Presidenti Meta nderon kujtimin e heroit të demokracisë Azem Hajdari: Pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira e të ndershme, janë kolona vertebrore e çdo sistemi demokratik, që duhen mbrojtur nga të gjithë dhe me çdo çmim

505
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në nderim të jetës dhe veprës së udhëheqësit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90-të, ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari, i cili u nda nga jeta tragjikisht 21 vite më parë pranë ish-selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, vendosi sot një kurorë me lule dhe bëri homazhe në Memorialin kushtuar “Heroit të Demokracisë”.

“Sot ishte një detyrim për ta nisur ditën me nderimin e kujtimit të përjetshëm të Azem Hajdarit, të udhëheqësit të Lëvizjes Studentore, që solli pluralizmin politik në Shqipëri.

Sepse 12 dhjetori 1990 është dita më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, që ndan dy epoka dhe e rivendosi vendin tonë në rrugën e duhur të demokracisë, të lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe kuptohet, të pluralizmit politik dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë kolona vertebrore e çdo sistemi demokratik dhe që duhen mbrojtur nga të gjithë dhe me çdo çmim.” – u shpreh Presidenti i Republikës.