Presidenti Meta: Vota kundër SHBA, takimet me Ramën, shtetësia e Janullatosit, dorëheqja e Visho Ajazit dhe kreu i ri i SHISH

421
“E panevojshme vota kundër SHBA, pse i dhashë shtetësinë Janullatosit”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, flet për votimin e rezolutës në OKB, dekretin për kryepeshkopin dhe zhvillimet politike
Kush jua kërkoi që t’i jepni shtetësinë shqiptare Anastas Janullatosit?
“Absolutisht ishte një bindje e ime e plotë institucionale…”.
Dhe nga ishte krijuar kjo bindje, zoti Meta?
“Për shkak të ligjit për shtetësinë, ku mund të theksoj se Fortlumturia e Tij i plotësonte të gjitha kriteret…”.
Brenda këtij ligji duhet të jetë edhe fakti që ai duhet të flasë shqip,në mos gaboj…?
“Nuk besoj se trajneri ynë shumë i dashur De Biazi flet shqip apo e flet më mirë shqipen se sa Fortlumturia e Tij, për të mos përmendur edhe mjaft raste të tjera. Së dyti mendoj që në këtë mënyrë i kam bërë një shërbim shumë të mirë…”.
Kujt ia keni bërë këtë shërbim?
“Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën Fortlumturia e Tij e ringriti nga hiri i trashëguar nga sistemi komunist dhe është sot një nga kishat më të nderuara në botë…”.

Ka qenë një reagim që ju keni bërë për çështjen e votimit të Shqipërisë në një rezolutë të propozuar nga Egjipti për të “dënuar” SHBA-të për vendimin që ata morën për të transferuar Ambasadën e SHBA-ve në Izrael, nga Tel-Avivi ku ndodhet prej vitesh, drejt Jeruzalemit. Ju jeni shprehur që ky nuk ishte një vendim i drejtë. A mund të ma shpjegoni si duhet të votonte Shqipëria në gjykimin tuaj?
“Kjo çështje u bë mjaft e ndjeshme për opinionin publik ndërkombëtar, botëror, natyrisht edhe shqiptar, sepse vendimi i Presidentit të SHBA-së solli një reagim…”.
…përçau dhe aleatët, SHBA-të me vendet e tjera perëndimore si Gjermania, Franca, Britania, etj.
“…dhe sigurisht solli reagime të forta ku në përgjigje të këtij vendimi sovran të Presidentit të SHBA-së, por dhe në respektim të vendimeve të mëparshme të Kongresit u propozua një rezolutë, e cila synonte të dënonte praktikisht një veprim të tillë. Natyrisht është një çështje delikate. Ne asnjëherë nuk dëshirojmë që aleatët tanë më të rëndësishëm SHBA-ja, BE-ja apo Italia, Greqia, Gjermania, Britania, Franca, Turqia të kenë kundërvënie për çështje të caktuara, sepse kjo na vendos në një pozicion jo shumë komod”.
Megjithatë kësaj here ishim të detyruar të votonim. Si duhet të votonim ne?
“Gjithmonë, mendoj, me përgjegjshmëri dhe me urtësi duhet të ruajmë disa raporte të cilat nuk e cenojnë besueshmërinë tonë në raport me aleatët, në raport me interesat tona, edhe shtetërore edhe kombëtare”. 
Cili ishte interesi ynë? Si duhet të votonim ne në këtë rezolute?
“Unë mendoj se çdo votim tjetër përveçse atij që ka ndodhur do të ishte shumë i pranueshëm”.
Pra, dhe abstenimi dhe votimi kundër rezolutës, pra në favor të SHBA-së.
“Ka pasur tre mundësi për t’u shprehur ndryshe”.
Pro rezolutës, abstenim dhe kundër rezolutës.
“Pro rezolutës, e cila ka të bëjë me një vendim sovran të SHBA-ve, të cilin ato nuk po ia imponojnë askujt tjetër”.
Ministri Bushati është shprehur se Shqipëria ka votuar gjithmonë, që prej vitit 1967 në këtë mënyrë. 
“Nuk dua të hyj në komente, debate për një çështje për të cilin opinioni publik është shumë i qartë, për të cilin është shprehur Presidenti i SHBA-së para votimit, për të cilin është shprehur Ambasadorja e SHBA-së në OKB përpara dhe pas votimit”.
Ju thatë ishin tre mundësi?
“Një mundësi ka qenë abstenimi, pra as për ta dënuar, por as për të dhënë një mbështetje të hapur dhe të qartë për këtë vendim”.
Ka pasur dhe një version të katërt që kanë zhvilluar disa shtete, nuk kanë qenë fare të pranishme në sallë.
“Si Maqedonia fqinje, si Vietnami, si dhe 20 vende të tjera të cilat nuk morën pjesë në votim. Si Bosnja dhe shumë vende të tjera dhe në rajon dhe në Evropë zgjodhën abstenimin. Përderisa u kërkua publikisht një vlerësim, një përqendrim tek ky votim nga Presidenti i SHBA-së dhe Ambasadorja e SHBA-së në OKB dhe përderisa Amerika është në vlerësimin tonë aleati më i rëndësishëm strategjik, atëherë padyshim ka patur disa opsione përveç atij që ndodhi”.
Pra, ju e quani një votim të gabuar?
“Të panevojshëm. Të panevojshëm është më diplomatike, se sa të thuash të gabuar”.
Ndërkohë që Ministri i Jashtëm është shprehur që ju nuk kuptoni nga politika e jashtme, po manipuloni ose nuk e kuptoni mirë se çfarë ka ndodhur realisht. A jeni konsultuar ju me Ministrin e Jashtëm?
“Mos prisni nga unë që të ulem në nivele të tilla, të debateve dhe polemikave. Ky ka qenë një vendim që Ministria e Jashtme mund të jetë konsultuar me këdo, por jo me Institucionin e Presidentit të Republikës. Ka patur një përpjekje përpara votimi nga Drejtori im i Kabinetit meqënëse çështja po bëhej mjaft sensibël në media dhe po afronte dhe ora e votimit për të ditur se si…”.
Për të ditur thjesht për informacion? Apo për t’i kërkuar zyrtarisht nga Presidenca që Shqipëria të mbante një qëndrim të ndryshëm nga ai që mbajti.?
“Për të diskutuar, për të qenë në dijeni…”.
Kryeministri Rama ju kontaktoi për çështje?
“Asnjëherë nuk kam menduar personalisht se mund të ndodhte një votim i tillë në një situatë të tillë kur kërkesat kanë qenë publike të bëra dhe nga Presidenti i SHBA-së dhe nga Ambasadorja e SHBA-së në OKB”.
Pse sipas jush Shqipëria votoi në mënyrë kaq të panevojshme?
“Ne kemi kërkuar sqarime si Institucion i Presidentit. Presim sqarime se cilat kanë qenë argumentet”.
Si mund të lexohet në SHBA kur Presidenti dërgon një letër ku konteston publikisht vendimin e Kryeministrit? A duket një shtet karagjoz ky shtet?
“Një shtet serioz i zgjidh këto çështje përpara se të ndodhin veprime të tilla. E vetmja gjë që unë jam dakord me deklaratat që ka bërë Ministri i Jashtëm është se Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe unë për çdo veprim timin jam i gatshëm të përgjigjem përpara Parlamentit, sepse respektoj Parlamentin dhe vendin tim si një Republikë Parlamentare. Përsa i takon rastit në fjalë, letra ime nuk ka të bëjë thjesht me shqetësimin se vota jonë do t’i sjellë një dëm të madh Amerikës, sepse jam i bindur që nuk i sjell një dëm të madh Amerikës, por ka të bëjë me qartësimin e pozicionit tim si President i Shqipërisë edhe në raport me Amerikën, por s’është kjo kryesore për mua në raport me gjithë qytetarët shqiptarë dhe në raport me të gjithë shqiptarët kudo ku janë, të cilët në tërësi nuk e kanë pritur mirë këtë votim”.
A do të ndëshkojë kjo reforma në drejtësi të pandëshkueshmit?
“Shpresojmë që kjo reformë të realizojë gjithçka është pritur nga qytetarët shqiptarë”.
Çfarë opinion keni ju si President i Republikës për ngjarjet e Parlamentit të para dy javëve? 
“Sigurisht që janë ngjarje të papranueshme në gjithë tërësinë e tyre dhe nënvizoj edhe një herë rëndësinë e dialogut dhe të zbatimit të reformës në mënyrë transparente. Mbi shinat kushtetuese dhe veneciane”.
Kush mban përgjegjësi për kanabizimin e vendit? Është përgjegjësi e thjeshtë e policisë apo shkon përtej saj?
“Unë mendoj që përgjegjësi mbajnë shumë institucione ku padyshim që policia ka rolin kryesor, por ajo që mund të them e që ka bërë një diferencë nga reagimi i institucioneve të vendit, ka qenë Shërbimi Informativ Shtetëror, që ka bërë punën e tij me seriozitet me përkushtim edhe pse jo rrallëherë nën akuzë dhe nën presione. Dhe për këtë arsye unë edhe e kam dekoruar ish-kreun e këtij shërbimi, zoti Visho Ajazi Lika”. 
A jeni ndjerë i zhgënjyer nga dorëheqja e Visho Ajazi Likës?
“Nuk mund të them se jam zhgënjyer. Unë kam detyrë të jap mbështetje për çdo institucion që të funksionojë në mënyrë të pavarur. Pastaj dorëheqja është akt individual, është edhe njerëzor”. 
A jua kishte thënë që do të dorëhiqej?
“Jo, nuk ma kishte thënë këtë gjë”.
A është e vërtetë që ju erdhi kërkesa e dorëheqjes së tij nga z. Rama?
“Kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është që ai ka bërë një punë të mirë për ato vite, sidomos në këtë drejtim, kur institucione të tjera duhet të punonin akoma më shumë për të parandaluar atë fenomen dhe përmasat dramatike që ai mori”. 
Përse ju nuk e keni dekretuar Helidon Bendon në postin e kreut të SHISH-it, megjithëse Kryeministri ua ka dërguar këtë propozim?
“Është e drejtë e Kryeministrit të dërgojë propozime, është e drejtë e Presidentit të marrë vendimet e tij. Unë do të marr një vendim vetëm kur të jem i bindur që ky institucion do të jetë i pavarur dhe ky institucion do t’i japë një dinamikë tjetër luftës kundër krimit të organizuar”. 
Marrë me shkurtime nga emisioni “Opinion” në TV Klan.
Sigal