Presidenti Meta: Pas miratimit të reformës zgjedhore me konsensus, do dekretojë datën e zgjedhjeve parlamentare

270
Sigal

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot në një konferencë për mediat se pas miratimit të Kodit Zgjedhor, nëse ndryshimet bëhen me konsensus, në momentin më të parë që ka hapësira ligjore, ai do të shpallë datën e ardhshme të zgjedhjeve parlamentare.

Presidenti tha se uronte që reforma zgjedhore të behet me konsensus, sepse në të kundërt do të sillte pasoja për integrimin.

“Tani kalojmë te Kodi Zgjedhor, unë shpresoj shumë dhe jam shumë i entuziazmuar nga gjithë llojet e cicërimeve që ka një progres. Unë mezi po pres që t’i dekretojnë këto arritje dhe jam gati në çdo moment. Unë do shikoj nëse miratohet në mënyrë të njëanshme, është apo jo në përputhje me Kushtetutën. Unë mund ta kthej vetëm një herë nëse ka probleme ligjore.

Si president i Republikës, pas miratimit të Kodit Zgjedhor nëse ka konsensus, sapo të kem hapësire ligjore do të shpall ditën e ardhshme të zgjedhjeve parlamentare, pa konsultim me asnjë forcë politike. Nëse Kodi Zgjedhor nuk miratohet me konsensus, ka zero çelje negociatash me Shqipërinë, jo deri në zgjedhjet që vijnë, por edhe pas zgjedhjeve që vijnë”,- deklaroi Presidenti Ilir Meta.