Presidenti Meta hedh vallen e Lunxhërisë, dekoron mësuesin Koto Hoxhi (video)

386
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerëson rilindasin e shquar, martirin e gjuhës shqipe dhe mësuesin  Koto Hoxhi (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”. Nderimi i lartw ishte me motivacionin “Për kontributin e shquar në hedhjen e themeleve të arsimit dhe gjuhës shqipe, të rilindjes kulturore e letrare shqiptare, si dhe zgjimit të vetëdijes kombëtare në shërbim të luftës për pavarësinë e Shqipërisë. Në vlerësim të veprimtarisë së çmuar si mësues, atdhetar dhe krijues i talentuar ai iu përkushtua deri në sakrificën më sublime atdhedashurisë, historisë, gjuhës, harmonisë fetare, identitetit shqiptar dhe lirisë së vendit”.

Në fjalën e rastit gjatë ceremonisë solemne ku ishin të pranishëm personalitete të kulturës, studiues dhe akademikë, drejtues institucionesh dhe anëtarë Shoqatës kulturore “Lunxhëria”,  Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh: “Në shekuj Lunxhëria ia ka dalë të shkruajë faqe të lavdishme atdhetarie, arsimimi, kulture dhe emancipimi shoqëror! Fjalët sonte nuk do të mjaftonin për të përcjellë gjithë respektin, mirënjohjen dhe nderimin shtetëror për krahinën tuaj të mrekullueshme”, u shpreh kreu i Shtetit.

Ndërsa në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Presidencës, Meta i është bashkuar grupi folklorik, duke hedhur valle për Lunxhërinë.

Postimi i presidentit në Facebook

Në shekuj Lunxhëria ia ka dalë të shkruajë faqe të lavdishme atdhetarie, arsimimi, kulture dhe emancipimi shoqëror, duke i falur Shqipërisë burra e gra të shquara!

Këtu lindi dhe u edukua një nga Rilindasit e mëdhenj, pionieri i arsimit shqiptar, Koto Hoxhi, i cili mbolli në errësirën e kohës farën e dijes, të alfabetit dhe të gjuhës shqipe, dhe edukoi me ndjenjën e lirisë dhe krenarinë e identitetit kombëtar Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, por edhe shumë të tjerë.

Në vlerësim për kontributin e shquar në hedhjen e themeleve të arsimit dhe gjuhës shqipe, të rilindjes kulturore e letrare shqiptare, si dhe zgjimit të vetëdijes kombëtare në shërbim të luftës për pavarësinë e Shqipërisë, pata nderin të vlerësoj me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Koto Hoxhin, i cili do të flijohej i bindur në fitoren e kauzës shqiptare për liri, arsim dhe emancipim shoqëror!

Me këtë gjest ne nderojmë kontributin e tij në shërbim të kombit, por edhe përcjellim mesazhin e përkushtimit patriotik për gjeneratat e reja!

Shqipëria që kemi sot nuk mund të ishte produkt i rrethanave të kohës, por vepër e sakrificave të panumërta. Ndaj edhe shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë për burra dhe gra sa më atdhetarë dhe të përgjegjshëm për fatet e vendit!

Meta hedh vallen e Lunxhërisë, dekoron mësuesin Koto Hoxhi

Meta hedh vallen e Lunxhërisë, dekoron mësuesin Koto Hoxhi