Presidenti Meta pret një përfaqësi të Aleancës Kosovare të Bizneseve: Qeveritë të marrin masa për vijimësinë e bashkëpunimit ekonomik

238
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur në një takim një përfaqësi të Aleancës Kosovare të Bizneseve, ku ka diskutuar mbi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik të sipërmarrjeve në nivel kombëtar.

Në takim është theksuar rënia në mënyrë drastike e volumit tregtar midis dy shteteve në periudhën e pandemisë.

Gjatë bisedës midis kreut të shtetit dhe të përfaqësuesve të Aleancës Kosovare të Bizneseve, u theksua marrja e masave të menjëhershme, për të siguruar vijimësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar,

Reagimi i plotë i Presidentit:

Prita sot në Presidencë një përfaqësi të Aleancës Kosovare të Bizneseve, me të cilët ndamë ide të vyera mbi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik të sipërmarrjeve në nivel kombëtar.

U njoha me shqetësimet e drejta të tyre për rënien e volumit të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve tona, si pasojë e COVID-19, shtimit të pengesave administrative e infrastrukturore, si dhe rritjes se barrës, kryesisht jo tarifore.

Në kushtet aktuale të pandemisë, theksuam domosdoshmërinë e marrjes së masave të menjëhershme, për të siguruar vijimësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe rritjen e mbështetjes nga ana qeverive për bizneset e prekura në të dyja vendet, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë e Kosovës.