesë socialistë, të cilët e kanë emrin në listën e miratuar nga kryesia e PD, ndërsa demokratët detyrohen të votojnë duke shënuar emrin me laps e letër. Modeli i votimit në Primaret e PD Kamëz! Socialistat kanë emrin në listën e miratuar nga Kryesia e PD Kamëz, ndërsa Demokratëve ju shkruhet me dorë emri. Në këto kushte jam i detyruar të mos e njoh procesin dhe t’i kërkoj PDSH një proces të dytë, duke i dhënë kohë konsolidimit të infrastrukturës zgjedhore në Primaret e Partisë Demokratike.”

 

Partia Demokratike ka zhvilluar të dielën procesin e zgjedhjeve në fazën e Primareve. Zgjedhjet janë shoqëruar me kontestime në radhët e vetë anëtarëve dhe kandidatëve të PD, të cilët i kanë konsideruar ato të manipuluara. Votimi në të gjitha njësitë ka nisur në orën 08:00, ndërsa në disa nga Bashkitë kryesore ka pasur garë të fortë në disa prej tyre ka pasur vetëm një kandidat. Në Bashkinë e Shkodrës kandidonte vetëm Kryetari aktual i Bashkisë, Bardh Spahia i cili ka njoftuar për nisjen e një procesi zgjedhor pa probleme si dhe ka shpallur edhe fitoren e tij në këtë Bashki. Një tjetër Bashki që ka pasur vetëm një kandidat ishte ajo e Elbasanit në të cilën kandidonte vetëm deputeti Luçiano Boçi. Në një prononcim për mediat Boçi deklaroi se në çdo rast vota ka rëndësi. Ndërsa me vetëm 1 kandidat kanë qenë Bashkitë kryesore të vendit, të cilat kanë edhe popullsinë më të madhe, duke lënë të kuptohet se procesi ka pasur tendencë preferenciale duke mos i lënë mundësi demokratëve të zgjedhin. Përplasjet mes anëtarëve të Partisë Demokratike kanë shkuar deri në fizike ndërsa në një zonë të Paskuqanit kemi pasur edhe një konflikt për të cilin është kërkuar edhe ambulancë për të dhënë ndihmën e parë mjekësore për të lënduarit.

Merkoçi: Brenda PD ka persona që financohen nga Soros, emri im nuk është në listë

Por skandali me denoncimet për parregullsi në Primare nuk ka munguar edhe në kryeqytet ku është edhe gara kryesore me 7 kandidatë. Kandidati për Primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës Fatmir Merkoçi nuk e gjeti emrin e tij në listën e PD-së. Sipas tij është bërë edhe me qëllim nga njerëz që i quan të “paguar nga Soros”. “Nëse unë marr bashkinë rrëzohet edhe Rama. Ka elementë të Sorosit brenda partisë, financohen nga Soros, komunizmin e kam luftuar me gjënë time, nuk kam asnjë financim përveç atyre të miat. Ngre kauza që janë bërë kauza për të gjithë shqiptarët, nëse demokratët do të më votojnë e kanë të sigurtë fitoren në Bashkinë e Tiranës”,- tha Merkoçi.

Feride Rrahmanaj e Sazan Guri: Votimet po caktohen me telefon nga lart

Procesi zgjedhor është kontestuar edhe nga kandidatë të tjerë, të cilët kishin lajmëruar se do të merrnin pjesë në zgjedhje, por më pas kanë deklaruar se “këto zgjedhje po përcaktohen me telefon nga lart”. Një nga kandidatët në Primaret në Partinë Demokratike për Bashkinë e Tropojës është tërhequr nga gara. Bëhet fjalë për Feride Rrahmanajn, e cila ka marrë këtë vendim pak orë para nisjes së procesit. Me anë të një postimi në rrjetet sociale gjatë orëve të para të mëngjesit, ajo shkruan se ka vendosur të dorëhiqet nga Primaret pasi sipas saj kjo është një garë e njëanshme dhe e favorizuar nga lart. “Është një fushatë tërësisht e njëanshme ku simpatizantëve dhe demokratëve po u mohohet e drejta e votës, ku edhe pse formularët u plotësuan konform udhëzimit për Primaret nuk janë në listat e votuesve. Sazan Guri, kandidati në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë Berat, është shprehur pesimist për këto votime. Ai hedh akuza se fituesit janë paracaktuar. Guri deklaron se organizatorët e procesit kanë telefonuar votuesit në këto zgjedhje duke iu diktuar se kë duhet të votojnë për të dalë fitues.

Rast për Gines! PD e Kamzës 26% më shumë anëtarë se sa votues. PS e Kamzës mbështet policët e PD për Primare?!

Në degën e PD Kamëz janë regjistruar 22.525 simpatizantë për Primare. Një vit më parë në 2021 PD ka marrë 16.929 vota! Në vitin 2021 fryma dhe shpresa si në të gjithë vendin edhe në Kamëz ishte se do të ndodhte rotacioni, dhe pjesëmarrja në votime ishte thuajse e kënaqshme për situatën në të cilën ishin, dhe Partia Demokratike arriti të merrte16929 vota, ndërsa sot në 2022, kur Partia Demokratike është në ditët e saj më të vështira. Kur rinia dhe qindra demokratë kanë braktisur vendin. Kur shpresa për një të ardhme të sigurtë ka vdekur. Kur zhgënjimi i demokratëve është në maksimum. Kur PD është e ndarë, ne çuditërisht shohim 22525 tifozë që do votojnë nesër, shifra të stadiumit të Kamzës, që konkurojnë në Pri-MARRET e Komisariatit, shifra, të cilat edhe Partia Konservatore Britanike do t’i kishte zili. Pra në zgjedhjet e PËRGJITHSHME të 2021 PD ka marrë 16929 kurse për pri-marret janë regjistruar 22525 A do japin dorëheqjen Berisha, Flamur Noka dhe grupi i policëve të partisë, kur Kamzën ta marrë PS, për shkak të pazareve klienteliste dhe kulisave krahinore?!

Berisha në 8 nëntor: Kutitë të numërohen ku votohet!/ 16 orë para zgjedhjeve, PD urdhëron: Kutitë na i sillni me makina, do i numërojmë në seli,

Avokat Altin Goxhaj

Pranvera Borakaj pyeti Doktorin në 8 Nëntor se ku do të numërohen kutiat e primareve në Tiranë dhe a ka rrezik manipulimi nëse numërohen në Seli për shkak të transportimit të kutiave nga baza në qendër? Sali Berisha iu përgjigj se ai është për t’u numëruar aty ku votohet, “të hapen kutiat dhe të numërohen aty” dhe jo të transportohen me makina! Madje m’u referua dhe si aktivist që ia kisha ngritur këtë shqetësim, sepse unë “si kam qejf kutiat në makina”. Dje pasdite, në kundërshtim me Urdhërin e dt 18 nëntor 2 javë më parë, vetëm 16 orë para Hapjes së qendrave të votimit, KOKOE e drejtuar nga Albana Vokshi (që bashkë me Enno Bozdon, Belind Këlliçin, etj., falsifikonte votat pro Bashës në korrik dhe qershor 2021, sipas vetë proçesverbalit në fund të videos, vendosën papritur dhe me urgjencë (çfarë ndodhi?!) që t’i heqin komisioneve të degës të drejtën për të numëruar, por kutitë do të transportohen me makina në Seli. Pse ndryshoi gjithshka papritur 16 orë para, nga se pati frikë Albana Vokshi, Eno Bozdo, dhe gjithë ata që kanë frikë fitoren e Alimehmetit dhe duan Belindin me çdo kusht? Çfarë frike kanë që të numërohen votat në bazë? Përse nuk u dalin llogaritë me gjithë manipulimet që kanë bërë deri tani përsëri nuk u del rezultati që kanë fiksuar si në kohë të Lylit, sepse janë po ata? Po Berisha çfarë mendimi ka për këtë ndryshim? P.s. Duket qartas që Ata Lart i ka zënë hall i madh me votat poshtë, ndaj kanë nevojë për kutia në makina.

 

9 kandidatët e tërhequr nga gara e Primareve

Procesi i Primareve nuk ka shkuar “vaj”. 9 kandidatë janë tërhequr nga gara, kjo pasi disa prej tyre kanë hedhur akuza për garë të pabarabartë, që është favorizuar nga “lart”, por në asnjë moment nuk kanë përmendur me emra se për kë bëhej fjalë.  Kandidatët e dorëhequr nga PRIMARET: Tropojë : Feride Rrahmana Lushnje: Erjon Iljazi Belsh: Dritan Cani dhe Kodhel Çala Devoll: Arben Miza Krujë: Denis Hidri dhe Ilir Ndreu Kuçovë: Myslim Haxhiu dhe Brikena Koroveshi. Ndërkohë që në 7 bashki ka vetëm nga 1 kandidat, pa mundësi zgjedhje për votuesit, ndërsa nuk ka zgjedhje në 4 të tjera: Pustec, Himarë, Finiq e Dropull. Në këto bashki, kandidatët kanë sfidë jo vetëm të dalin fitues, por edhe të marrin gjysmën e votave të anëtarëve, pasi nëse kandidati nuk merr mbi 50% të votave, dy më të votuarit shkojnë në rivotim.

Berisha: Primaret vendosën një standard demokratik të paparë në Shqipëri

Standard demokratik e konsideroi kryedemokrati Sali Berisha procesin e primareve për zgjedhjen e kandidaturave të 14 majit 2023. Nëpërmjet një konference me mediat nga selia blu, Berisha tha se primarët e shndërruan PD-në në forcën më të fuqishme politike të Shqipërisë. “Kam bindjen se ata vlerësojnë këtë ndryshim madhor të PD-së, këtë proces me të cilin kjo forcë politike përmbysi përfaqësimin, procedurën e përfaqësimit dhe zgjedhjes së drejtuesve partiakë, qeveritarë vendorë të saj. Në të gjitha këto procedura, sovrani për PD-në ishte anëtarësia, nuk ishte as kryetari dhe as kryesia. Pra, vendoset në këtë mënyrë një standard demokratik i paparë më parë në Shqipëri, ç’ka e bën sot PD-në forcën më të fuqishme politike të Shqipërisë, forcën më të përkushtuar për lirinë dhe të drejtat e anëtarëve të saj dhe nesër në pushtet të qytetarëve shqiptarë“, -tha Berisha.

Fituesit e Primareve

Në garën e zhvilluar brenda Partisë Demokratike kanë shpallur kandidaturat fituese menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve kjo edhe pse një pjesë e tyre ishin kandidatë të vetëm në këtë garë. Luçiano Boçi e Zef Hila pritet të lënë mandatet pas rezultatit të zgjedhjeve në Primare, Boçi kandidoi i vetëm për bashkinë e Elbasanit ndërsa Zef Hila fitoi përballë kandidatit Kolë Shaba në Bashkinë e Vaut të Dejës.

Selenicë Leonard Rakipaj

Bulqizë : Defrim Fiku

Kukës: Admir Sinamati

Shkodër: Bardh Spahia

Berat: Zija Ismaili

Shijak: Rezart Tusha

Libohovë: Adil Xhelili

Krujë: Ndriçim Babasi

Tepelenë: Baftjar Imeri

Gjirokastër: Dorjan Lani

Këlcyrë: Arjan Kasaj

Lushnjë: Eduart Sharka

Kuçovë: Lefter Maliqi

Dimal: Gentian Meçi

Vorë: Indrit Hoxha

Përmet: Edmond Komino

Memaliaj: Albert Malaj

Durrës: Igli Cara

Mallakastër: Resmi Shanaj

Patos: Sofie Alushaj

Klos: Bedri Hoxha

Maliq: Alfret Gega

Kurbin: Behar Haxhia

Rrogozhinë: Shkëlqim Hoxha

Korçë: Ledina Alolli

Roskovec: Nerdit Hazizaj

Poliçan: Behar Xhaferraj

Skrapar: Eugen Mustafallari

Delvinë: Ilir Mehmeti

Divjakë: Aurel Malko

Devoll: Elvis Hajdërlli

Në balotazh është Dibra, Fieri, Mati dhe Mirdita

Primaret në Mat
Skënder Gjuci – 319 vota
Bukurosh Ballabani – 145 vota
Primaret në Mirditë

Albert Mëlyshi – 357 vota
Aleksandër Lalaj – 285 vota

FIER
Ermal Hamataj – 107 vota
Evdar Kodheli – 413 vota \

DIBËR
Besnik Aliu- 291 vota
Fadil Begu – 268 vota