Presidenti Meta: Krenohemi me harmonin fetare në vendin tonë, të parët tanë u kujdesën për unitetin kombëtarë me largpamësi

490
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë në simpoziumin me temë “Imam Aliu midis traditës dhe modernitetit ”, ku ka vlerësuar bektashizmin dhe figurën e Imam Aliut. Ai tha se kontributi filozofik dhe personaliteti i Imam Aliut vazhdon të inspirojë dhe se për bektashinjtë, Shqipëria ngelet mbi gjithçka.
“Jam i lumtur që jemi bashkë në këto momente në prag të festes së Sulltan Novruzit. Në këto ditë vëmendja, përkushtimi dhe dashamirësia shkojnë për besimtarët bektashinj. Besimi që ju përfaqësoni dhuron përherë shpresë mirëkuptim, paqe dhe harmoni. Vlerësoj idenë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për të trajtuar në simpoziume ide rreth doktrinës bektashiane e rolit të prelatëve të saj. Kontributi filozofik dhe personaliteti i Imam Aliut vazhdon të inspirojë e të ngelet i qenësishëm. Në thelb të veprës së vet Imam Aliu predikoi dhe lartësoi dijen dhe drejtësinë. Vlerat e vërteta njerëzore, paqja shpirtërore dhe progresi shoqërisë e kanë burimin te dituria dhe drejtësia”, deklaroi Meta.
Presidenti tha më tej se bektashizmi përfaqëson një besim tradicional, dije dhe kulturë të konsoliduar në Shqipëri.
“Në mënyrë të veçantë do të vlerësoja kontributin, sakrificat dhe mundin e shumë bektashinjve të ndritur me në krye Dede Reshat Bardhin. Për bektashinjtë tanë Shqipëria ngelet mbi gjithçka! Për lirinë, shkollën dhe kulturën kombëtare ata nuk kanë kursyer as jetën. Ky besim u shndërrua në shekuj në burim dialogu e tolerance, në faktor të rëndësishëm kulture e patriotizmi”, tha ai.
Meta theksoi se harmonia midis feve në Shqipëri është tashmë proverbiale, ndaj ne krenohemi me të.
“Themeluesit e Shtetit Shqiptar u kujdesën me largpamësi që shteti të ngrihej mbi të gjitha besimet dhe në radhë të parë mbi unitetin kombëtar. Ky simpozium sot është një kontribut për ndriçimin e shpirtit, paqes dhe harmonisë fetare”, u shpreh Meta.
Sigal