Presidenti Meta: Mesazhi im është i qartë, “mjerë kush i del para trenit të integrimit në 25 prill”

174
Sigal

Presidenti Ilir Meta shprehet se qytetarët duhet të vendosin më 25 prill për të ardhmen europiane të vendit. Në një intervistë dhënë për emisionin “Konak” në televizionin “Sot 7” në Korçë, Meta u shpreh se “mesazhi im është i qartë dhe e përsëris; “Mjerë kush i del para trenit të integrimit në 25 prill”.

 

Pjesë nga intervista:

Pyetje:  Zoti President jeni shprehur:  Treni i integrimit është nisur dhe nuk ndalet as pas zgjedhjeve të 25 prillit. Mjerë ai që i del përpara. Çfarë doni të thoni me këtë zoti Meta..?

Presidenti Meta: Të gjithë jemi të pakënaqur me nivelin e integrimit të vendit tonë. U bënë 30 vite dhe shikojmë një bilanc tepër negativ në shumë aspekte. Serbia dhe Mali i Zi janë shumë përpara Shqipërisë. Ata, i kanë çelur negociatat, ndërsa ne do i çelim pas zgjedhjeve të 25 prillit, se ato janë kryekushti i Bashkimit Europian.

Çfarë mund të themi më shumë ….. Për të mos folur për ritmin dramatik të shpopullimit të Shqipërisë,  kam frikë dhe të Pogradecit dhe gjithë Qarkut të Korçës, ku shifrat janë të frikshme. Nuk bëhet fjalë për largime, por për shpopullim. Në rast se nga Serbia ikën 1 serb për 1000 mijë banor, këtu ikin  12 shqiptarë. Nëse  nga Bosnja largohet 1 nga Shqipëria largohen 18. Në rast se nga Kosova largohet 1 nga Shqipëria largohen 4.

Ndërkohë, jemi gati 110 vite shtet, jemi anëtar të NATO-s, nuk kemi asnjë problem të pazgjidhur me vendet fqinje, siç është rasti i Kosovës nga Serbia. Kemi gjithë këtë det, kemi  gjithë këtë potencial dhe të rinjtë ikin nga sytë këmbët. Pra, jemi aq mbrapa sa s’kemi ku të shkojmë më mbrapa se kaq dhe duhet të fitojmë çdo sekondë. E kam thënë jo deri në 25 prilli, por edhe pas 25 prillit.

Presidenti Meta: Zgjedhjet duhet të sjellin një përmbysje demokratike. Populli të marrë në dorë  fuqinë e tij, me votën e tij, ndaj të gjithëve, ndaj forcave politike, ndaj të gjithë politikanëve. Së dyti, pas kësaj duhen bërë të gjitha reformat e tjera, që ndihmojnë jo vetëm në  çeljen e negociatave dhe nuk është ky i vetmi qëllim. Por, këto na ndihmojnë që vendi ynë të zhvillohet me ritme të shpejta, dhe të rinjtë të qëndrojnë dhe ta shikojnë të ardhmen këtu.

Pyetje: Zoti Meta, ju u shprehet më lartë se jemi shumë mbrapa.. Realisht, çfarë ka ndodhur? Pse jemi ne kaq mbrapa…?

Presidenti Meta: Është mungesa e vullnetit politik për të bërë reformat e kërkuara, për të plotësuar kushtet të cilat dihen prej kohësh.

Janë kushtet e vendosura nga Bundestagu dhe u bënë shumë vite ku në krye të kushteve kanë qenë gjithmonë zgjedhjet. Zgjedhjet e manipuluara të vitit 2017, dhe hetimi i tyre si dosjet e Dibrës dhe Shijakut, që i di e gjithë bota. Njëkohësisht, edhe problemi i zgjedhjeve lokale dhe shumë çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me mungesën e standardeve të funksionimit të shtetit të së drejtës, sipas parimeve të Bashkimit Europian. Ne, për fat të keq kemi vënë re, që kryeministri në vend që të përmbushë këto kushte prej kohësh, përpiqet gjithmonë t’i injoroj ato. Sigurisht, që kjo ndodh për shkak se ai vendos pushtetin e tij, mbi interesin kombëtar të gjithë vendit.

Pyetje: Zoti President, gjuha e zotit Rama në drejtim të ndërkombëtarëve ditët e fundit.. si ju duket?

Presidenti Meta: Kjo është një gjuhë, e cila nuk duhet të na habis. Por, është një gjuhë e cila vjen prej kohësh në forma të tjera, njëkohësisht nga ndërkombëtarët me qëndrimet e tyre të qarta kundër rritjes së autoritarizmit në këtë vend dhe të deformimit të parimeve të një shteti demokratik. Natyrisht, e gjithë retorika e kryeministrit është një shfajësim për dështimet e tij

Pyetje: A mendoni se kjo gjuhë e ka dëmtuar Shqipërinë në integrimin e saj në Bashkimin Europian?

Presidenti Meta: Nuk është gjuha e kryeministrit ajo që ka dëmtuar Shqipërinë, por janë pasojat e qeverisjes së tij që, e kanë dëmtuar atë. Sepse, mjafton të shikojmë statistikat e Bashkimit Europian, për largimin e të rinjve nga Ballkani Perëndimor, vërejmë se 60% e të gjithë të larguarve që kërkojnë azil të të rinjve, janë nga Shqipëria dhe 40% janë nga vendet e tjera, Serbia, Bosnja, Mal i Zi, Kosovë.

Pyetje: Pse, kaq pak ofron ky vend për të rinjtë?

Presidenti Meta: Pyetini të rinjtë e Pogradecit, përse ata duhet të ikin edhe pas 30 vitesh të punojnë në Maqedoni? Përse ata duhet të ikin të punojnë në Greqi? Nuk po them të krahasohemi me Danimarkën, as me Gjermaninë.

Po kam një pyetje për ju dhe për të gjithë pogradecarët, meqë jemi kaq afër Maqedonisë. A mundet në të krahasohemi me Maqedoninë? A e mbështesim ne bujqësinë? Jo, sa e mbështet Maqedonia, po as sa 1/7 e Maqedonisë, as sa 1/5 e Kosovës.

Pyetje: Pra, ju po thoni që qeveria nuk ka mbështetur fermerët shqiptarë? Dhe e kundërta ndodh me vendet fqinje?

Presidenti Meta: Nëse nuk mbështetet bujqësia dhe fermerët dhe ky sektor si aktivitet, i cili duhet të jetë jo vetëm punë, por të ketë edhe përfitim.

Pra, mos të jetë punë dhe vuajtje dhe pastaj të mos hidhen prodhimet nëpër kanale dhe sigurish që,  këta njerëz nuk do të merren më me bujqësi.

Por, nëse njerëzit kanë vendosur të merren me bujqësi dhe nuk do të merren me turizëm, sepse dhe turizmi nuk mbështet si duhet. Atëherë, shumica e familjeve me çfarë merren? Se nuk bëjnë të gjithë hidrocentrale….! Dhe nuk janë të gjithë oligarkë…?

Pra, shumica e familjeve në Shqipëri merren me bujqësi, dhe jo vetë në Shqipëri, por edhe në Maqedoni dhe kudo tjetër.

Nëse ti nuk i mbështet, sigurisht që do të kemi këtë situatë që të rinjtë të ikin në Maqedoni dhe të bëjnë punë të rëndomta, sepse atje paguhen më mirë sesa këtu.

Për të mos marrë një plan tjetër me Maqedoninë, shikoni renditjen e Bankës Botërore në ‘Ëork Doing Business’, për klimën e biznesit në një vend.

Maqedonia u bë kaq vite që, është nga vendi i 7 deri në vendin e 15, 16 në nivel botëror.

Pyetje: Ndërkohë Shqipëria?

Presidenti Meta: Ne zbritëm nga vendi i 84 në atë të 85. Kosova është vendi i 55 dhe vendet e tjera të rajonit janë përpara, përse..? Shkoni në Shkup dhe shikoni atje, “Shkupi 1” dhe “Shkupi 2”, zonat e lira ekonomike dhe investimet që kanë ndodhur.

Si i mbështet qeveria dhe shteti maqedonas ata? Pavarësisht se iku Gruevski dhe erdhi Zaev, politika e mbështetjes të jetë e njëjtë.

Politikat e taksave vazhdojnë të jenë të njëjtat, jo si në vendin tonë ku taksat ndryshojnë çdo ditë pa u konsultuar me biznesin.

Ligjet gjithashtu që  kanë të bëjnë me sipërmarrjen ndryshojnë në mënyra të vazhdueshme të paparashikueshme, dhe kemi këtë situatë pasigurie në tërësi.

Pyetje: Atëherë zoti Meta, sepse po më pëlqen për t’iu rikthyer dhe një herë fundit të pyetjes së parë…!

Presidenti Meta: Mua nuk më pëlqen që po krahasohem me Maqedoninë, se do doja të krahasohemi me vende më të zhvilluara. Por e vërteta është kjo, që në as me Maqedoninë nuk krahasohemi dot, as për sa i takon institucioneve demokratike, as për sa i takon vullnetit për zgjedhje dhe as për sa i takon kapërcimit të krizave politike. Si kapërcehen krizat politike?

Përmes zgjedhjeve, ashtu siç e kapërceu Zaev, një situatë që ju krijua me mos mbajtjen e një premtimi.

Pyetje: Atëherë mjerë kush Ju del përpara?

Presidenti Meta: Është një mesazh i qartë, vendi ka humbur kaq shumë kohë dhe po kaq shumë energji.

Ka humbur kaq shumë rini, që ka emigruar dhe tani nuk mund të sakrifikohet më asnjë sekondë, për pushtetin dhe për interesin e cilido. Jam i sigurt që mesazhi i 25 prillit do të jetë një mesazh historik.