Presidenti Nishani dekoron me Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu” Drejtorin e fondit amerikano-shqiptar Michael Granoff

465
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Drejtorin e Bordit Drejtues të Fondit amerikano-shqiptar të Ndërmarrjeve, me motivacionin: “Një nga miqtë më të ngushtë dhe të përkushtuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve që u bë njësh me sfidat dhe realizimet e tyre”.

Në fjalën përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për aktivitetin e kontributin e Fondit amerikano-shqiptar të Ndërmarrjeve, në jetën ekonomike, sociale në shoqërinë shqiptare. “Fondi shqiptaro-amerikan i Ndërmarrjeve ishte dallëndyshja e parë në hapësirën e lirë të tregut dhe të shoqërisë së lirë shqiptare, ishte simboli i parë i inkurajimit të një veprimtarie, të një realiteti që shqiptarët e kishin ëndërruar, por s’e kishin pasur kurrë, të ekonomisë së lirë. Emërimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i Kryetarit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve dhe prezenca e këtij Fondi në Shqipëri, ishte një nga momentet më inkurajuese për Shqipërinë dhe shqiptarët, për ekonominë e saj”, theksoi Presidenti Nishani. Kreu i Shtetit e veçoi kontributin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve të një rëndësie të veçantë, në promovimin e vlerave për konsolidimin e ekonomisë së tyre përmes projektesh dhe investimesh të suksesshme në fushën e bankave, në fushën e infrastrukturës, por dhe në atë të identitetit dhe evidentimit të identitetit të qytetarëve shqiptarë. Pas marrjes së medaljes së lartë, zoti Michael Granoff shprehu nderimin e tij për këtë vlerësim duke nënvizuar se “ajo që është interesante, është se ne gjithmonë kemi hasur dhe kemi gjetur mbështetjen e të gjithë spektrit politik në Shqipëri dhe të çdo qeverie, me të cilën kemi pasur të bëjmë. Dhe kur njerëzit pyesin se cili ka qenë çelësi i këtij suksesi të Fondit të Sipërmarrjeve, suksesi qëndron pikërisht në këtë mozaik, të cilin ne me mundim e kemi ngritur në njërin prej ish vendeve më të varfra të Evropës, ky mozaik, për të cilin na u desh të mblidhnim së bashku të gjithë përbërësit dhe që ka prodhuar këtë sukses”, theksoi zoti Granoff. Drejtori i Bordit Drejtues të Fondit amerikano-shqiptar të Ndërmarrjeve e shprehu mirënjohjen e tij për këtë urdhër të lartë duke dhuruar një pemë molle, e cila u mboll në kopshtin e ndërtesës së Institucionit në përfundim të ceremonisë.