Presidenti Nishani me Pitellën, mbështetje për Shqipërinë në BE

462
Sigal

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti ditën e djeshme zëvendëspresidentin e Parlamentit Europian, zotin Gianni Pittella dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës në vendin tonë. Presidenti Nishani, në fillim të fjalës së tij shprehu mirënjohjen e Shqipërisë ndaj rolit dhe qëndrimit të Parlamentit Europian në përgjithësi, si dhe atë personal të zotit Pitella në veçanti në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se ky vlerësim bazohet tek njohja e arritjeve dhe meritave të Shqipërisë si dhe tek inkurajimi i reformave të ndërmarra.  Në vijim, Presidenti rikonfirmoi edhe në këtë takim se marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në qershor të këtij viti është pjesë e përmbushjes së aspiratës madhore, objektivit dhe alternativës së vetme të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Në bashkëbisedimin me zëvendëspresidentin e Parlamentit Europian, Presidenti Nishani theksoi se, procesi i integrimit evropian ka ende shumë sfida përpara duke u ndalur tek reforma në sistemin e drejtësisë e cila duhet të bazohet dhe reflektojë tre kolona kryesore: transparencën, efiçencën dhe pavarësinë e sistemit. Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi faktin se Shqipëria është para një prove të rëndësishme që ka të bëjë me ruajtjen e integritetit kushtetues të institucioneve të pavarura. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se marrja e statusit do të shënonte një hap të mëtejshëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se integrimi i Shqipërisë, por edhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian do t’i shërbente edhe më shumë stabilitetit, forcimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të këtij rajoni, duke vlerësuar njëkohësisht qëndrimin pozitiv të Shqipërisë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, paqe dhe stabilitet me vendet e rajonit. Në përfundim, Presidenti Nishani shprehu dhe njëherë vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj mbështetjes së dhënë nga Parlamenti Europian në përgjithësi dhe zoti Pittella në veçanti ndaj Shqipërisë duke shprehur bindjen se kjo mbështetje do të vijojë të mbetet e fuqishme në rrugëtimin evropian të vendit tonë drejt anëtarësimit me të drejta të plota në familjen evropiane