Presidenti Meta i përgjigjet sërish Gazment Bardhit: Ja pse data 6 mars favorizon opozitën dhe jo mazhorancën

110
Sigal

Postimi

STOP GËNJESHTRAVE të deputetëve Basha-Bardhi për PRESIDENTIN E REPUBLIKËS!

ÇMONTIMI I GËNJESHTRËS SË DYTË!

Lidhur me gënjeshtrat e tjera të deputetit Bardhi, se gjasme, “Dekretimi i beftë i zgjedhjeve nga Presidenti ka patur një qëllim, për të vënë në vështirësi PD”, apo “lidhur me mungesën e konsultimit me forcat politike për caktimin e datës 6 mars 2022 për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 Bashki”, bëjmë me dije kujtdo që ka interes, se:

Deputeti Bardhi, e di se, Presidenti i Republikës funksionon sipas Kushtetutës dhe Ligjeve të shtetit në fuqi.

Presidenti i Republikës, nuk mund të dekretojë, apo të mos dekretojë datë zgjedhjesh sipas kapriçove dhe oreksit të forcave politike.

Se kur ato zhvillohen e dikton Kushtetuta dhe Ligji.

Deputeti Bardhi, e di që sipas Kodit Zgjedhor, Ligjit për Vetqeverisjen Vendore, Presidenti i Republikës, dekreton datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore vetëm pasi ai njoftohet zyrtarisht nga organet e njohura nga ligji për vakancat e krijuara.

Sipas ligjit këto institucione që kanë për detyrë të njoftojnë Presidentin e Republikës janë; Këshilli i Ministrave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Presidenti i Republikës, është njoftuar për herë të parë nga këto dy organe (KM dhe KQZ) vetëm në datat 17-18 janar janar 2022, dhe kjo vetëm pasi Presidenti i kërkoi këtyre informacion zyrtar.

E sqarojmë deputetin Bardhi që për zgjedhjet e pjesshme, afati minimal dhe maksimal, brenda të cilave zhvillohen zgjedhjet sipas Kodit Zgjedhor është nga 30-45 ditë, duke nisur nga momenti i njoftimit të vakancës.

I gjithë procesi i njoftimit të Presidentit të Republikës nga Këshilli i Ministrave, KQZ dhe Gjykata Kushtetuese, për vakancat e parakohshme të krijuara në këto 6 Bashki ka përfunduar në datën 20 janar 2022.

Presidenti i Republikës, i konsultuar me KQZ dhe me kërkesë të kësaj të fundit midis dy datave më të mundshme 27 shkurt dhe 6 mars 2022 dekretoi afatin maksimal 45 ditor, pra datën 6 mars 2022 si datën më të përshtatshme të mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme për këto 6 Bashki, pa kryetar.

Kjo pikërisht që, KQZ që ka përgjegjësinë e organizimit të tyre dhe gjithë forcat politike të kenë mundësi të realizojnë një proces dhe fushatë zgjedhore sa më të mirë dhe të përshtatshme.

Presidenti nuk u konsultua me asnjë forcë politike, por realizoi një takim me përfaqësues të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, për të përmbushur detyrimet kushtetuese, lidhur me datën e kërkuar nga KQZ dhe përgjegjësitë që ka Kuvendi në këtë proces.

Zoti Bardhi, duhet ta kuptojë që realizimi i zgjedhjeve në afatin maksimal 45-ditor, pra në datën 6 mars 2022, lehtëson punën e KQZ-së dhe ndihmon më së shumti forcat opozitare garuese, duke i dhënë afatin maksimal të njohur nga ligji.

Nëse Presidenti, do të kishte zgjedhur afatin minimal 30-ditor, për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme, që përkonte me datën 20 shkurt 2022, atëherë kjo do të ishte në shërbim të Partisë në pushtet.

Presidenti favorizoi forcat opozitare dhe jo partinë në pushtet z.Bardhi!