Presidenti Meta në Festën e Ashures: Të flakim tej egon e sëmurë, lakminë dhe indiferencën dhe të marrim përgjegjësinë para atdheut, familjes, shoqërisë dhe kombit

550
Sigal

Sari Salltëk, Krujë

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë në festimet e Ditës së Ashures, që u  zhvilluan në Teqenë bektashiane të Sari Salltëkut. Të pranishëm ishin edhe Kryegjyshi Botëror i  Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, klerikë të lartë si dhe shumë besimtarë bektashianë.

Presidenti Meta shprehu kënaqësinë e veçantë e festimit së bashku në Sari Salltëk, në Ditën e Ashures, për të nderuar kujtimin e dëshmorëve të Qerbelasë dhe mesazhin e sakrificës së tyre në dobi të paqes, mirësisë dhe dashurisë.

“Urimi im në këtë festë shkon për besimtarët bektashianë, të dashurit dhe familjet e tyre si dhe gjithë shqiptarëve.

Festat tona fetare janë përherë momente bashkimi dhe gëzimi për të gjithë. Ato na mundësojnë të shprehim nderimin dhe respektin ndaj Zotit, por edhe mesazhin e njohur shqiptar të dashurisë, harmonisë dhe mirëkuptimit mes feve.” – vuri në dukje Presidenti Meta.


“Festa e Ashures është dita simbol e nderimit të marëtirëve, të devocionit deri në sakrificën më sublime për të mirën e njerëzisë, harmonisë dhe paqes sociale.

Kjo ditë na kujton të gjithëve se shoqëria jonë dhe sidomos klasa drejtuese ka nevojë për më shumë patriotizëm, përkushtim, drejtësi, përgjegjësi, ngrohtësi shpirtërore dhe bujari për qytetarët.

Ne duhet të ofrojmë ndaj njëri-tjetrit më shumë mbrojtje, mirëkuptim, shpresë dhe përkujdesje, por në radhë të parë këtë duhet ta tregojmë ndaj familjeve në nevojë, jetimëve, të moshuarve të braktisur si dhe individëve me aftësi të kufizuara.” – u shpreh Presidenti i Republikës.

“Në kohën që po jetojmë, përtej politikës së ditës, e ardhmja po bëhet gjithmonë edhe më e pashpresë për shumicën e shqiptarëve.

Para syve tanë, të pasurit po bëhen më të pasur dhe të varfrit po kalojnë në skamje.

Klima e varfërisë, korrupsionit, papunësisë, pasigurisë, krimit, padrejtësisë, lakmisë dhe thellimit të ndarjes klasore po e errëson perspektivën e rinisë shqiptare.

Mijëra vëllezër dhe motra po largohen çdo ditë të braktisur nga politika joefikase në vendin amë.


Në këtë situatë duhet për një çast të ndalemi dhe të reflektojmë thellë ndaj plagëve të shoqërisë dhe fenomeneve që na shqetësojnë.

Kjo ditë e flijimit dhe sakrificës njerëzore na fton të flakim tej egon e sëmurë, lakminë dhe indiferencën dhe të marrim përgjegjësinë para atdheut, familjes, shoqërisë dhe kombit.” – theksoi kreu i shtetit shqiptar.

“Perëndia le të na ndihmojë të gjejmë rrugën e duhur për të nxjerrë në pah bashkësinë e vlerave tona më të mira atdhetare, etike, morale, njerëzore dhe hyjnore.

Shqiptarët kanë arsye për të qenë krenarë me historinë e tyre, moralin dhe vlerat njerëzore që mbartin.


Në udhëtimin drejt Europës ne kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme dhe kemi arritje, të cilat nuk mund të lejojmë që të errësohen nga zhvillimet e fundit politike, ekonomike dhe sociale.

Në këtë mënyrë, me besimin në Zot dhe dashurinë për vendin, le t’i shtrimë dorën e bashkëpunimit njëri-tjetrit dhe t’i përkushtohemi edhe më shumë familjes, shoqërisë dhe atdheut tonë të dashur.


Në përfundim do të desha t’ju siguroj për mbështetjen time në punën, përpjekjet dhe lutjet tuaja për të mirën e qytetarëve dhe të ardhmen tonë të përbashkët.

Gëzuar Ditën e Ashures!

Lumturi e mbarësi për gjithë shqiptarët!” – u shpreh Presidenti i Republikës në përshëndetjen e Tij drejtuar besimtarëve bektashianë dhe të gjithë bashkatdhetarëve.