Presidenti Meta sfidon me Kushtetutë në dorë: Më thoni nenin që kam shkelur

541
Sigal

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempora” në Ora News, presidenti i Republikës Ilir Meta ka prekur disa prej temave më të nxehta të aktualitetit politik në vend, ndërsa çdo akuze apo pretendimi të kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës që ai drejton i është përgjigjur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Sipas kreut të shtetit, Kushtetuta është baza e shtetit. Është baza e çdo ligji dhe është burimi i çdo legjislacioni.

PJESË NGA INTERVISTA:

Gazetarja: Ka pasur lajme të herëpashershme do të vijë marsi, peshku i madh…

Presidenti Meta: Më falni, me qetësi tani! Iku ai, u bënë dy vjet që mbushi mandatin, që kur iku.

Gazetarja: Zoti Lu.

Presidenti Meta: Jo, jo, flas për ish-prokurorin e Përgjithshëm.

Gazetarja: Ah, po thoni për zotin Llalla!

Presidenti Meta: U zgjodh Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm. U zgjodh nga zoti Rama dhe nga dy ambasadorët, të cilët u përqafuan për këtë Kushtetutë që kam unë këtu, jo për atë të 69 votave dhe të “Ramaformës” që kanë sot shqiptarët. Kjo është Kushtetuta që ka bërë Komisioni i Venecias, institucioni më i rëndësishëm dhe më i besueshëm në Europë për çështjet kushtetuese dhe gjithmonë i gjithëpranuar edhe në Shqipëri, edhe kudo, në të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës. Dhe tani mund të bëj nja dy pyetje të vogla?

Gazetarja: Mua?

Presidenti Meta: Po. Përmes jush edhe të gjithë qytetarëve. Në qoftë se ka mundësi?

Gazetarja:Patjetër. Për transparencë të plotë zoti President.

Presidenti Meta: Sepse e dija që do të vinit edhe te këto pyetje, edhe te këto shqetësime. Tani këtu kemi edhe prokurorinë në kushte normale siç gjendet edhe te kjo Kushtetutë, që është votuar me 140 vota. Edhe me Komsionin e Venecias që ka pasur një vëmendje të veçantë për moskapjen e institucioneve të reja të drejtësisë të Prokurorisë së Përgjithshme, të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë…

Gazetarja: Dhe sidomos ka pasur një kujdes të veçantë edhe për vettingun.

Presidenti Meta: Po, edhe për vettingun, patjetër. Dhe këtu thotë, në kushtet normale pra, që Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 84 vota. Tani këtu kemi, te dispozitat kalimtare, të hap Kushtetutën.

Gazetarja: Po, sigurisht.

Presidenti Meta: Thotë që deri në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, pra 1 shtatori ishte afati kur skandonte parlamenti i vjetër…

Gazetarja: Dhe fillonte punën i riu.

Presidenti Meta: …kur ish-mazhoranca Rama-Meta kishte mbi 84 vota, por jo dy të tretat, dhe fillonte pastaj parlamenti i ri, pas zgjedhjeve të reja të përgjithshme. Pra thotë se deri më 1 shtator, zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë – që nuk është zgjedhur ende as sot, – dhe e Prokurorit të Përgjithshëm, do të bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit. Është Kushtetuta kjo!

Gazetarja: Po!

Presidenti Meta: Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se kjo reformë, e votuar me 140 vota për të cilën Komisioni i Venecias… i mbani mend ata profesorë që vinin me çanta këtu e andej apo jo?

Gazetarja: Sigurisht! Sigurisht!

Presidenti Meta: …që bën një punë të shkëlqyer, të jashtëzakonshme. Kjo që në momentin kur Prokurori i Përgjithshëm u zgjodh me 69 vota, jashtë çdo standardi…

Gazetarja: Por me këshillimin nga EURALIUS-i.

Presidenti Meta: Këtë me EURALIUS-in e bëmë.

Gazetarja: Po, por ajo Kushtetutë nënkuptonte se ka vullnet politik për të shkuar, por kur mungon vullneti politik…,

Presidenti Meta: Si mungon vullneti politik…?!

Gazetarja: …i vonon afatet, bllokon procesin…

Presidenti Meta: Cilat afate? Ku thuhet kjo?

Gazetarja: …si nxirret nga kolapsi?

Presidenti Meta: Ma gjej! Kam një pyetje, jo për ju, as për juristët. Kam një pyetje për të gjithë ata që mendojnë se nuk kanë asnjë njohuri juridike. Ka që i dinë të gjitha. Kushtetuta është baza e shtetit. Është baza e çdo ligji dhe është burimi i çdo legjislacioni.

Gazetarja: Themeli i shtetit.

Presidenti Meta: Themeli. Më gjeni një vend ku flet për prokuror…?

Gazetarja: Nuk ka. E kam lexuar.

Presidenti Meta: …ku flitet për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm? Atëhere si mund të dalë një ligj i njëanshëm, mbi një kushtetutë të votuar sipas Komisionit të Venecias, me konsensus nga 140 deputetë, dhe të mos harrojmë që deputetët e Partisë Socialiste në atë kohë, po të mos llogarisim LSI-në dhe Partinë Demokratike, kishin pakicën, sepse 64 mandate kishin, dhe pastaj, pas pak kohe të dalin, të bëjnë një ligj mbi Kushtetutën, dhe të shpikin një term të ri dhe të bëjnë një zgjedhje të re.

Gazetarja: Po në rast se nuk zgjidhej Prokurori i Përgjithshëm?

Presidenti Meta: Po pse mos ta bënin me 84 vota?

Gazetarja: Për shkak të bllokimit. Nuk i kishin.

Presidenti Meta: Kush tha? Sepse donin të vinin patjetër një njeri jashtë çdo procesi, jashtë çdo standardi. Dhe Komisioni i Venecias këtë kishte parashikuar. Dhe prandaj thamë se Prokurori i Përgjithshëm nuk duhet të zgjidhet pa dy të tretat para zgjedhjeve, sepse Rama-Meta kishin mbi 84 vota. Ah, pas zgjedhjeve! Po, nëse populli shqiptar votonte dhe nxirrte një shumicë me 84, por kjo është një tjetër çështje.

Gazetarja: Po pra, po, por duke menduar se një shumicë që ka vullnet për ta bërë…

Presidenti Meta: Kjo nuk ndodhi! Kjo gjë nuk ndodhi! Vullnet politik për të respektuar Kushtetutën apo vullnet politik për të kapur çdo pushtet me Kushtetutën?

Gazetarja: Po vullneti politik që i bllokon institucionet?

Presidenti Meta: Ja pra kjo i ka bllokuar të gjitha gjërat!

Pyetja e dytë: Më gjeni një institucion nga këta që janë parashikuar këtu me afate, se prapë këto afate janë bërë me EURALIUS-in, me OPDAT-in, me Komisionin e Venecias, me të gjithë – më gjeni një institucion që është ngritur në kohë dhe brenda afateve kushtetuese në Republikën e Shqipërisë?

Gazetarja: Kush i ka bllokuar?

Presidenti Meta: Tani kalojmë këtu?

Gazetarja: Sepse ajo nënkupton se në qoftë se kalojmë në një Kushtetutë të re, në një reformë të re, edhe vullneti do të jetë i ri.

Presidenti Meta: Dakord!

Gazetarja: Boll me vullnetet politike bllokuese! Kush i bllokon?

Presidenti Meta: Atëhere, kam një pyetje: Unë kam qenë në dy zyrat më të larta të shtetit gjatë gjithë kësaj periudhe, gjatë gjithë këtyre pesë viteve që kemi bërë reformën. Se reforma nuk është tre vite. Reforma filloi dy vite përpara. Çfarë ishte? Presion ishte: mbi prokurorët, mbi gjyqtarët. Le të mos harrojmë që në vitin 2016, kur ishte kulmi i reformës, ishte edhe kulmi i gjelbërimit të Shqipërisë me kanabis apo jo? Apo jo?

Gazetarja: Po.

Presidenti Meta: Atëhere kam një pyetje tjetër unë për…

Gazetarja: Vonesat e ngritjes së institucioneve.

Presidenti Meta: Unë kam qenë kryetari i Kuvendit dhe prej andej kam ardhur në këtë zyrë, që është zyra më e lartë e shtetit shqiptar. Kush ka marrë një inciativë për të respektuar afatet kushtetuese dhe ka kërkuar ndihmën e Kryetarit të Kuvendit apo ndihmën e Presidentit të Republikës më vonë? Dhe si shpjegohet që të gjitha përpjekjet e ish-kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, që nga përpjekja e jashtëzakonshme për të ngritur KED-në (Komisionin e Emërimeve në Drejtësi) në kohë në janar të vitit 2017; përpjekja tjetër si President këtu, duke e kërkuar edhe me letra zyrtare, me shkrim, se nuk dua të hyjnë këto çështje, me Delegacionin Europian, me ambasadoren e asaj kohe, me EURALIUS-in,…

Gazetarja: E keni sqaruar në një status të gjatë në Facebook.

Presidenti Meta: Por nuk jemi sqaruar, jo! Si shpjegohet që të gjitha këto përpjekje nuk kanë gjetur një vullnet nga aktorët e tjerë në mënyrë që KED-ja të ishte bërë që në 2017-n, të ishte bërë edhe në 2018-n, dhe ne sot mund të kishim një vend bosh, vakant në Gjykatën Kushtetuese, por nuk mund të ishim pa as një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, sepse edhe ajo zonja që është…

Gazetarja: A mund t’ua jap unë përgjigjen, zoti President?

Presidenti Meta: …e ka mbaruar mandatin para disa vitesh. Po, ma jepni përgjigjen!

Gazetarja: E kam. E ndjekim. Është Etilda Gjonaj që i përgjigjet kësaj gjëje. (Insert i përgjigjes së ministres së Drejtësisë)

Presidenti Meta: Më duket krejt absurde që të merrem me gënjeshtra kaq banale

Gazetarja: Është ministrja e Drejtësisë.

Presidenti Meta: Gënjeshtra kaq banale pasi mund t’ju vë në dispozicion letrën publike që unë i kam dërguar në postin e Presidentit ambasadores së Bashkimit Europian dhe EURALIUS-it, ku pikërisht duke treguar vullnetin tim për të hedhur shortin për KED-në si President, i kam bërë të qartë se këtu ka disa probleme, që ne duhet të takoheshim që në fillim të nëntorit, që t’i zgjidhim. Duke pasur parasysh përse dështoi KED-ja e një viti më parë ku unë përsëri e hodha shortin si kryetar i Kuvendit dhe dihet ajo, se është sqaruar se kush e eliminoi. Dhe ky takim është bërë. Unë kam shprehur vullnetin për të hedhur shortin, por para se të hidhnim shortin, duhet të bënim takime me të gjithë drejtuesit e institucioneve: me kryetarin e Kuvendit, me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, me përfaqësuesit e Prokurorisë dhe të gjithë institucionet që kanë të drejtë të propozojnë në KED, në mënyrë që të evitonim debatet se jo ky institucion i ka respektuar kriteret sipas Kushtetutës, sipas ligjit, jo ky nuk i ka respektuar, sepse kuptohet që Presidenti i Republikës është një institucion, i cili çdo detyrë duhet ta përmbushë me shumë përgjegjësi dhe larg kontestimeve apo debateve që krijojnë probleme. Situata ka qenë ekstra…

Gazetarja: Vakancat?

Presidenti Meta: Situata ka qenë ekstra ligjore. Siç gënjen për këtë gënjen edhe për të gjitha. Ky takim është kërkuar nga unë. Hera e parë ndoshta, që është kërkuar nga përfaqësuesi i një institucioni shtetëror dhe ky është institucioni më i lartë, një konsultë. I është kërkuar zyrtarisht Delegacionit të Komisionit Europian këtu. I është kërkuar zyrtarisht EURALIUS-it. Qëllimi ka qenë për të parandaluar bllokimin e KED-së dhe krijimin e kontestimeve. Një ditë përpara se ky takim të bëhej, EURALIUS-i që kishte punë me stafin tim dhe kishim rënë dakord dhe ndanim të njëjtat pikëpamje, e ka anuluar pjesëmarrjen. Atëhere çfarë do të bëja unë? Do të hidhja një short që të fillonin prapë debatet midis përfaqësuesve të PD-së dhe atyre të PS-së? Unë atëhere bëra menjëherë një letër për kryetarin e Kuvendit. Për dijeni edhe për Bashkimin Europian, edhe për ambasadën e Shteteve të Bashkuara, edhe për misionet e tyre…

Gazetarja: Cili qe reagimi?

Presidenti Meta: Jua jap unë të gjitha dokumentet.

Gazetarja: Shkurt.

Presidenti Meta: U kam thënë që duke pasur parasysh këtë situatë, ju lutem shortin po ua kaloj juve pasi situata është e tillë dhe ju jeni organi, i cili mund të bëjë interpretimin më të mirë edhe të Kushtetutës, edhe të legjilacionit.

Gazetarja: Cili institucion mund ta bënte këtë?

Presidenti Meta: Kuvendi.

Gazetarja: Dhe cila qe përgjigja?

Presidenti Meta: Përgjigja ishte se mund të bllokohej përsëri KED-ja. Mund t’i  referoheni postimit që kam bërë…

Gazetarja: Po, deklaratës së zotit Ulsi Manja.

Presidenti Meta: Jo, e keni në Facebook. Shikojeni!

Gazetarja: Po, deklaratën e zotit Rama dhe atë të zotit Manja.

Presidenti Meta: Po, shikojini të gjitha.

Gazetarja: Po ndërkombëtarët? Ju thoni që u keni dërguar letër për këtë arsye se përse ju nuk e hidhnit shortin, si dhe pse e dërgonit këtë kompetencë në institucionin e Kuvendit.

Presidenti Meta: Sepse në qoftë se unë do ta ushtroja…

Gazetarja: Cila qe përgjigja e ndërkombëtarëve? Më intereson. Ju ka ardhur përgjigje për këtë gjë?

Presidenti Meta: Po përgjigja dihet: U mbyll telefoni, morën porosi politike. Tani ata mision teknik janë, çfarë do të bëjnë ata të shkretët?! Dikush do të firmosë për lekët që ata marrin këtu!

Gazetarja: Ju e keni të gjithë dokumentacionin?

Presidenti Meta: Nuk jam unë që firmos për këtë gjë.

Gazetarja: Më falni zoti Meta, a e keni të gjithë dokumentacionin?

Presidenti Meta: Po patjetër!

Gazetarja: E letrave dërguar ndërkombëtarëve për pamundësinë tuaj të hedhjes së shortit?

Presidenti Meta: I kam unë të gjitha.

Gazetarja: …dhe delegimit të kësaj kompetence në Kuvend, sepse parashikohet ose Presidenti, ose Kuvendi. Dy janë institucionet.

Presidenti Meta: I kam të gjitha letrat, sepse unë për çështjet e shtetit punoj me shumë përgjegjshmëri dhe me shumë seriozitet. I kam të gjitha letrat, edhe përpara reformës, edhe me ambasadën amerikane, edhe me atë të Bashkimit Europian. Çdo gjë është e dokumentuar. Përgjegjësia ime gjithmonë ka qenë maksimale dhe për fat të keq, aktorët e tjerë kanë përgjegjësitë e tyre në lidhje me këtë situatë ku ne jemi sot. Me këtë situatë të reformës, që nga reformë e kemi kthyer në një “Ramaformë”.

Gazetarja: Kur u bë “Ramformë”? Kur u bë?

Presidenti Meta: U bë ajo që kur shkelën të gjitha afatet kushtetuese, një. Që kur u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm me 69 vota. Ma gjeni në Kushtetutë Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm?! Ma gjeni këtu?

Gazetarja: Ju keni dëgjuar…? Nuk e gjej dot. Unë e di që edhe këshillimi për këtë arsye është bërë.

Presidenti Meta: Një javë, duke kuptuar këto lojërat, të cilat nuk janë të mira dhe i sjellin kaq pasoja vendit, këtu kam qenë me Presidentin e Malit të Zi në vizitë zyrtare. Shikojeni se i keni kronikat dhe kam thënë: Lidhur me çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, i ftoj palët që të fillojnë dialogun për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm sipas standardeve dhe në frymën e Kushtetutës. Se cilat ishin standardet dhe se cila ishte fryma e Kushtetutës, besoj se mund ta gjeni në ndonjë kushtetutë tjetër, por jo në këtë Kushtetutë të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë më 21-22 korrik me 140 vota dhe që u firmos pas votimit nga unë. Dhe ishte kushtetutë e bërë me Komisionin e Venecias, ishte kushtetutë e bërë me amerikanët, ishte kushtetutë e bërë me europianët.

Gazetarja: T’ju kujtoj diçka zoti Meta, sepse ju përveç se kreu i Shtetit, jeni një politikan me shumë përvojë. Jeni le të themi, i lindur politikisht me pluralizimin shqiptar apo jo?

Presidenti Meta: Diçka e tillë.

Gazetarja: Diçka e tillë. Në rast se…

Presidenti Meta: Ndaj edhe është detyra ime ta mbroj pluralizimin, përveç anës institucionale.

Gazetarja: Uroj me shpirt që të ndodhë kjo gjë! Në një vend ku nuk ka Gjykatë Kushtetuese, Presidenti i Republikës është garanti i fundit i kësaj gjëje. Në rast se nuk do të kishte qenë kandidatura e zonjës Marku, ju mendoni se në Parlament do të kishte qenë një konsensus më i gjerë?

Presidenti Meta: Së pari unë nuk mendoj…

Gazetarja: Apo është gjetur alibia për të bllokuar zgjedhjen me sukses të Prokurorit të Përgjithshëm?

Presidenti Meta: Nuk mendoj se kjo është një çështje e zonjë Marku apo e zonjës Meçe, po themi, sepse dua të evitoj gjëra të tilla.

Gazetarja: Emrash të përveçëm.

Presidenti Meta: …sepse edhe unë po të isha zgjedhur në atë mënyrë, do ta kisha shumë të vështirë ta bëja punën time në pavarësi të plotë. Edhe po të isha zgjedhur për shembull President i  Republikës me 65 vota, nuk do të isha dot në këtë pozitë që kur ka një problem qeveria me interesin shtetëror apo me interesin publik, t’ia kthej. Unë ia kthej, sepse jam zgjedhur konform të gjitha rregullave dhe ligjeve në Republikën e Shqipërisë. Faleminderoj Partinë Socialiste dhe të gjithë deputetët që më zgjodhën President, por më kanë zgjedhur në mënyrën më të ligjshme dhe më kushtetuese që unë të respektoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, mbi të cilën kam vënë dorën. Dhe unë dorën e kam vënë mbi këtë Kushtetutë, që është edhe kushtetuta e 21-22 korrikut. Në rast se unë kam shkelur këtë Kushtetutë, jo shkelje të rëndë, por edhe shkeljen më të lehtë, unë mbaj çdo lloj përgjegjësie.