Presidenti Meta: Gjykata Kushtetuese do të jetë plotësisht funksionale vetëm kur të plotësohet me të 9 anëtarët e saj

266
Sigal

Intervistë e Presidentit Meta për gazetaren Matilda Mçini në Televizionin “Ora News” (Pjesa e dytë)

 Pyetje: Një çështje tjetër po kaq e rëndësishme sa çështja e detit është edhe Gjykata Kushtetuese. Prej tri vitesh ka pasur debat, diskurs politik për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Zoti President Gjykatën Kushtetuese e kemi funksionale. E vonuar sipas jush, por gjithsesi ne e kemi. Çfarë prisni ju nga kjo gjykatë?

Presidenti Meta: Gjykata Kushtetuese do të jetë plotësisht funksionale vetëm kur të plotësohet me të nëntë anëtarët e saj.

Natyrisht, që mund të nisë shqyrtimi i çështjeve të caktuara.

Në radhë të parë është përgjegjësi e madhe për të gjithë ata që e bllokuan Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë për gjithë këto vite.

Nuk ka pasur asnjë arsye që Shqipëria të ngelej pa Gjykatë Kushtetuese funksionale edhe për një sekondë të vetme.

Dihet se kush i bllokoi tre apo katër KED në mënyrë të njëpasnjëshme.

Dihet gjithashtu se interesi i kujt ka qenë, që Shqipëria të mos kishte Gjykatë Kushtetuese përgjatë këtyre tre-katër viteve në mënyrë që qeveria të dilte jashtë kontrollit, parlamenti një partiak të dilte jashtë kontrollit dhe të miratoheshin gati 30 e ca ligje antikushtetuese me pasoja të rënda ekonomike dhe financiare për qytetarët shqiptarë.

Dhe jo vetëm kaq, por edhe të kapeshin në mënyrë të njëanshme shumë institucione kushtetuese dhe të pavarura në vend.

Për të gjitha këto arsye, e shohim ccdo ditë se në çfarë parametrash të funksionimit, jo vetëm të shtetit të së drejtës, por edhe të demokracisë, jemi sot në vendin tonë.

Sidoqoftë unë besoj se institucionet e reja të drejtësisë do të mund të jenë të pavarura dhe efektive vetëm pas 25 prillit, për arsye se ato janë ndërtuar dhe veprojnë nën një trysni të jashtëzakonshme politike dhe partiake.

Pyetje: Ju e keni thënë edhe më herët në fakt dhe e keni lidhur diskursin tuaj se Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale pas 25 prillit. E thatë edhe tani, por jemi në kuadër të shtatë anëtarëve tashmë të Gjykatës Kushtetuese. Çfarë bëri që Presidenti i Republikës të ndryshojë mendim?

Presidenti Meta: Cili është mendimi që ka ndryshuar Presidenti? Kur KED-ja ka sjellë një vakancë te Presidenti dhe Presidenti nuk ka vepruar? Përkundrazi, është Presidenti, i cili në mënyrë të përsëritur i është drejtuar KED-së prej tri vitesh, në mënyrë të përsëritur, për të shpallur vakancat për ato që i takonin Presidentit, përveç institucioneve të tjera. Kur KED-ja solli vakancën e parë për zotin Muçi, Presidenti veproi menjëherë, e dekretoi apo jo? Brenda 24 orësh. Kjo është e vërteta.

Së dyti, për vakancat e tjera që kemi aktualisht, përsëri Presidenti veproi menjëherë.

Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi nga Kuvendi përmes akteve mafioze të ish-kreut të KED-së,  për një vakancë të Presidentit, që i ka denoncuar shumë qartë edhe Komisioni i Venecias.

Vakanca që duhej të shprehej Presidenti, iu mor nga Parlamenti njëpartiak dhe ju dha vetes, pra mazhorancës, duke u bërë fakt i kryer përmes botimit të paligjshëm në Fletoren Zyrtare.

Pra kur Presidenti ka vonuar diçka apo është bërë pengesë për diçka?

Presidenti ka qenë i vetmi që ka kërkuar bashkëpunim në mënyrën më transparente. Ia ka kërkuar KED-së dhe ia ka kujtuar KED-së edhe mënyrën se si duhet të vepronte, pra edhe për renditjen, edhe për radhën, sepse radha ishte e përcaktuar në Kushtetutë.

Presidenti nuk mund të shkelte Kushtetutën, sepse detyra e Presidentit është të mbrojë Kushtetutën dhe u kërkoi edhe KED-së, edhe Kuvendit, edhe të gjithë aktorëve të tjerë bashkëpunimin që të respektohej Kushtetuta. Ishin të tjerë ata, të cilët bënë ato veprime të shëmtuara, që i ka bërë shumë të qarta edhe Komisioni i Venecias.

Pyetje: Duke iu referuar kritereve që përcakton Kushtetuta që anëtarët duhet të jenë juristë të spikatur, a mendoni se këta anëtarë ishin zgjedhja më e mirë që ofron vendi ynë?

Presidenti Meta: Unë mendoj se e gjithë Reforma në Drejtësi nga politizimi ekstrem i mazhorancës dhe nga vullneti i saj për kapjen e të gjithë sistemit të drejtësisë ka larguar nga procesi i aplikimit shumë personalitete, që mund të kontribuonin në institucionet e drejtësisë. Sepse ata nuk dëshirojnë të bëhen palë në një proces kaq të kompromentuar politikisht.

Përsa u takon kandidaturave aktuale, nuk ka qenë mundësia për të bërë zgjedhje të plota apo për të zgjedhur të paktën midis tri kandidatëve, por e vetmja mundësi që ka pasur Presidenti në rast të moskonfirmimit të kandidatëve të propozuar apo të sjellë nga KED-ja, ka qenë për të kërkuar shpalljen e vakancave nga e para. Që  çfarë do të sillte? Një shtyrje akoma për në “kalendat greke”. Unë mendoj që këto kandidatura kanë një integritet të mjaftueshëm, kanë një edukim të besueshëm në fushën e drejtësisë dhe shpresoj e uroj që ta demonstrojnë këtë integritet në vendimet e tyre në të ardhmen.

Megjithatë për të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese na mbetet detyra të gjithëve që të monitorojmë veprimtarinë e tyre hap pas hapi pasi është institucioni më i rëndësishëm që ka Republika e Shqipërisë dhe pasojat e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të jenë shumë të rënda, në dëm jo vetëm të të gjithë qytetarëve të vendit tonë, të demokracisë, por edhe të sovranitetit, të integritetit të Republikës së Shqipërisë.

Shpresoj që secili ta marrë më shumë përgjegjësi këtë detyrë.

Pyetje: Ju thoni se mazhoranca ka tentuar të kapë të gjitha institucionet në vend?

Presidenti Meta: Ky është fakt. Nuk kemi të bëjmë me një akuzë, kemi të bëjmë me fakte dhe me prova.

Pyetje: Dhe referuar kësaj a mendoni se anëtarët e zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese do të justifikojnë me paanshmërinë e tyre të gjitha situatat e diskutueshme politike dhe çështje teje të rëndësishme?

Presidenti Meta: Unë i inkurajoj që të bëjnë këtë gjë dhe asgjë tjetër, sepse do të ishte në nderin dhe dinjitetin e tyre për të demonstruar integritet. Ashtu sikurse do të ishte në turpin e tyre që të bëheshin vegla politike, vegla partiake apo të grupeve të interesave që dëmtojnë një interes kombëtar, një interes publik.

Ata janë betuar me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe shpresoj që ky të ketë qenë një betim i sinqertë, të cilin në fund fare do ta konfirmojë koha.

Pyetje: Zoti President, sipas ndryshimit të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, në një çështje nuk arrihet numri prej 5 votash, kërkesa do të konsiderohet e rrëzuar edhe pse nuk arrihet të merret një vendim. Sipas kësaj,  a mendoni që fakti i ndarjes së madhe mes jush dhe mazhorancës, nëpërmjet parlamentit, do të ndikohet apo do të përdoret si mekanizëm ligjor, për rrëzimin e shumë kërkesave për çështje tepër të rëndësishme, pa pasur një vendim?

Presidenti Meta: Prandaj unë nuk kam qenë entuziast për të thënë që Gjykata Kushtetuese është funksionale. Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale, kur ajo të ketë 9 anëtarë dhe të jetë në gjendje, që jo vetëm të marrë vendime, por të marrë vendime të drejta në interes të popullit shqiptar dhe të qytetarëve shqiptarë.

Pyetje: Gjykata Kushtetuese thamë që do të jetë e plotë pasi të plotësohet me 9 anëtarët e saj. Por dhe me tre anëtarë që zgjedh Gjykata e Lartë. Ndërkohë, Këshilli i Lartë Gjyqësor duket sikur nuk ka pasur angazhim serioz, madje duket sikur nuk do të ngrihet Gjykata e Lartë.

Atëherë Ju, si Kryetar i Shtetit, si e shikoni pozitën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe bllokimin e pashpjegueshëm për ngritjen e Gjykatës së Lartë?

Presidenti Meta: Besoj se Ju, jeni në dijeni të komunikimeve të mia zyrtare të bëra dhe publike, jo vetëm për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në mënyrë të vazhdueshme, për t’i dhënë fund vonesave për çështjen e kandidaturave, për vakancat dhe për renditjen, por, në mënyrë të vazhdueshme komunikimet e mia kanë qenë zyrtare edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor, edhe për çështjen e Gjykatës së Lartë, me qëllim bërjen e saj funksionale sa më parë.

Pasi në radhë të parë Shqipëria e ka të domosdoshme këtë gjykatë, që ta ketë sa më shpejt funksionale, se janë me dhjetëra e mijëra dosje që presin për t’u shqyrtuar. Dhe kjo  është një kosto shumë e madhe për vendin tonë, për qytetarët, për ekonominë tonë.

Dhe së dyti, sepse patjetër që një e treta e Gjykatës Kushtetuese, do të zgjidhet nga Gjykata e Lartë dhe kjo padyshim  e bën funksionalitetin e Gjykatës së Lartë edhe më të rëndësishëm, edhe më emergjente.

Pyetje: Nëse do të vijojë i njëjti proces vonese dhe ngërçi të krijuar, a do të duhet që të nxirren përgjegjësitë e Këshillit të Lartë Gjyqësor? Çfarë hapash do të ndërmerrni Ju më pas, brenda kompetencave si garant i Kushtetutës?

Presidenti Meta: Unë kam bërë dhe do të bëjë të gjitha hapat e duhur për t’i nxitur të gjitha institucionet të mos ndikohen nga politika, të mos bëhen pjesë e lojërave të saj për zvarritjen e krijimit të institucioneve të reja, në mënyrë kushtetuese dhe në mënyrë të ligjshme.

Pyetje: Zoti President, Gjykata Kushtetuese do të duhet të shqyrtojë një prej çështjeve më të rëndësishme, legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, çfarë prisni ju në këtë aspekt, jo vetëm por edhe prishjen e teatrit kombëtar?

Presidenti Meta: Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë shumë çështje të rëndësishme të cilat tashmë janë atje. Unë uroj që Gjykata Kushtetuese, të tregojë pavarësi, integritet dhe t’i qëndrojë besnike Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

 

Pyetje: Pjesë e Reformës në Drejtësi është dhe krijimi i SPAK,  apo institucionit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Si e shikoni deri më tani punën dhe pozicionin e SPAK-ut, në raport me pritjet e qytetarëve dhe a ka shpresë të ofroj një model të munguar SPAK,  apo të gjitha institucionet e drejtësisë…

Presidenti Meta: Për këtë është më mirë të pyesni qytetarët. Unë, e theksoj dhe një herë tjetër që të gjitha institucionet e drejtësisë, do të mund të tregojnë pavarësinë, integritetin dhe besueshmërinë e tyre pas 25 Prillit.

E them këtë sepse, me një Parlament një partiak, me këtë presion të jashtëzakonshëm, që ushtrohet ndaj institucioneve të drejtësisë, me këto ligje që bëhen për të vendosur policinë mbi SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit në mënyrë antikushtetuese, sigurisht, është e vështirë që të pritet pavarësi dhe rezultate të besueshme nga këto institucione, dhe nga të gjitha institucionet e reja të drejtësisë. Sepse kjo është çështje e vullnetit politik.

Sigurisht, të gjithë e kanë pasur dhe do ta kenë këtë mundësi nëse do të ishin produkt i Reformës në Drejtësi në mënyrë Kushtetuese siç u votua me 140 vota. Por ne,  i dimë të gjitha deformimet që janë bërë, që pikërisht këto institucione të mos kenë pavarësinë e duhur dhe të kërkuar.  Në mënyrë që të mos jenë ato rezultate, të cilat do të kishin parandaluar, apo do të kishin goditur kapjen e shtetit.