Presidenti Meta pret Ministrin e Jashtëm të Luksemburgut: Mbështetje për integrimin

508
Çështjet e sigurisë dhe të luftës kundër terrorizmit e krimit të organizuar, ishin në qendër të bisedës. Presidenti shprehu besimin se BE do të vijojë mbështetjen për vendet e Rajonit
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti dje në një takim të veçantë Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Evropës së Dukatit të Madh të Luksemburgut, Jean Asselborn, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhduar që Luksemburgu i ka dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Duke iu referuar ecurisë së reformave dhe zhvillimeve më të fundit në rajonin e Ballkanit, Presidenti Meta u ndal tek çështjet e sigurisë dhe të luftës kundër terrorizmit e krimit të organizuar, si dhe shprehu besimin se Bashkimi Evropian do të vijojë me një strategji gjithëpërfshirëse integruese për të gjitha vendet e rajonit. Ministri Asselborn e siguroi Presidentin Meta për vijimin e mbështetjes nga Luksemburgu të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për ndihmën e drejtpërdrejtë që do t’i ofrojë Shqipërisë në kuadrin e përgatitjeve për negociatat e aderimit.
Sigal