Presidenti Meta nderon kujtimin dhe veprën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Shkup

531
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir  Meta po merr pjesë në kremtimet e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Maqedoni.

Fillimisht Presidenti Meta i shoqëruar nga Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z.Talat Xhaferi, Zv/Kryeministri i Maqedonisë, z.Bujar Osmani, udhëheqës politikë, deputetë si edhe dhjetra shqiptarë në Maqedoni, u përul me respekt dhe vendosi një buqete me lule te monumenti i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Shkup.

Pasi vizitoi edhe Shkupin e vjetër dhe Mozaikun e Lidhjes së Prizrenit, duke vlerësuar figurën dhe rolin e tij, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Presidenti Meta u shpreh: “Jam shumë i lumtur që gjendem në Shkup së bashku me udhëheqësin e Bashkimit Demokratik për Integrim zotin Ali Ahmeti, me Kryeparlamentarin e Republikës së Maqedonisë, zotin Xhaferi dhe shumë personalitete të tjera për të marrë pjesë në kremtimin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, kësaj ngjarjeje madhore për të gjithë kombin shqiptar, që i bashkoi të gjithë shqiptarët rreth Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe që i parapriu edhe Pavarësisë së Shqipërisë, ekzistencës së shtetit shqiptar dhe gjitha mbarësive që u gëzohet kombi ynë sot.

Është kënaqësi për ta nisur këtë kremtim duke u përulur me nderim këtu në Shkupin e vjetër para monumentit të Heroit tonë Kombëtar edhe në kuadër të 550-vjetorit të kujtimit të kësaj figure të përmasave europiane.

Dje pata kënaqësinë të isha me Presidenten e Kroacisë në Zadar, me komunitetin e Arbanasve për të festuar këtë 550-vjetor dhe më mbeti në mendje referimi që Presidentja e Kroacisë i bëri njërit prej shkrimtarëve më të njohur kroatë për figurën e Skënderbeut, i cili me të drejtë kishte thënë që ‘Hero më të madh nuk ka lindur nëna akoma.’

Këtu në Shkup do të preferoja t’i referohesha Fan Nolit tonë të madh, njërin prej kontribuuesve kryesorë edhe të Kongresit të Manastirit, pavarësisht se nuk arriti të merrte dot vetë pjesë duke u përfaqësuar përmes Sotir Peçit dhe patriotëve të tjerë, se ‘Skënderbeu do të mbetet përgjithmonë shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë’, që do të thotë se është vepra e jashtëzakonshme e kësaj figure madhore jo vetëm e kombit tonë, por edhe e qytetërimit europian, që përcaktoi identitetin tonë europian, rrugën tonë europiane, për të cilën edhe sot ne jemi të angazhuar, shqiptarët kudo në të gjithë rajonin dhe ku faktori shqiptar në Maqedoni jep një kontribut historik, dhe përcaktues. Sigurisht që është kjo rrugë, të cilën e përcaktoi me veprën e tij Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që udhëhoqi edhe filozofinë e bashkimit në Kongresin e Manastirit për Alfabetin e Gjuhës sonë, një alfabet që ndihmoi dhe kontribuoi jo vetëm Pavarësinë e Shqipërisë, po ka kontribuuar për të gjithë rrugën tonë europiane deri më tani.

Ndaj nderimin më të madh sot për Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Mid’hat Frashërin, për gjithë ata personalitete të shquara, për përfaqësuesit e familjes Qiriazi, të cilët në kushte shumë të vështira arritën t’i japin kombit tonë një fuqi të jashtëzakonshme të bashkimit dhe të udhëheqjes për të ardhmen e kombit tonë.

Me këtë rast dua të vlerësoj edhe të gjitha përpjekjet që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen këtu për të ecur drejt jo vetëm ruajtjes, por edhe të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, në përputhje edhe me Marrëveshjen e Ohrit, dhe të përgëzoj këtë frymë të re bashkëpunimi e bashkëjetese në Republikën e Maqedonisë, që është e vetmja rrugë për paqe dhe stabilitet në të gjithë rajonin tonë.”, – u shpreh Presidenti Meta.