Presidenti Meta uron Festën e 7 Marsit nga Korça: Të nderojmë të gjitha sakrificat që bëjnë mësuesit  që  rinia jonë të mos ta braktisin Atdheun

282
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta uroi nga qyteti i Korçës 7 Marsin, Festën e Mësuesit, që përkon me 114-vjetorin e hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe.

Me këtë rast, Kreu i Shtetit dekoroi në ceremoninë solemne që u mbajt në teatrin “Andon Zako Çajupi” disa mësues dhe pedagogë të shquar korçarë, të cilët me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre të jashtëzakonshëm kanë mëkuar me gjuhën amtare shqipe dhe kanë edukuar në lëndë të tjera dhjetëra breza nxënësish dhe mësuesish të aftë e të dalluar.

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Presidenti Meta dekoroi pas vdekjes
Pandi Spiro Cicin “Në vlerësim të jetës dhe veprës prej mësuesi të dalluar e të përkushtuar, si dhe me mirënjohje për kontributin e vyer në çeljen e disa shkollave pedagogjike në Shqipëri, duke mëkuar me dije dhe përgatitur profesionalisht qindra mësuesve të rinj”;

Vangjush Gaqi Tushin “Me mirënjohje ndaj kontributit të shquar në fushën e artit figurativ, pjesëmarrjes dhe përgatitjes me dashuri e pasion të qindra mësuesve, si dhe qëndrimit të tij stoik prej qëndrestari në fushën e artit, duke paguar edhe çmimin më sublim: humbjen e jetës në burgjet e diktaturës.”;

Kostaq Osmalliun “Për veprën e shquar në fushën pedagogjike, në zbulimin e përgatitjen e shumë talenteve të reja në fushën e muzikës, si dhe kontributin e veçantë në gjallërimin e jetës muzikore të qytetit të Korçës. Nën drejtimin e tij shumëvjeçar, Kori ‘LIRA’ u shndërrua përfundimisht në një vlerë të veçantë kombëtare në fushën e muzikës”.

Me Titullin “Mjeshtër i Madh” u çmuan nga Kreu i Shtetit, pas vdekjes,
Virgjini Pepo “Me mirënjohje të thellë ndaj qëndrimit të palëkundur antifashist, duke provuar burgjet e fashizmit, si dhe kontributin e çmuar në fushën e arsimit për shumë vite. Merita e saj është se me pasionin e pashtershëm zbuloi, kultivoi dhe përgatiti shumë talente të shfaqura në fushën e artit, kulturës dhe të letërsisë”;

Theodhori Qirici “Në vlerësim të veprimtarisë së gjatë e të pandërprerë për shumë vite me radhë në disa shkolla, duke përgatitur me përkushtim dhjetëra breza nxënësish e mësuesish të shquar në fushën e matematikës”;

Skënder Mina Stefanllari “Për kontributin e tij të vyer shumëvjeçar në dhënien e gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe në zbulimin dhe nxitjen e shumë talenteve të reja, të cilët do të ishin më vonë poetët, shkrimtarët dhe gazetarët e ardhshëm që krijuan vepra me vlerë në rang kombëtar”;

Trajan Veriga “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh si mësues në edukimin e të rinjve dhe të rejave nëpërmjet edukimit fizik dhe sportit në qytetin e Korçës. Me mirënjohje futbollistit të fuqishëm dhe korrekt të ‘Skënderbeut’, i cili përballoi me kurajë dhe patriotizëm vështirësitë e kohës.”;

Kosta Koça “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh në zhvillimin e edukimit fizik dhe futbollit në qytetin e Korçës, si një nga mësuesit e përkushtuar, i cili kultivoi te nxënësit e tij, dëshirën për t’u marrë me sport. Një futbollist i spikatur, një sulmues i shpejtë dhe i sukseshëm i ekipit ‘Skënderbeu’, i respektuar dhe i dashur nga të gjithë.”;

Thimaq Fundo “Në vlerësim dhe me mirënjohje për kontributin e gjatë në fushën e arsimit si mësimdhënës i përkushtuar dhe edukues frymëzues, duke dhënë lëndën e matematikës me inovacione metodike-shkencore si dhe duke ngritur për herë të parë kabinetet përkatëse mësimore.”

Sotir Temo “Me mirënjohje ndaj kontributit të veçantë shumëvjeçar në fushën e pedagogjisë, si në mësimdhënie, në drejtim të institucioneve të larta shkencore, në përgatitjen e botimin e disa veprave me vlera të larta shkencore, i njohur dhe i vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare”.

Ndërsa me Titullin “Naim Frashëri” u vlerësuan pas vdekjes
Gaqo Opingari “Me mirënjohje ndaj qëndrimit të tij të palëkundur antifashist, si pionier debatikas dhe kontributin e madh në fushën e arsimit, si mësimdhënës dhe hartues tekstesh të lëndës së gjeografisë”;

Zonja Tefta Nastas Zguro “Me mirënjohje ndaj vlerave dhe kontributit të gjatë e të frytshmë në arsim, si dhe për rezultatet e larta në fushën e sportit, veçanërisht në sportin e alpinizmit.”

si dhe zotin Robert Koli Morçka “Për kontributin e gjatë në fushën e arsimit, si mësimdhënës dhe njëherësh si drejtues shkollash, duke përgatitur një numër të konsiderueshëm mësuesish, të cilët shërbyen me përkushtim në disa rrethe nga më të largëtit e të vështirët të vendit tonë”.

Në fjalën e Tij të mbajtur në prani të të dekoruarve, familjarëve të tyre, kolegëve, arsimtarëve, personaliteteve të artit e kulturës dhe autoriteteve vendore të arsimit e të kulturës, Presidenti i Republikës u  shpreh: “

‘O vëllezër shqiptarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë,
na sjell gjithë mirësitë.

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua!’

Janë edhe më aktuale sot këto vargje të fuqishme të poetit tonë kombëtar për atë akt të jashtëzakonshëm që bënë rilindasit tanë, që bëri Pandeli Sotiri e shumë e shumë të tjerë pikërisht për t’i dhënë dritën e për t’i sjellë mirësi kombit tonë, për ta zgjuar, për ta ngritur në këmbë, për ta bërë të pavarur.

Padyshim që për mua ishte një detyrim që sot të isha pikërisht këtu në Korçë, në djepin e Rilindjes sonë Kombëtare, të arsimit dhe të kulturës sonë.

Sot kujtojmë me një nderim të jashtëzakonshëm Pandeli Sotirin, Naum Veqilharxhin, Konstandin Kristoforidhin, Zef Jubanin, Jeronim De Radën, Thimi Mitkon, vëllezërit Frashëri, Pashko Vasën, të gjithë Qiriazët e jashtëzakonshëm të Rilindjes sonë Kombëtare, At Gjergj Fishtën e shumë e shumë personalitete të tjerë, të cilët me vizionin dhe patriotizmin e tyre, por edhe me sakrificat e tyre më sublime, na dhanë gjuhën shqipe e na dhanë arsimit tonë.

Jemi sot t’u shprehim mirënjohjen e thellë të gjithë mësuesve, edukatorëve, pedagogëve dhe profesorëve, të cilët punojnë edhe sot, edhe pse në kushte të vështira, me shumëpërkushtim dhe shërbejnë si modele të shkëlqyera për fëmijët dhe rininë tonë, në mënyrë që të kemi një të ardhme më të ndritur.

Kujtojmë plejadën e mësuesve në pension, të cilët me dekada të tëra ia kushtuan jetën edukimit të brezit të ri.

Profesioni i mësuesit është shumë fisnik dhe këtë nuk e them vetëm si President i Republikës, por edhe si fëmijë e dy prindërve mësues. Roli dhe figura e mësuesit janë thelbësore për edukimin e brezit të ri dhe për gjithë zhvillimin e shoqërisë sonë, përmes një edukimi sa më cilësor, sa më bashkëkohor por edhe sa patriotik.

Shpreh sot në këtë ditë, mirënjohjen e thellë për përkushtimin që tregojnë mësuesit, në të gjithë vendin, edhe pse jemi në situatën e vështirë për shkak të pandemisë.

Të gjithë mësuesit tanë, dhe sidomos ata në zonat rurale, meritojnë mbështetjen një mbështetje akoma më të madhe, sidomos për sa i takon teknologjisë dhe infrastrukturës digjitale.

Mësuesit kanë rritur breza plot talent dhe inteligjencë, por për fat të keq shumë prej tyre kanë qenë të detyrur të largohen nga vendi, dhe këtë e ndiejmë çdo ditë, e ndieni edhe ju për sa i takon auditorëve në statistikat e të gjitha niveleve.

Ndaj duhet të bëjmë më shumë që rinia jonë, e edukuar më së miri nga mësuesit tanë, me dashuri për dijen por mbi të gjitha për atdheun, ta ndërtojë këtu të ardhmen e saj, në vendin tonë të mrekullueshëm.

Në këtë vend, që ka nxjerrë nga gjiri i tij figura të jashtëzakonshme siç ishin themeluesit e Shkollës së Parë Shqipe, e deri tek njerëzit e përkushtuar, me pasion të thellë për edukimin e brezave të ri, siç janë edhe mësuesit e pedagogët, që ne do të nderojmë sot, një pjesë e të cilëve nuk jeton.

Ne jemi sot këtu për të nderuar të gjitha sakrificat që bëjnë mësuesit e thjeshtë në të gjithë Shqipërinë, dhe vetëm pak muaj më parë ishim në Devoll për të nderuar një heroinë të heshtur e cila rrezikoi jetën e saj, e dha jetën e saj dhe e humbi atë duke u përpjekur për të qenë në krye të detyrës atje ku e prisnin nxënësit.

Kemi kaq shumë mësues të thjeshtë që sakrifikojnë, pavarësisht vështirësive me të cilat ndeshen dhe nuk ndalen në misionin e tyre të edukimit të fëmijëve tanë.
Pa asnjë diskutim që sot është një ditë e jashtëzakonshme për të kujtuar edhe Petro Nini Luarasin, i cili ndoqi rrugën e Pandeli Sotirit që edhe ai e pagoi me jetën e tij atë akt të jashtëzakonshëm patriotik që bërë me hapjen e Mësonjëtores së parë këtu, dhe Petro Nini, i cili ishte i vetëdijshëm për pasojat që do të kishte, por la një amanet: Ma mblidhni gjakun që të shkruajnë fëmijët gjuhën shqipe!

Ky është shpirti i patriotizmit që duhet të na frymëzojë të gjithëve, në mënyrë që jo vetëm gjuha shqipe të jetë gjithmonë e fortë dhe të jemi krenarë për të, por kombi ynë të jetë gjithmonë i tillë dhe unë kam besim të plotë se me ndihmën e të gjithë mësuesve e pedagogëve ne do t’ia arrijmë. Por është shumë e rëndësishme që të përqendrohemi sa më shumë në edukimin atdhetar dhe patriotik të të gjitha gjeneratave e sidomos të fëmijëve që në vegjëli.

Ka kaq shumë personalitete në Korçë si dhe në të gjithë këtë trevë për të vlerësuar, por ne në bashkëpunim me disa institucione dhe me shoqërinë civile, përzgjodhëm disa prej tyre.

Duke ju uruar gjithë të mirat familjeve tuaja dhe një përqafim të gjithë mësuesve dhe mësuesve të gjithë kësaj treve, e cila ka qenë edhe treva kryesore bashkë me Manastirin e Rilindjes sonë Kombëtare, kam edhe një mesazh: Të ruajmë gjuhën tonë shqipe nga degradimi dhe të bëjmë gjithçka për edukimin patriotik të rinisë.

Ju faleminderit dhe Gëzuar!”