Presidenti Meta: Mirënjohje për veprën e Prof. Ahmet Osja

134

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të profesorit të njohur dhe ish-ministrit Ahmet Osja.

Në një mesazh në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se Osja do të mbahet mend si një profesor i nderuar dhe një personalitet akademik.

Mesazhi i plotë i kreut të shtetit:

“Ndarja nga jeta e Prof. Ahmet Osja ishte një lajm i trishtueshëm për të gjithë.

Prof. Ahmet Osja i takon asaj plejade të jashtëzakonshme që dha kontribut në zhvillimin shkencor të vendit e sidomos në fushat e bujqësisë dhe ushqimit, duke lënë një trashëgimi të vyer në shërbim të brezave më të rinj.

Akademiku dhe shkencetari i shquar Prof. Ahmet Osja, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në krijimin e farave hibride të rendimenteve të larta në Bujqësi.

Si drejtues i Institutit të Misrit dhe Orizit në Shkodër, Prof. Osja hodhi bazat e teknologjisë se rikombinimit gjenetik të varieteve bimore dhe në veçanti të misrit duke lënë pas një trashëgimi dhe bazë gjenetike me vlerë për prodhimin bimor.

Prof. Osjen do ta kujtojmë edhe si një biolog shkencëtar eksplorues të florës së Alpeve tona.

Si deputet i Kuvendit dhe ministër i Bujqësisë, Prof. Osja shpalosi vlerat e një personaliteti akademik me integritet të lartë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.

Mirënjohje për veprën e tij të madhe dhe i përjetshëm kujtimi i tij i ndritur”.