Presidenti Nishani vlerëson atdhetarin dhe patriotin e shquar Themistokli Gërmenji me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

383
Sigal

Presidenti i
Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani vlerësoi gjatë një ceremonie solemne të
zhvilluar sot në Institucionin e Presidentit atdhetarin dhe patriotin e shquar, 
Themistokli Gërmenji (pas vdekjes) me Dekoratën Gjergj
Kastrioti Skënderbeu”
 me
motivacionin: “Atdhetar
i shquar, prijës i përmendur i lëvizjes patriotike kombëtare për Pavarësinë e
Shqipërisë dhe çlirimin e trojeve të saj, kryesisht i përpjekjeve për shpalljen
e Krahinës Autonome të Korçës”. 

 

Kreu i Shtetit ia dorëzoi dekoratën e lartë Kryetares së
Këshillit të Qarkut Korçë, Ana Verushi, e cila në prani të autoriteteve
vendore, akademikëve e studiuesve dhe trashëgimtarëve të  patriotit-simbol
të identitetit kombëtar, u zotua se vlerësimi dhe dekorata do të ruhet dhe do
të ekspozohet në shtëpinë-muze të Themistokli Gërmenjit.

 

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti Nishani e
cilësoi këtë ceremoni si shprehje të respektit ndaj
 një figure të shquar dhe
unike të historisë së Shqipërisë: “yll i ndritur i patriotizmit shqiptar, që
edhe në fikje e sipër ndriçoi madhërishëm si një meteor i pashuar kombin e tij
të vogël.”

 

“Është fjala për një figurë të shtrenjtë të panteonit
tonë të heronjve kombëtarë si Themistokli Gërmenji, kujtimi i të cilit na ka
mbledhur sot në këtë sallë. Emri dhe vepra e Themistokli Gërmenjit janë vlera
jo vetëm të një kohe të asaj periudhe të turbullt dhe kanosëse që kaluan
shqiptarët në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit të XX, por ato
ende vazhdojnë të rrezatojnë fuqishëm në kujtesën tonë kolektive edhe në këtë
epokë të globalizmit që ka përfshirë të gjithë botën. Ato janë para së gjithash
simbole të rralla të identitetit tonë shtetëror me çelësin e të cilit,
paraardhësit tanë hapën derën e Pavarësisë sonë prej nga vërshoi vrullshëm
vullneti i këtij populli për të ngritur shtetin e ri, si të tilla emri dhe
vepra e tij nuk i përkasin aspak dhe vetëm atij qyteti të mrekullueshëm, Korçës
së vyer e të shtrenjtë, për të cilën thuri ëndrrat më të bukura Ai nuk është
thjesht biri i trevës së Korçës. Pikë së pari ai është djali i adhuruar i të
gjithë shqiptarëve të sotëm të brezave të shkuara, të tanishme dhe të atyre që
do të vijnë, për arsye se ai mendoi e veproi, punoi e luftoi për një Shqipëri
të lirë e të përjetshme që do ta gëzonin të tërë banorët e krahinave dhe trevave
në mbarë territoret ku flitet gjuha jonë e bukur shqipe.” – tha më tej në
fjalën e tij Kreu i Shtetit.

 

Presidenti Nishani vazhdoi më tej me përshkrimin e atyre
ngjarjeve historike që shoqëruan Shqipërinë që nga fundi i shekullit XIX, 
kur fati i vendit u vu në pikëpytje nga shovinizmi ballkanik që synonte
copëtimin integral të trojeve tona dhe zgjimit të ndjenjave atdhetare që erdhën
prej shqiptarëve të emigruar të kolonisë së Bukureshtit. Mes tyre spikati emri
i Themistokli Gërmenjit, cili nga pronar i hotelit “Liria” në qytetin e
Manastirit u bë një nga strategët e së ardhmes që u vu në krye të luftës së
armatosur, atje ku e thërriste ndërgjegjia në vendlindje.

 

Kreu i Shtetit evidentoi rolin e Themistokli Gërmenji si
arkitekti i Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin të Korçës kur më 28 Nëntor 1912
ngriti flamurin kuq e zi dhe ku njohu autoritetin e qeverisë së re të Ismail
Qemalit, emigrimin e tij të dytë në Bullgari pas pushtimit të vendit,
aktivitetin e tij politik me botimin  e revistës “Biblioteka Zëri i
Shqipërisë” në Sofje, e cila u kthye në një tribunë e çështjes shqiptare, zëri
i së cilës arriti të ngacmonte dhe vëmendjen e administratës së Presidentit
Uillson.

 

“Pikërisht në kulmin e dyluftimit të ushtrive të huaja në
Luftën e Parë Botërore në saje të intensifikimit të mjeteve të transportit që u
futën në Shqipëri u masivizua futja e kësaj reviste me cilësi profesionale në
vend, që e ngriti reputacionin e Themistokli Gërmenjit në apoteozën e tij.
Ishte ky nderim publik për të ngritur ngadalë në kuotat më të larta që
përgatiti etapën e fundit më të lavdishme të karrierës së tij, por qe edhe faza
e fundit  finale tragjike e shtegtimit të jetës së tij që u ndërpre në
mes, shoqëruar natyrisht me një trishtim tejet të thellë.

 

Erërat që frynin në motin e acartë të Luftës së Parë
Botërore qenë aq të egra sa e goditën për vdekje Themistokli Gërmenjin,
shtetarin e duhur shqiptar që do të zbatonte kompromisin brilant të historisë
mes trupave ushtarake franceze e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Korçë. 
saje të punës e kontributit të tij, Krahina Autonome e Korçës ishte një etalon
i aftësive shtetformuese shqiptare pikërisht në një zonë që ishte bërë prej
kohësh një qendër e qytetërimit shqiptar
.”

 

Shumë njerëz ndahen fizikisht, por të respektuar prej
nesh duke mos lënë asnjë gjurmë, por ka edhe të tjerë që enden në kujtesë si
shenjtorë të lirisë. I tillë mbetet për Korçën dhe Shqipërinë Themistokli
Gërmenji, ky bir i përhershëm i Pavarësisë së shqiptarëve kudo ku ata gjenden,
ndaj ai dhe kujtimi i tij do të jetojnë gjithmonë duke qenë përjetë i
pavdekshëm. Ndaj, është në nderin tim sot, që në cilësinë e Presidentit të
Republikës, të vlerësoj patriotin e luftëtarin Themistokli Gërmenji (pas
vdekjes) me Dekoratën e lartë ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’. Vlerësimi për ata
që luftuan për këtë vend nuk do të rreshtë kurrë, dhe le të jetë kjo ceremoni
një hap tjetër drejt nxjerrjes në pah të atyre që dhanë kaq shumë për
Shqipërinë dhe të cilëve u detyrohemi për t’i nderuar!” – u shpreh Presidenti i
Republikës.