Sigal

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta  gjatë vizitës së tij në qytetin e Skraparit ka përkujtuar 17 heronjtë e rënë në betejën e “Tendës së Qypit”. Në nderim të tyre, presidenti Meta ka vendosur pllaka përkujtimore me emrat e 17 heronjve të betejsë së janarit 1944.

“Kisha nderin sot që bashkë me kryetarin e Bashkisë të Skraparit, zotin Nesim Spahiu të rivendosnim pllakën përkujtimore me emrat e 17 heronjve të rënë në betejën madhështore të Tendës së Qypit nga 20-26 Janari i 1944, në kulmin e Operacionit të Dimrit. Kjo betejë e jashtëzakonshme deri në ndeshje trup me trup përfundoi me humbjen poshtëruese të pushtuesve falë gjakut të derdhur në betejë të partizanëve të Brigadës së parë Sulmuese dhe Grupit të Skraparit që u drejtua trimërisht nga Zylyftar Veleshnja. Kjo betejë pati një vlerë të madhe morale e psikologjike pasi tregoi se ai nuk ishte dimri i fundit i partizanëve por i pushtuesve.Të gjithë të përkujdesemi më shumë për monumentet e luftës dhe të dëshmorëve tanë”.