Presidenti Meta viziton Institutin e Nxënësve që Nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi” me rastin e 8 Marsit

550
Presidenti Meta viziton Institutin e Nxënësve që Nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi” me rastin e e 8 Marsit, “Ditës Ndërkombëtare të Grave”
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot Institutin e Nxënësve që Nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi” duke u uruar 8 Marsin, “Ditën Ndërkombëtare të Grave” nënave dhe mësueseve të nxënësve, si dhe duke i falënderuar me mirënjohje në mënyrë të veçantë për përkushtimin dhe përkujdesjen e tyre frymëzuese.
Presidenti Meta u takua dhe u përshëndet me nxënësit e Institutit, nënat e tyre, me Drejtorin Xhemal Xhafa, dhe mësueset të cilave u dhuroi lule duke u shprehur njëkohësisht urimet më të përzemërta në këtë ditë feste.
Presidenti i Republikës vizitoi mjediset dhe klasat ku mësojnë fëmijët, u njoh imtësisht me veprimtarinë e këtij Institucioni të themeluar që në vitin 1963. Gjithashtu Presidenti Meta regjistroi një mesazh prekës në laboratorin e Institucionit duke lexuar një pjesë të zgjedhur nga libri “Zemra” i shkrimtarit italian Edmondo De Amiçis.
Duke iu drejtuar nënave, mësueseve dhe edukatoreve të pranishme, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë e veçantë që është në këtë institut të mrekullueshëm për arsye të misionit të jashtëzakonshëm të tij dhe aq më tepër që jam edhe në një ditë të shtrenjtë për të gjithë ne, në Ditën e Nënës!
“Besoj se të gjitha nënat më të mirat në botë janë më të përkushtuarat në botë për fëmijët e tyre, por nënat e këtyre fëmijëve meritojnë edhe më shumë mirënjohje edhe më shumë dashuri. Pasi në fakt ato edhe japin më shumë dashuri se nënat e tjera, në mënyrë që t’i ndihmojnë t’i mbështesin fëmijët e tyre për të zhvilluar jo vetëm aftësi të zakonshme, por edhe aftësi të jashtëzakonshme sikurse unë kam parë këtu edhe fëmijë të cilët ishin shumë të sigurt në ato farë kishin mësuar edhe të talentuar në fusha të veçanta. Kjo tregon se mundësitë që ata të mos jenë të përjashtuar janë të plota. Mundësitë që të jenë të integruar janë tërësisht reale, por edhe mundësitë për të qenë të jashtëzakonshëm janë këtu dhe gëzojnë mbështetjen e të gjithë ne. 
Një falënderim të veçantë për mësueset dhe të gjithë ekipin pedagogjik, sepse puna e tyre është punë e veçantë, nuk është një punë e zakonshme dhe fakti që këta fëmijë kanë kaq të përqendruar dhe të sigurt në të ardhmen e tyre është një meritë e veçantë e këtij ekipi të shkëlqyer pedagogjik dhe natyrisht mësueset sillen me nxënësit si nëna.” – u shpreh Presidenti Meta.
“Dua t’ju siguroj që do të jem pranë jush në mënyrë të vazhdueshme dhe Presidenca do të jetë një institucion i hapur për të gjithë ju, për fëmijët për stafin për familjet e tyre. Të mendojmë vazhdimisht të bëjmë aktivitete, por edhe të tërheqim vëmendjen jo vetëm të institucioneve shtetërore, të pushtetit vendor, akoma më shumë gëzohem që kanë qenë pranë jush dhe që janë kujdesur në shumë aspekte për të cilat ju keni pasur nevojë, por edhe me donatorët, me të gjithë, pasi ky është një Institut vërtetë model dhe që meriton një mbështetje jo të zakonshme nga të gjithë ne për të ardhmen.” – ishte mesazhi i Presidentit të Republikës.
“Është një shembull shumë i mirë se si me dashuri me profesionalizëm mund të kapërcehen vështirësi që duken të pamundura për t’u lënë pas. Unë pata kënaqësinë të isha edhe në laboratorin ku prodhohen libra bazuar në alfabetin ‘Brail’. Pata kënaqësinë të bëja dhe një regjistrim aty që i mbetet Institutit, por punë kaq profesionale që meriton mirënjohjen tonë më të plotë ju siguroj që do të mbështetet nga unë dhe nga të gjithë më shumë në të ardhmen në mënyrë që nënat e këtyre fëmijëve në radhë të parë të jenë më të shpërblyera në arritjet e fëmijëve për mundin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm që ata kanë treguar, por padyshim edhe mësueset dhe mësuesit të ndihen të lumtur për arritjet e këtyre fëmijëve në të ardhmen. 
Sepse arritjet e tyre janë një arritje për të gjithë shoqërinë dhe janë dhe duhet të jenë një gëzim për të gjithë fëmijët e tjerë të cilët nuk i kanë këto vështirësi dhe të cilët nuk bëjnë përpjekjet e duhura për të shfrytëzuar mundësitë për të arritur nivelet më të larta.
Sepse vetëm përmes dijeve shoqëria jonë do të zhvillohet më shumë dhe ne do të jemi një vend plotësisht evropian. Edhe një herë ju faleminderit për këtë punë që keni bërë por edhe për këtë kënaqësi që unë sot kam përjetuar këtu dhe dua t’ju siguroj që do të jemi në një bashkëpunim të vazhdueshëm edhe të përhershëm gjatë gjithë kësaj kohe! Gëzuar të gjithë nënave dhe mësueseve!” – vuri në dukje Presidenti Meta.
Një etapë e veçantë dhe interesante e vizitës së Presidentit të Republikë ishte edhe koncerte me këngë dhe recitime të interpretuara nga nxënësit e Institucionit, ku mori pjesë dhe aktori i njohur i humorit, Bes Kallaku.
Mesazhi që Presidenti Meta rregjistroi audio në laboratorin e fëmijëve që nuk shikojnë:

Libri “Zemra” e Edmondo De Amiçis

Nëna ime
..Kur të bëhesh burrë i pjekur e i rrahur nga dallgët e jetës, sa e sa herë, o Erik, do ta thërrasësh nënën tënde me mall e me brengë në shpirt, vetëm e vetëm që t’ia dëgjosh edhe njëherë zërin, që ta shikosh edhe njëherë kur të të hapë krahët, e ta pushtosh duke qarë me ngashërim si ndonjë fëmijë i mjerë, që nuk ka asnjë mbrojtje e ngushëllim.
…Ta dish, o Eriku im, se dashuria e nënës është dashuria më e shtrenjtë në botë, e mjerë ai që e shkel.
…Kurrë mos nxirr më prej goje ndonjë fjalë të ashpër për atë që të dha jetën
Sigal