Presidenti Meta nderon kujtimin dhe veprën e Dëshmorëve të Atdheut

467
Sigal

Me rastin e 5 Majit, Presidenti i Republikës,  Ilir Meta, bëri sot homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve”, vendosi një kurorë me lule te Monumenti “Nëna Shqipëri” dhe u përul me respekt për të nderuar kujtimin, veprën dhe sakrificat sublime të Dëshmorëve të Atdheut.

Në një prononcim për mediat, Presidenti i Republikës, vuri në dukje se: “Sot është një ditë e veçantë për të gjithë popullin shqiptar, sepse është Dita e Dëshmorëve të lirisë, të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në radhë të parë.

Është dita e Qemal Stafës dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, që bënë sakrificat më sublime për t’i rikthyer lirinë dhe pavarësinë vendit, por njëkohësisht edhe për ta vendosur Shqipërinë në anën e duhur të historisë, në atë anë ku për fat të mirë ndodhemi edhe sot.

Pikërisht sot është një ditë nderimi për sakrificat e dëshmorëve, për flijimin e tyre, për ëndrrat e tyre, por është edhe ditë reflektimi për të vendosur në plan të parë interesat e vendit, të së ardhmes së tij europiane, të stabilitetit përmes dialogut dhe bashkëpunimit, në mënyrë që ëndrrat e tyre të realizohen plotësisht dhe që të nderojmë vërtet ashtu siç duhet kujtimin e të gjithë atyre, të cilët kanë bërë sakrificat më të mëdha, më sublime, për të ardhmen e Shqipërisë.”