Presidenti Meta thirrje qytetarëve: Respektoni udhëzimet publike për masat anti-Covid-19

311
Sigal

Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet publike për masat anti-Covid-19. Meta është I referuar në mesazhin e tij edhe shqetësimit të përfaqësueses të OBSH në Shqipëri, e cila ka theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve, për ruajtjen e distancës fizike dhe mbajtjes së maskave. Duke ndarë të njëjtat shqetësime me përfaqësuesen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, theksoj rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të bëra publike, për ruajtjen e distancave fizike dhe mbajtjes së maskave. Shtimi i rasteve të qytetarëve të prekur nga pandemia COVID-19, veçanërisht numrit të viktimave, shtron si domosdoshmëri jetike rritjen e masave mbrojtëse, frymës së bashkëpunimit dhe mbështetjes së sektorit të shëndetësisë me buxhetin e duhur, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik. Tepër i nevojshëm është bashkëpunimi i ngushtë me të gjitha vendet fqinje për marrjen e masave për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të pandemisë, me qëllim rihapjen sa më parë të kufijve tokësorë. Përballimi me sukses i COVID-19 duhet të jetë një objektiv madhor për të gjithë! Çdo neglizhencë në këtë prioritet ka kosto shumë të rëndë: jetën e qytetarëve tanë.