Sigal

Presidenti Meta uron Presidentin e SHBA-ve Donald Trump me rastin e 242-vjetorit të Ditës së Pavarësisë

I nderuar Zoti President,

Me rastin e 242-vjetorit të Ditës së Pavarësisë, dëshiroj t’Ju përcjell në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të sinqerta e të përzemërta. Në këtë festë kuptimplotë ju dëshirojmë Juve personalisht dhe të gjithë amerikanëve kudo që ndodhen, suksese, paqe dhe begati.

Çdo shqiptar beson fort në aleancën solide që qëndron mes dy vendeve tona, bazuar mbi themelet historike të bashkëpunimit dhe miqësisë së vërtetë. Si President i vendit, Ju siguroj për angazhimin e palëkundur në forcimin e këtij partneriteti bazuar mbi parimet e përbashkëta që mbajnë të lidhura fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërinë.

Duke ju falënderuar, Zoti President, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit tim, dua të theksoj rëndësinë që ka rritja e prezencës së ShBA-ve në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, si faktor kyç për paqen, stabilitetin dhe sigurinë.

Ne jemi të gatshëm për forcimin e mëtejshëm të Partneritetit dypalësh Strategjik në fushën e Sigurisë dhe në NATO, dhe besoj se nën drejtimin Tuaj ne do ti forcojmë këto lidhje dhe zgjerojmë më tej bashkëpunimin, në dobi të lirisë dhe begatisë së vendeve tona, dhe më gjerë.

Shqipëria do të qëndrojë në solidaritet me ShBA, dhe me modesti por vendosmërisht, do t’i bashkohet përpjekjeve Tuaja në forumet shumëpalëshe për t’i dhënë mundësi të reja paqes në botë.

Me kënaqësi të veçantë, dua të uroj nëpërmjet Jush, komunitetin shqiptaro-amerikan që jeton në ShBA, të cilët përfaqësojnë një nyje historike të shkëlqyer dhe na lidhin drejt një të ardhmeje më premtuese për kombet tona.

Urime edhe një herë në Ditën e Pavarësisë së ShBA dhe përshëndetjet më të mira për Ju, familjen Tuaj dhe popullin e madh amerikan. Lutem pranoni, Zoti President, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.

Ilir Meta