Presidenti Meta i prerë: Nuk do ti njoh ndryshimet kushtetuese!

265
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar konferencën e përjavshme për mediat, siç është bërë zakon tashmë. Një gjë të tillë e paralajmëroi dhe  Zëdhënësi i tij Tedi Blushi ditën e djeshme, ka folur rreth çështjeve aktuale që po ndodhin në vend si pandemia COVID19, Reforma Zgjedhore etj. 

Çështja e parë dhe kryesore sot duhet të ishte përballimi i pandemisë COVID-19, pasi situata vazhdon të jetë mjaft kritike. Megjithatë në axhendë të opinionit publik, nuk e kam futur unë këtë, është sot çështja që lidhet me një inisiativë për disa ndryshime kushtetuese.

Si President i Republikës e kam përshëndetur marrëveshjen e 14 Janarit 2020 që formësoi Kuadrin e Bashkëpunimit midis të gjitha palëve për Reformën Zgjedhore, si një ngjarje mjaft të rëndësishme, pasi e riktheu opozitën në institucione.

Shënova si arritje të Këshillit Politik, Marrëveshjen e 5 Qershorit 2020, në frymën e bashkëpunimit dhe kontributit të përbashkët të të gjitha forcave politike edhe për ecurinë e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Kjo Marrëveshje, sikundër e dini, u mbështet nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë, si dhe nga Sekretari Amerikan i Shtetit, z.Mike Pompeo, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Përmbyllja e Reformës Zgjedhore me gjithëpërfshirje dhe konsensus, do të konsiderohej nga Bashkimi Europian si kushti i parë i përmbushur nga Shqipëria.

Iniciativa e mazhorancës për të ndryshuar Kushtetutën, 10 ditë pasi ishte dakordësuar një marrëveshje dhe pa konsensusin e Këshillit Politik, e prish në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e 5 Qershorit, e zeron këtë arritje të Shqipërisë, si dhe për fat do dëmtonte kredibilitetin e ministrit tonë të Jashtëm, njëkohësisht edhe Kryeministër, edhe në cilësinë e tij dhe të vendit tonë, si kryetar i radhës së OSBE-së.

Propozimi për Ndryshime Kushtetuese:

  • Zeron përpjekjen 9 mujore për gjetjen e një konsensusi të të gjitha palëve politike në vend për Reformën Zgjedhore, me qëllim rikthimin e plotë të legjitimitetit të të gjithë institucioneve demokratike në vend.
  • Me qëllim ruajtjen e stabilitetit të vendit është e domosdoshme që palët politike t’i qëndrojnë besnike marrëveshjes së arritur, veçanërisht kur për to janë investuar partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA-BE, njëkohësisht dhe Britania e Madhe.

 

  • Marrëveshja e 5 Qershorit i hap rrugën përmbushjes së të parit prej 15 kushteve, për nisjen zyrtare të bisedimeve për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

  • Këto ndryshime kushtetuese që synohen të realizohen në mënyrë, jo vetëm të njënashme, por edhe antikushtetuese, janë në kundërshtim me parimet e vendosura nga Komisioni i Venecias të parashikuara në Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet ZgjedhoreKomisionit të Venecias, si udhërrëfyesi i vetëm për vendet e Këshillit të Europës për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike.

 

Ndryshime thelbësore të sistemit zgjedhor duhet të nisen të paktën 1 vit para periudhës zgjedhore.

Këtë qëndrim e ka mbajtur edhe zyra e OSBE-së në Tiranë, që më për më tepër ka theksuar faktin se: “është shumë vonë për të nisur diskutimet”.

Përse Kuvendi aktual nuk ka legjitimetin e duhur dhe të plotë për ndryshime kushtetuese?

  • E thekoj, në mënyrë të përsëritur prej gati 1 viti, që Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka legjitimitetin kushtetues dhe politik për të realizuar ndryshimet kushtetuese.

 

  • Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë që kanë fituar mandatin nga procesi zgjedhor, dhe ku përfshihen edhe tre deputetët e opozitës të cilët nuk pranuan me të drejtë të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar.

 

  • Pas dorëheqjes në bllok të 58 deputetëve të opozitës dhe 124 kandidatëve pasues për deputetë të të gjitha partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit, mund të themi se 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës nuk pranuan të ishin pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.

 

  • Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, edhe sot siç e dini Kuvendi ka vetëm formalisht 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrim i përcaktuar në nenin 64 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë.

 

  • Të gjitha procedurat e parashikuara nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Rregullorja e Kuvendit nuk janë respektuar në zëvendësimin e mandateve.

 

  • Kodi Zgjedhor në nenin 164 parashikon se:

Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës.

Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës.”

  • Pra Kodi Zgjedhor e ndalon dorëheqjen në bllok nga mandatet.

 

  • Ndërkohë që, asnjë deputet i dorëhequr nuk u thirr përpara ndonjë Komisioni apo nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për t`u dëgjuar mbi arsyet e dorëheqjes dhe për të deklaruar publikisht heqjen dorë nga mandati, sipas kërkesave të nenit 164, pika 1 e Kodit Zgjedhor.

 

  • Kuvendi kishte 30 ditë kohë për secilin deputet për të realizuar këto procedura, por nuk e respektoi këtë kërkesë të Kodit Zgjedhor, duke nxituar për t`i zëvendësuar mandatet vetëm përmes njoftimeve administrative të Sekretarit të Përgjithshëm.

 

  • Në zbatim të nenit 71/2 “b” dhe 75/2 të Kushtetutës, nenit 164/1 të Kodit Zgjedhor, si dhe nenit 13 e në vijim të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, të gjitha veprimet proceduriale, të vlerësimit dhe vendimarrjes mbi konstatimin e vakancave në Kuvendin e Shqipërisë dhe vërtetimit të kushteve të mbarimit të mandatit për çdo deputet të dorëhequr duhet të ishin kryer fillimisht nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe më pas nga vetë Kuvendi i Shqipërisë me vendim në seancë plenare.

 

  • Ndërkohë në kundërshtim me kërkesat e Kodit Zgjedhor dhe Rregullores së Kuvendit, të gjitha veprimet, vlerësimet dhe njoftimet për secilën nga vakancat e shfaqura në Kuvendin e Shqipërisë, të lindura për shkak të dorëheqjes nga mandati i deputetit rezulton të jenë kryer vetëm nga Sekretari i Përgjithshëm me shkresa të thjeshta administrative.

 

  • Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jashtë kompetencave të tij dhe në kundërshtim me procedurën e kërkuar për çdo dorëheqje të dorëzuar, menjëherë (brenda një periudhe nga 1 deri nga 4 ditë nga dorëzimi i dorëheqjes) ka kryer veprimin e konstatimit të vakancës dhe njoftimin e saj në KQZ.

 

  • E gjithë veprimtaria dhe praktika administrative e ndjekur në këtë drejtim është në kundërshtim me kërkesat e ligjit dhe paraqet tërësisht elementë të pavlefshmërisë absolute.

 

  • Nën këtë regjim dhe praktikë totalisht antikushtetuese dhe antiligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas njoftimit të krijimit të vakancës prej Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, edhe pse është njohur me faktin se praktika shkresore nuk përmbante asnjë vendim të Kuvendit të Shqipërisë sipas ligjit, sërish ka vijuar me ndjekjen e procedurave për plotësimin e menjëhershëm të vakancave, sipas rendit zbritës në listat shumëemërore, duke u bërë kështu pjesë e këtij procesi tërësisht të paligjshëm.

 

Këto janë disa nga arsyet kryesore dhe thelbësore që i bëjnë ato mandate opozitare të zëvendësuara jo legjitime dhe për të cilat shpesh herë më keni dëgjuar si President i Republikës, ta përmend si fakt që Kuvendi nuk ka legjitimim për të realizuar reforma kushtetuese.

Pse iniciativa për ndryshimin e Kushtetutës është në vetvete antikushtetuese?

 

  • Procedura parlamentare e nismës për rishikimin e Kushtetutës është në kundërshtim flagrant me nenin 170 pika 5 dhe 177 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe si e tillë ajo nuk mund të shqyrtohet. Në këto dispozita citohet se:

 

Neni 170/5

Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme”.

Më duhet të lexoj për ju një tjetër dispozitë të Kushtetutës.

 

“Neni 177/2

[…] 2. Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme”.

 

Nisma për rishikimin e Kushtetutës në këtë rast është propozuar në Kuvend nga një grup deputetësh të opozitës së re, të cilët siç e citova më sipër, jo vetëm që kanë hyrë në sallën e Kuvendit në kundërshtim me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe Rregulloren e Kuvendit, por e kanë paraqitur propozimin e tyre në Kuvend me Nr.Prot. 1561, në datë 15.06.2020.

Pikërisht në këtë datë 15 qershor 2020, Shqipëria ishte ligjërisht nën gjëndjen e fatkeqësisë natyrore të shpallur nga vet Kuvendi i Shqipërisë, me Vendimin nr.18/2020, gjëndje kjo e cila përfundonte sipas këtij vendimi më datë 23 qershor 2020.

 

Në këto kushte, “ndërmarrja e nismës” së këtyre deputetëve edhe pse siç ka dalë publikisht është frymëzuar nga Kryeministri, për të rishikuar Kushtetutën ka lindur dhe është zhvilluar pikërisht brenda periudhës ku vendi i nënshtrohej masave të jashtëzakonshme.

 

Pikërisht për këtë arsye thotë Kushtetuta në nenin 177 pika 2, kjo nismë bie ndesh me vet dispozitat e kristalta të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe si e tillë ajo nuk mund të vijojë të shqyrtohet.

Për të mos e harruar këtë po jua rilexoj edhe një herë nenin 177 pikat 1 dhe 2 të Kushtetutës. 

Neni 177/2

“[…] 2. Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme”.

Pra “ndërmarrja e kësaj nisme”, nuk mund të realizohej në momentin kur në vend janë duke u zbatuar masat e jashtëzakonshme që në rastin konkret, ishin në aplikim si rezultat i gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Pse ndalimi i koalicioneve është antikushtetues?

Ndryshimet që synohen t`i bëhen në mënyrë të njëanshme Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, jo  vetëm që janë depozituar dhe po shqyrtohen në kundërshtim me kërkesat e Kushtetutës, por edhe për nga përmbajtja thelbësore, bien ndesh me parashikime të qarta të saj.

Kushtetuta, në nenin 96, njeh qartë koalicionin e partive politike, kur sanksionon në paragrafin e parë të saj se:

“Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.”

Ndryshimet e propozuara, nëse vazhdojnë të shqyrtohen dhe të miratohen, përveç antikushtetutshmërisë së procesit në vetvete, do të krijojnë përplasje të fortë edhe me këtë dispozitë që i njeh kompetencën Presidentit të Republikës që emërimin e Kryeministrit ta pranojë nga partia apo “koalicioni” që ka marrë shumicën e vendeve pas procesit zgjedhor.

Pra, parashikimi i nenit 68 të Kushtetutës që po synohet të ndryshohet, me justifikimin absurd se ka qënë një ndryshim i bërë në vitin 2008, në nxitim e sipër, dhe se koalicionet mund dhe duhet të parashikoheshin vetëm në Kodin Zgjedhor dhe jo në Kushtetutë, bie poshtë, në raport me parashikimin e forte të nenit 96 të Kushtetutës, që nuk është ndryshuar asnjëherë, as në vitin 2008 dhe as në vitin 2016 dhe që njeh qartë organizimin e partive politike në koalicione.

E theksoj se, neni 96 i Kushtetutës, si një dispozitë tepër thelbësore për formimin e qeverisë, është vendosur që në Referendumin e vitit 1998 nga populli shqiptar dhe është i paprekshëm!

Presidenti i Republikës çmon se Kushtetuta është ligji themeltar i shtetit dhe nuk mund të trajtohet si dokumenti më pa vlerë, që mund të ndryshohet në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë diskutim gjithëpërfshirës, thjesht për arritjen e objektivave të ngushta politike të momentit një force politike apo individëve të caktuar.

Një sjellje e tillë e njëanshme thellon edhe më tej jo vetëm konfliktin politik në vend, por edhe atë institucional, përmasat e të cilit kanë qenë tepër shqetësuese për qytetarët dhe partnerët tanë.

Si garant i Kushtetutës dhe unitetit të popullit, u bëj thirrje të gjithëve për përgjegjshmëri dhe reflektim, dhe njëkohësisht do të ushtroj të gjitha përgjegjësitë e mia kushtetutese për të frenuar një veprim të tillë të paprecedent në 3 dekada pluralizëm.

Një akt i tillë i njëanshëm nuk do të njihet nga Institucioni i Presidentit të Republikës, që përfaqëson unitetin e popullit dhe që është i vetmi garant institucional i mbrojtjes së Kushetutës që funksionon aktualisht në vend.