Presidenti Meta kthen në Kuvend ligjin për gjendjen civile: Ndërhyrja e papritur do të ketë pasoja për…

258
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim ligjin për gjendjen civile

Presidenti thotë se një ndryshim i tillë i ligjit në këtë periudhë të procesit zgjedhor, mund të krijojë kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor.

“Një ndryshim i tillë, në këtë fazë të procesit zgjedhor, ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e lisave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë, acarimin e jetës shoqërore në vend”- thuhet .

Midis arsyeve për kthimin siç shpjegon Presidenca, Kreu i Shtetit vlerëson se “ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke e vlerësuar ndikimin e qënësishëm që mund të ketë në procesin zjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike”.

ARSYET E KTHIMIT

TË LIGJIT NR. 130/2020 “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 10129, DATË 11.5.2009, ‘PËR GJENDJEN CIVILE’, TË NDRYSHUAR”

 Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 22.10.2020, ka miratuar ndër të tjera ligjin nr. 130/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 10129, datë 11.5.2009, ‘Për gjendjen civile’, të ndryshuar”.

 

Ky ligj me shkresën me nr. 2751 prot., datë 27.10.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.

 

Ligji nr. 130/2020 është i përbërë nga dy nene. Neni i parë shfuqizon parashikimin ligjor të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 74 të ligjit nr. 10129 datë 11.5.2009 të ndryshuar, dhe neni i dytë parashikon hyrjen në fuqi të ligjit.

 

Projektligji është shqyrtuar në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit përgjegjës, dhe vjen si nismë propozuese e deputetëve zonjës Blerina Gjylameti dhe zotit Eljo Hysko.

 

Konkretisht, neni 74,  dhe specifikisht pika 1, shkronja “ç”, e ligjit nr. 10129, datë 11.5.2020 “Për gjendjen civile”, i ndryshuar, që propozohet të shfuqizohet përmes ligjit nr. 130/2020, parashikon shprehimisht se:

“Neni 74

Kundërvajtjet administrative

  1. Në kuptim të këtij ligji, shkeljet e përmendura më poshtë, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë:
  2. a) shkelja ose mosrespektimi i dispozitave të parashikuara në nenin 19 pikat 1 dhe 2, në nenin 20 pika 1, në nenin 21 pikat 1 dhe 2, si dhe në nenin 52, 5 dhe 7 dënohet me gjobë në masën 3 000 lekë.
  3. b) shkelja ose mosrespektimi i dispozitave të parashikuara në nenin 18 pikat 2 dhe 3, në nenin 20 pika 2, në nenin 41/1, pika 1, në nenin 52 pika 4 dënohet gjobë në masën 50 000 lekë.
  4. c) shkelja ose moszbatimi i dispozitës së parashikuar në nenin 65 shkronja “g”, në nenin 66 pikat 2 dhe 3 dhe në nenin 68 pika 2 dhe 3 dënohet me gjobë në masën 50 000 lekë;

ç) shkelja ose mosrespektimi i dispozitës së përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, dënohet me gjobë, në masën 10 000 lekë, dhe me pezullim të shërbimit deri në vjeljen e gjobës, të cilën e vendos dhe e vjel nëpunësi i gjendjes civile.

  1. Gjobat e parashikuara në shkronjat “b” dhe “c” të këtij neni vendosen nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, sipas njoftimit të ardhur nga zyrat e gjendjes civile. Kundër masës administrative mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve në institucionin e ministrit që mbulon gjendjen civile, i cili brenda 10 ditëve duhet të shprehet për këtë masë. Kundër vendimit të ministrit mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së vendimit.
  2. Masat administrative të gjobës, të cilat nuk ankimohen brenda afatit, si dhe ato të cilat lihen në fuqi me vendim gjyqësor të formës së prerë, janë titull ekzekutiv dhe ngarkohen zyrat përmbarimore për ekzekutimin e tyre.”

 

Ndërkohë dispozitat e tjera të ligjit, respektivisht neni 14 dhe neni 15, pika 3, të ligjit, moszbatimi i të cilave është lidhur më pas me aplikimin e masës së ndëshkimit administrativ parashikojnë shprehimisht si më poshtë:

 

“KREU III

DEKLARIMI DHE REGJISTRIMI I VENDBANIMIT

Neni 14

Deklarimi i vendbanimit

(shtuar fjalë në pikën 1 me ligjin nr. 134/2016, datë 22.12.2016)

 

  1. Shtetasit kanë të drejtë të kenë një apo më shumë banesa për përdorim vetjak apo familjar në territorin e Republikës së Shqipërisë ose jashtë vendit. Shtetasit kanë detyrimin që të deklarojnë adresën e çdo banese për përdorim, sipas kësaj pike.
  2. Shtetasit kanë të drejtë të zgjedhin lirisht në cilën banesë të jetojnë zakonisht ose të shumtën e kohës. Banesën, në të cilën shtetasi jeton zakonisht për më shumë se tre muaj pa ndërprerje ose më shumë se gjashtë muaj në një vit kalendarik, ka detyrimin ta deklarojë si vendbanimin e tij.

 

Neni 15

Regjistrimi dhe ndryshimi i vendbanimit

  1. Regjistrimi fillestar i vendbanimit/adresës së banesës, sipas nenit 14 të këtij ligji, si dhe ndryshimi i vendbanimit/adresës së banesës, si rregull, bëhet në zyrën e gjendjes civile bashki/komunë që ka në juridiksion territorial vendbanimin apo banesën e deklaruar.
  2. Nëse një shtetas ka më shumë se një banesë për përdorim, sipas pikës 1 të nenit 14 të këtij ligji, ai duhet të deklarojë banesën, në të cilën ka vendbanimin e tij. Shtetasit nuk mund të deklarojnë njëherazi më shumë se një vendbanim.
  3. Në rast ndryshimi të vendbanimit, apo kur një banesë nuk përdoret më për përdorim vetjak apo të familjes, ky ndryshim deklarohet në zyrën e gjendjes civile. Regjistrimi fillestar i vendbanimit apo ndryshimi i tij bëhet jo më vonë se 30 ditë nga ardhja në këtë vendbanim. I njëjti afat zbatohet edhe për deklarimin e banesave që nuk kanë statusin e vendbanimit.
  4. Rregullat e veprimeve për pasqyrimin e regjistrimit dhe ndryshimit të vendbanimit të shtetasve, përcaktohen nga ministri që mbulon gjendjen civile.”

 

Ndërkohë ligji nr. 130/2020, objekt shqyrtimi, në nenin 1 të tij, parashikon se:

 

Në nenin 74, në pikën 1, shkronja “ç” shfuqizohet.”

 

Pra sipas kësaj ndërhyrje, shkelja ose mosrespektimi i dispozitës së përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, që dënohej me gjobë, në masën 10 000 lekë, dhe me pezullim të shërbimit deri në vjeljen e gjobës, të cilën e vendos dhe e vjel nëpunësi i gjendjes civile, shfuqizohet.

 

Është për t`u theksuar se, dispozita që sot pretendohet të shfuqizohet, pra rregullimi ligjor sipas shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 74, është një rregullim i sjellë si paketë ndër disa rregullime të tjera, nëpërmjet ligjit nr. 134/2016, datë 22.12.2016. Me vendosjen e dispozitës është synuar disiplinimi i shtetasve për deklarimin e vendbanimit dhe/apo vendqëndrimit të tyre, pas përkufizimit të termit dhe specifikës së cilën mbart ky term.

 

Ndërkohë sot, arsyetimi i ndërmarrjes së kësaj nisme si nga nismëtarët (deputetët propozues) apo dhe nga Komisioni përgjegjës në Kuvendin e Shqipërisë mbështetet në qëllimin për pasjen e të dhënave reale të regjistrimit të shtetasve, e cila do të përmirësohet në kuadër të ndjekjes së një qasje/metodologjie të re liberale, duke mos aplikuar më masa shtrënguese në procedurat që do të zbatohen nga zyrat e gjendjes civile.

 

Në raportin e Komisionit përgjegjës citohet ndër të tjera se:

 

“Ndryshimi i propozuar për heqjen e kësaj mase ndëshkuese ndaj shtetasve, synon të sjellë një efekt të menjëhershëm në regjistrimin e venbanimit real të qytetarëve dhe për pasojë një studim nga ana e pushtetit qëndror dhe atij vendor për shpërndarje të drejtë të investimeve dhe investime më të larta në ato zona ku venbanimi është më i madh se ai që rezulton aktualisht në Regjistrin e Gjendjes Civile.”

 

Pas studimit të relacionit të deputetëve propozues, raportit të komisionit përgjegjës, si dhe përmbajtjes së ligjit nr. 130/2020, të miratuar, Presidenti i Republikës, arrin në konkluzionin se:

 

Kuvendi i Shqipërisë, nuk ka zgjedhur mënyrën më të mirë dhe të balancuar për të materializuar arritjen e qëllimit që synon përmes kësaj ndërhyrjeje legjislative të bërë në këtë formë.  

 

Duke dashur disiplinimin e kësaj kategorie sjelljeje të qytetarëve për një të dhënë kaq sensitive dhe të dosmosdoshme, Kuvendi pas adresimit të çështjes nga propozuesit dhe komisioni përkatës shqyrtues, duhet të gjejë rrugën e duhur për të shmangur përdorimin e ndryshimit të ligjit për qëllime të përfitimit politik të mazhorancës qeverisëse.

 

Një ndryshim i tillë, në këtë fazë të procesit zgjedhor, ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë, acarimin e jetës shoqërore në vend.

 

Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke e vlerësuar ndikimin e qënësishëm që mund të ketë në procesin zjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike.

 

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 38/1, parashikon se “kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit”.

 

Këtë të drejtë kushtetuese për të zgjedhur vendbanimin e tij e gëzon kushdo, ndërkohë që, saktësia e të dhënave të vendbanimit të shtetasve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile është ngushtësisht e lidhur me realizimin e procesit të përditësimit të këtyre të dhënave, që krijohen pikërisht nga ushtrimi i kësaj të drejte.

 

Ligji ka parashikuar një sistem aktiv përditësimi nga ana e shtetasve, sipas të cilit shtetasi ka lirinë të zgjedhë vendbanimin, por ka njëkohësisht dhe detyrimin ligjor ta deklarojë dhe regjistrojë atë në zyrën e gjendjes civile ku ndodhet vendbanimi ku shtetasi ka zgjedhur lirisht të jetojë/banojë.

 

Ky detyrim i shtetasve nuk është deklarativ por është i lidhur me sanksione ligjore konkrete. Ligji parashikon që përveç gjobës, shtetasit i ndërpriten edhe shërbimi në gjendjen civile. Këto sanksione dhe masa shtrënguese janë vendosur si masa shtesë që të detyrojnë shtetasin, si rregull, të kryejë veprimet e nevojshme në lidhje me regjistrimin e vendbanimit.

 

Ndërkohë, heqja e sanksioneve dhe masave shtrënguese sipas propozimit në ligjin nr. 130/2020, do ta kthente detyrimin e shtetasit të parashikuar në nenin 14, dhe 15, pika 3, të ligjit bazë në një detyrim deklarativ plotësimi i të cilit do të varej vetëm nga vullneti i shtetasve, duke dobësuar kështu dhe mundësinë e autoritetit publik për përditësimin e të dhënave.

 

Nëse propozimi për shfuqizimin e dispozitës do të ishte realisht në përgjigje të sjelljes neglizhente të shtetasve, apo për cilëndo tjetër arsye që pamundëson deklarimin e vendbanimit të tyre në këto raste, Kuvendi duhej të vlerësonte hapësira të tjera për të lehtësuar pozitën e shtetasve që kanë shkelur afatin e parashikuar nga ligji, dhe nxitjen e tyre për deklarimin e vendbanimeve siç dhe ligji parashikon.

 

Kuvendi i Shqipërisë, duhej të investohej përmes një akti ligjor për faljen e gjithë gjobave apo ndëshkimeve administrative që janë krijuar apo mund të lindin për gjithë ata shtetas që kanë apo mund të kenë shkelur afatin e përcaktuar në nenin 15, pika 3, të ligjit bazë.

 

Kjo shpehje e vullnetit të ligjvënësit dhe informimi i gjerë i publikut përmes mjeteve të informimit publik, do të sillte padyshim edhe nxitjen e qytetarëve për të realizuar këto deklarime të pakryera në përputhje me ligjin.

 

Ky proces do të duhet të kryhej brenda një afati të ri shtesë të dhënë nga ligjvënësi, për të përmbushur qëllimin e kësaj nisme. Pra, organet administrative të ngarkuara me zbatimin e ligjit, nëse do të kishin vërejtur problematika dhe vështirësi gjatë zbatimit të tij, do të duhej të evidentonin çështjet dhe zgjidhjet konkrete.

 

Një proces kaq i rëndësishëm duhej të ishte shoqëruar me një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi të shtetasve si për të drejtat dhe detyrimet në lidhje me deklarimin e vendbanimit, ashtu edhe për sanksionet përkatëse.

 

Gjithashtu, një analizë e kujdesshme e problematikës evidenton mungesën në ligj të një mekanizmi aktiv verifikimi në terren nga organet e pushtetit vendor përkatës të deklarimit nga shtetasi, gjë që është praktikë në vende të jera dhe do mundësonte të dhëna të sakta të shtetasve.

 

Zgjidhja e propozuar nuk sjell si rezultat lehtësimin e situatës ligjore të shtetasve që kanë shkelur afatet ligjore, por sjell një liberalizim të plotë të sistemit, duke dobësuar dhe duke e bërë thjeshtë deklarativ mekanizmin që bën të zbatueshëm detyrimin e nenit 15, pika 3, të ligjit bazë.

 

Shfuqizimi i një sanksioni ligjor, që në vetvete synon të disiplinojë një regullim ligjor që rrjedh nga nevoja për të normuar një marrëdhënie të caktuar në funksion të interesit publik për evidentimin e adresave të sakta dhe të plota, përveçse nuk çon në realizimin në vijimësi të këtij interesi publik duke gjetur një mekanizëm zgjidhës për problematikën e mosdeklarimit të adresës së banimit, por shkakton njëkohësisht dhe trajtim të pabarabartë me të gjithë subjektet që deri më sot, në rast vonese, kanë shlyer detyrimin e vendosur me gjobë.

 

Për më tepër, krijon dhe paqartësi nëse shfuqizimi i këtij parashikimi ligjor, do të ketë efekte prapavepruese edhe për gjobat e vendosura/evidentuara apo dhe të vjelura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, apo jo!

 

Për sa më sipër, një shfuqizim i një sanksioni, në mënyrë të tillë të paqartë mbi arsyet e këtij shfuqizimi, pa evientuar dhe mekanzimin që do të përdoret për të siguruar/forcuar përmbushjen e interesit publik për identifikimin e lehtë dhe real të adresave të banimit për të gjithë qytetarët në vijimësi (dhe jo vetëm për atë kategori që ka tejkaluar afatet e vetëdeklarimit dhe që mund të penalizohet financiarisht në momentin e deklarimit)nuk është as lehtësim për qytetarët në raport me interesin e përgjithshëm, as garanci për vijimin e vetëdeklarimeve në kohë dhe brenda afateve ligjore.

 

Është rasti që t’i sjellim në kujtesë Kuvendit të Shqipërisë, disa nga nismat që kanë sjellë lehtësim tek qytetari nisur nga mundësia që Kuvendi u ka dhënë përmes ligjit. Të tilla kanë qënë:

 

  • Neni 70 i ligjit nr. 111/2019 “Për kadastrën”.
  • Ligji nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme” dhe Ligji nr. 91/2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”;
  • Ligj nr. 51/2020 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit, nr. 16, datë 1.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19””, apo
  • Vendimmarrja e Këshillit të Ministrave nëpërmjet Aktit Normativ nr. 31, datë 07.10.2020, “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shaktuar nga COVID-19 dhe familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore”.

Përmes këtyre nismave, në kuadër të veprimeve ligjore të ndjekura, shtetasit janë lehtësuar në disa situata specifike nga kundërvajtje të ndryshme të kryera, apo qytetarëve u është shuar gjoba/kamatëvonesat për regjistrimin/reflektimin e të dhënave të tyrë në regjistrat publik duke i rivendosur në afat qytetarët. Por ky lehtësim ka qënë për periudha të caktuara, të kufizuara. Ndërkohë që në asnjë rast nuk është cenuar realizimi i interesit publik për të cilin rregulli specifik penalizues/sanksionues ka dalë.

 

Një model i përshtatshëm dhe që Kuvendi i Shqipërisë e ka aplikuar dhe mund të përdorej edhe në këtë rast gjendet në ligjin nr. 11/2019 “Për kadastrën”, ku sipas nenit 70 të gjitha subjektet që gëzonin tituj pronësie të fituar në përputhje me ligjin dhe që nuk kanë aplikuar për regjistrim pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme brenda afatit ligjor, u rivendosën në afat për të kryer aplikimin me 30 ditë, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kjo mundësi e drejtë që Kuvendi dha pëmes ligjit u shoqërua gjithashtu edhe me të drejtën tjetër që nëse ky afat i ri do të zbatohej nga qytetarët atëherë të gjitha kamatëvonesat që ishin gjeneruar nga sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme, deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, për shkak të mosaplikimit në kohë për regjistrim të dokumentacionit, sipas nenit 39, të ligjit nr. 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive tё paluajtshme”, të ndryshuar, do të shuheshin.

Ndjekja e një modeli të tillë lehtësimi për qytetarët edhe në këtë rast të deklarimit të vendbamimit të tyre, shoqëruar me një fushatë sensibilizuese, do të ishte shumë herë me efikas dhe do të nxiste qytetarët që të kryenin deklarimet e tyre të vendbanimit dhe përditësimin e të dhënave.

Ndërkohë që, modeli që Kuvendi i Shëipërisë ka zgjedhur përmes ligjit nr. 130/2020, do të sjellë si pasojë që dispozita e nenit 74, pika 1/ç, nuk do të ekzistojë më dhe kjo qasje kaq shumë liberale, e cila ndryshon çdo 4 vjet, do të nxisë edhe më tepër mosdeklarimin në kohë të adresave reale të qytetarëve, apo do të nxisë lëvizjet e tyre nga një vendbanim në tjetrin, duke pamundësuar evidentimin e adresave të sakta.

Evidentimi i adresave të sakta lidhet pandashmërisht me realizimin e shumë të drejtave të shtetasve, duke filluar që nga e drejta për t`u njoftuar individualisht, veçanërisht në rastet e procesve gjyqësore, apo me lehtësimin e punës së organeve ligjzbatuese, në rastet e konsumimit të veprave penale etj.

Akoma më shqetësues bëhet ky liberalizim në këtë periudhë parazgjedhore, kur kjo lëvizje mund të mendohet se bëhet për qëllime elektorale.

Presidenti i Republikës me dekretin e datës 6 shtator 2020, ka caktuar tashmë datën e zgjedhjeve dhe ndërkohë ka filluar procesi parazgjedhor. Një nga proceset më të rëndësishme në këtë kuadër është hartimi i listës së zgjedhësve, i cili tashmë mendohet se është në një fazë të avancuar. Ndryshimi ligjor i propozuar pritet të ketë ndikim të madh në qëndrueshmërinë dhe njëtrajtshmërinë e procesit të hartimit të listave.

 

Ky propozim nga deputetë të pozitës, dhe që nuk vjen nga ministria përgjegjëse që mbulon çështjen, në mënyrën si është formuluar për të lehtësuar lëvizjet në vijim, dhe jo për të lehtësuar qytetarët që nuk kanë deklaruar në kohë, e bërë në një situatë parazgjedhore, krijon një hapësirë më shumë për t`u keqpërdorur për qëllime politike.

 

Ai jo vetëm do të çlironte shtetasit që tashmë e kanë ndryshuar vendbanimin dhe nuk e regjistrojnë atë për shkak se pengohen nga sanksionet, por do të hapte mundësinë për ndryshime abuzive në muajt në vijim që përkojnë me fazën më kritike të hartimit të listave të zgjedhësve deri në miratimin e listave përfundimtare.

 

Parë në tërësinë e situatës në vend, klimës së mosbesimit të forcave politike midis tyre, shoqëruar me ndryshimet e njëanshme kushtetuese të datës 30 korrik 2020 dhe atyre të Kodit Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, çdo dyshim mbi qëllimet e përfitimit politik prej mazhorancës për këtë nismë ligjore është i mëse i besueshëm.

Në ato zona ku mazhoranca qeverisëse e ndjen veten të dobët politikisht, tashmë pa asnjë kufizim mund të nxisë lëvizjen apo transferimin e gjendjes civile, në formën e vetëdeklarimit “të vonuar” (sikur ka ndodhur ky transferim edhe muaj më parë) dhe këto lëvizje të regjistrohen në një njësi të caktuar pa asnjë penalizim apo kufizim kohor, edhe shumë afër datës së zgjedhjeve. Kjo do kishte impakt direkt të pakontrolluar edhe në listat e zgjedhësve.

 

Një ndryshim i tillë në këtë fazë të procesit zgjedhor ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë acarimin e jetës shoqërore në vend.

 

Për më tepër, Kodi Zgjedhor parashikon rishikimin periodik të shpërndarjes së mandateve sipas qarqeve për zgjedhjet për Kuvendin. Aktualisht mungon informacioni dhe transparenca për publikun për procesin e rishikimit të shpërndarjes së mandateve që përfshin Drejtorinë e Përgjithshme të Gjëndjes Civile dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

 

Ky proces ka rëndësi shumë të madhe kushtetuese por edhe politike. Saktësia dhe transparenca e tij jo vetëm ndihmojnë në arritjen e standardeve ndërkombëtare në zgjedhje, por edhe në besueshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve nga publiku dhe forcat politike të përfshira në zgjedhje.

 

Shpërndarja e mandateve bëhet ekskluzivisht mbi bazën e numrit të shtetasve që kanë regjistruar vendbanimin në secilin qark.

 

Ndryshimi i numrit të shetasve me vendbanim në secilin qark mund të çojë në ndryshim të përfaqësimit të secilit qark në Kuvend, nëpërmjet uljes apo rritjes së numrit të mandateve përkatës.

 

Prej kohësh në media raportohen informacione kontradiktore në lidhje me qarqet që do të preken nga ndryshimi i numrit të mandateve, gjë që ka përbërë bazë për hipoteza në lidhje me keqpërdorjen e procesit të shpërndarjes së mandateve me qëllim të krijimit të avantazhit politik, duke spostuar mandate nga një qark në tjetrin, sipas interesit për rezultat zgjedhor sa më të favorshëm.

 

Kjo situatë është krijuar nga mungesa e informacionit dhe transparencës për publikun nga institucionet përgjegjëse për shërbimin e gjendjes civile, që administron të dhënat e vendbanimit të shtetasve mbi bazën e të cilave më pas përllogaritet shpërndaja e mandateve.