Presidenti Meta në Vlorë në kuadër të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”: Dashuri në veprim për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish

145
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot i pranishëm në seancën e radhës të dhurimit vullnetar të gjakut, që u mbajt në qytetin e Vlorës në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.

Së bashku me qytetarë dhe të rinj vlonjatë, kauzës humane i’u bashkuan sot edhe shtetas të huaj, të cilët jetojnë dhe punojnë në qytetin e Vlorës, që në shenjë mirënjohjeje për mikpritjen tonë tradicionale, dhuruan gjak për fëmijët talasemikë dhe të sëmurët kronikë shqiptarë.

Në një prononcim për mediat, Kreu i Shtetit duke i falenderuar me mirënjohje të gjithë dhuruesit e gjakut, theksoi se solidarizimi me këtë kauzë fisnike është shumë e rëndësishme, veçanërisht në kushtet kur pandemia COVID-19 dhe masat kufizuese,  kanë sjellë ulje të numrit të dhuruesve dhe rritje së nevojës  për gjak në ndihmë të njerëzve në nevojë.

“Vlora ka qenë gjithmonë e para në udhëheqjen e kauzave sociale dhe kombëtare, duke dhënë edhe sot shembullin e saj të jashtëzakonshëm të solidaritetit me kauzën humane të dhurimit të gjakut.

Dua të falënderoj me mirënjohje të gjithë qytetarët dhe të rinjtë e Vlorës, që në këto momente kritike për shkak të pandemisë dhe masave kufizuese, ju përgjigjën thirrjes së ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’.

Një falenderim të veçantë dhe për të gjithë të huajt, të cilët jetojnë e punojnë në Vlorë, të cilët edhe falë inisiativës së blogeres britanike Alice Taylor, dhuruan gjak me dëshirën dhe iniciativën e tyre, duke ju ardhur në ndihmë të gjithë atyre që e kanë të domosdoshme marrjen e gjakut.

‘Aleanca për Dhurimin e Gjakut’, do vijojë të ndalet në të gjitha qytetet e Shqipërisë si shprehje e dashurisë në veprim për njerëzit në nevojë”, – u shpreh Presidenti Meta.