Presidenti Meta në Katedralen Ortodokse gjatë seancës për dhurimin e gjakut: Lumturi është më mirë të japësh, sesa të marrësh

456
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vizitoi sot Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku së bashku me një numër të madh të rinjsh, klerikësh dhe besimtarësh ortodoksë, mori pjesë në seancën e dhurimit të gjakut, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, në bashkëpunim me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”.

Fillimisht Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për të rinjtë e angazhuar vullnetarisht për të dhënë kontributin human për këtë kauzë fisnike, duke e vlerësuar aktin e tyre si ndjenjë të lartë përgjegjshmërinë shoqërore.

Njëkohësisht Kreu i Shtetit falënderoi Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, kreun shpirtëror të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fortlumturinë e Tij Anastas Janullatos, për impenjimin e Tij të drejtpërdrejtë në këtë kauzë, nëpërmjet thirrjes që u bëri besimtarëve në meshën e së dielës së kaluar, për t’iu bashkuar kësaj veprimtarie humanitare.

“Kisha Ortodokse dhe të gjitha komunitetet e tjera fetare iu janë përgjigjur menjëherë thirrjes për të dhënë kontributin e tyre në kuadër të Aleancës për Dhurimin e Gjakut, duke u bërë thirrje besimtarëve të tyre të solidarizohen me këtë kauzë.

I shpreh mirënjohjen e thellë Kishës Ortodokse Autoqefale që ia ka kushtuar këtë seancë dhurimi fëmijëve talasemikë, të cilët kanë nevojë më shumë se kushdo për gjak.
Falënderoj njëkohësisht nga zemra edhe të gjithë besimtarët që sot kanë ardhur të dhurojnë gjak”, – u shpreh Presidenti Meta.

“Falenderoj Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, kreun shpirtëror të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fortlumturinë e Tij Anastas Janullatos, për impenjimin e drejtpërdrejtë për nxitjen e vullnetarizmit për këtë kauzë humane.
Sepse siç predikon Fortlumturia e Tij: “Lumturi është më mirë të japësh, sesa të marrësh”.– theksoi Presidenti i Republikës.