Presidenti Meta: Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i njohur dhe i pranuar tashmë

546
Sigal

Dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes e stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin evropian të të dy vendeve. Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste, nuk sjell dobi. E kaluara historike e Ballkanit është fatkeqësisht e lidhur me ndryshime kufijsh, spastrim etnik dhe shpërngulje të dhunshme të popullsive të cilat janë shoqëruar me probleme të mëdha, armiqësi, luftëra e urrejtje. Marrëveshja që mendohet të arrihet sot mes palëve është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive, të ndihmojë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë dhe të shërojë ndjenjën e urrejtjes të mbjellë nga e kaluara dhe historia. Është jetike që jo vetëm të mos rikthehen më kurrë pamje të shpërnguljes ose lëvizjes me dhunë të familjeve, qofshin këto serbe apo shqiptare, por edhe asnjë familje e vetme nuk duhet të mendojë shpërnguljen për shkak të pasigurisë që sjell debati i ndryshimit të kufijve. Shqipëria gjithmonë ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA dhe përfundimi i këtij dialogu duhet ta bëjë rajonin më të qetë dhe qytetarët tanë më të sigurt për të ardhmen e tyre. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i njohur dhe i pranuar tashmë nga një shumicë bindëse e vendeve anëtare të OKB-së. Kosova është sot anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe rajonale. Ajo është futur në një proces asociimi të Bashkimit Evropian dhe qytetarët e saj janë në pritje të lajmit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj në vendet e Bashkimit Evropian. Çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve, jo vetëm do të cenonte stabilitetin e rajonit por do të vinte në rrezik edhe frymën dhe parimet e BE-së për të cilat ajo është investuar nga themelimi i saj deri sot.