Presidenti Meta vlerëson rekordmenin e atletikës Sadik Demiraj (pas vdekjes) me Titullin “Mjeshtër i Madh”

526
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi sot gjatë një ceremonie solemne, ku ishin të pranishëm familjarë, kolegë dhe anëtarë të Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi”, rekordmenin e atletikës shqiptare, Sadik Demirajn (pas vdekjes) me Titullin “Mjeshtër i Madh”: “Për kontributin e njohur shumëvjeçar si atlet kampion dhe rekordmen në vite; për rolin e tij si studiues e drejtues i sportit shqiptar, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të sportit në arenën ndërkombëtare”.

Në fjalën e Tij Presidenti Meta vuri në dukje se: “Shembulli i jetës, veprimtarisë dhe rezultateve të Sadik Demirajt, të cilin sot nuk e kemi midis nesh, ka qenë dhe mbetet një shembull sportiv, sidomos për të rinjtë e sotëm dhe atletët e së ardhmes.

Ai ishte një nga atletët më të shquar të sportit shqiptar si dhe një nga pionierët e rekordmenët më të njohur në Shqipëri. Sadik Demiraj mbetet një specialist i fushës së atletikës, i cili gjatë gjithë jetës iu përkushtua këtij sporti të bukur, i palodhur dhe i papërtuar, duke ndihmuar edhe në organizimin e aktiviteteve të veteranëve të atletikës.
Sadik Demiraj ka dalë 14 vjet Kampion Kombëtar, ka shënuar 16 rekorde kombëtare në garat e ecjes sportive dhe vazhdon të mbajë rekordin kombëtar në garat 30km dhe 50km ecje sportive.

Falë punës së palodhur dhe përkushtimit, Sadik Demiraj arriti të jetë në librin e artë të atletikës tonë, duke shkëlqyer në shumë gara kombëtare e ndërkombëtare.

Dëshiroj të theksoj se sporti dhe veçanërisht atletika, me atë çka ajo na ofron është një aktivitet i shëndetshëm, që duhet ta ushtrojmë të gjithë.

Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ që i akordohet sot njërit prej përfaqësuesve më të spikatur të atletikës shqiptare, Sadik Demiraj, është një vlerësim i punës, sakrificave, rezultateve, respektit, miqësisë, thjeshtësisë dhe korrektësisë, që e karakterizonte këtë figurë të sportit shqiptar, vlera të cilat duhet të kthehen në shembull dhe frymëzim për të gjithë sportistët tanë, sidomos për më të rinjtë”, – u shpreh Presidenti i Republikës.