Presidenti Meta: Duhet të përmirësojmë efikasitetin e të gjitha masave të bashkëpunimit shtet-qytetarë dhe sipërmarrje

335
Sigal

Intervista e Presidentit Meta për emisionin “Pasdite me Xhaxhiun” të gazetarit Rezear Xhaxhiu në “Fax News”

Gazetari (Rezear Xhaxhiu): Zoti President, si do ta konsideronit situatën sot më 14 prill, normale, optimiste apo pse jo, “të gënjeshtërt”?

Presidenti Meta: Për fat të mirë masat që janë marrë deri tani dhe mënyra se si kanë reaguar qytetarët në tërësi, duke i respektuar këto masa kufizuese, kanë bërë të mundur të mos kemi një situatë tepër të rëndë sa i takon mundësisë së menaxhimit nga pikëpamja e shëndetit publik.

Sidomos përsa i takon terapisë intensive, që ka të bëjë me personat, të cilët janë më të prekur rëndë dhe që u rrezikohet edhe jeta nga ky virus.

Nuk ka aspak vend për të qenë të kënaqur për pasojat, për humbjet e jetëve, që janë gati njëzet e pesë qytetarë deri tani, apo për shumë vuajtje të tjera; për personelin shëndetësor gjithashtu, që ka qenë në vijën e parë dhe është prekur.

Sidoqoftë në raport me një situatë që mund të dilte jashtë kontrollit nëse nuk do të kishte pasur një bashkëpunim më të mirë deri tani, sigurisht që duhet të vazhdojmë në këtë drejtim.

Duhet të përmirësojmë efikasitetin e të gjitha masave të bashkëpunimit shtet-qytetarë dhe sipërmarrje, pasi pa këtë lloj partneriteti do ta kemi të vështirë të tregojmë atë solidaritet që na ndihmon të gjithëve për të ulur kostot.

 

Gazetari: Zoti President, ka pasur një debat këto javët e fundit mes mjekëve, pseudomjekëve, doktorëve të politizuar, politikanëve që kërkojnë të bëjnë mjekët, në lidhje me testimin, sikundër i ka dhënë udhëzimet e qarta OBSH-ja. Do të doja t’ju pyesja: në trekëndëshin testim-identifikim-mjekim, cilët nga brinjët e këtij trekëndëshi është duke çaluar në ditët dhe javët e fundit që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë?

Presidenti Meta: Kjo pandemi është e një lloji të veçantë, për arsye sepse po luftojmë të gjithë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel global, me një virus ende jo të identifikuar mirë nga pikëpamja shkencore.

Dhe po të vëmë re vazhdimisht ka pasur ndryshime qëndrimesh, shumëzimesh apo përmirësime të menaxhimit të kësaj krize nga vetë OBSH-ja që është kritikuar jo pak nga shtetet më të rëndësishme që financojnë atë.

Për ne është mjaft e rëndësishme të mos humbasim përqendrimin dhe durimin, si dhe të rrisim efikasitetin nga tani dhe në ditët që vijnë në mënyrë që këtë situatë, jo vetëm nga pikëpamja e shëndetit publik, e pandemisë, të përpiqemi ta kemi totalisht nën kontroll, por njëkohësisht për të shkuar drejt normalitetit në mënyrë të sigurt dhe mjaft të disiplinuar.

Gazetari: Përfaqësuesit e opozitës kanë pasur ndërkohë një qasje kritike për strategjinë që po ndjek ekzekutivi në luftën kundër COVID-19. Duket sikur ekzekutivi ka një mungesë transparence hera-herës në raport me qytetarët, me opozitën, dhe pse jo, edhe në raport me Presidencën. E ndani ju këtë lexim timin, zoti Meta?

Presidenti Meta: Ajo që dua të ndaj me ju është se kjo situatë deri tani është paraqitur e qëndrueshme në tërësi. Të gjithë kanë dhënë kontributet e tyre, pasi edhe opozita që ju përmendët kanë qenë mjaft aktive.

Madje, u ka kërkuar prej kohësh, përpara se të shfaqej pacienti i parë i infektuar në vendin tonë, për të marrë masa më të forta kufizuese. Të mos harrojmë se opozita ka qenë mbështetëse e masave kufizuese në vend, madje shpesh ka qenë edhe më kërkuese se sa qeveria. Ka kërkuar më shumë testime për t’u zhvilluar me vlerësimin se kjo do të ndihmonte për të zotëruar më mirë situatën dhe për të forcuar më shumë gjurmueshmërinë. Ka dhënë edhe shumë ide të tjera, një pjesë e të cilave janë reflektuar edhe nga qeveria në vendimmarrjet e saj të herëpashershme.

Pra, edhe në pikëpamjen e diversitetit mendoj se ka pasur bashkëpunim dhe secila palë përmbush përgjegjësitë e saj edhe në këtë kohë.

Gazetari: Jeni i sigurt kur thoni fjalën bashkëpunim, sepse pyetja ime ishte kjo: Si e gjykoni ju këtë “bashkëpunim” midis pozitës dhe opozitës duke qenë se jemi në një luftë, siç preferon ta cilësojë zoti Rama, pavarësisht se unë kam rezervat e mia? Besoj se edhe ju keni rezervat tuaja në lidhje me vokabularin e zotit Rama, por ky është një problem tjetër. Pra, ju mendoni se ka një bashkëpunim midis pozitës dhe opozitës?

Presidenti Meta: Është e sigurt që virusi nuk ka as paragjykime, as preferenca politike apo partiake.  Është një armik i të gjithëve dhe në radhë të parë i qytetarëve, kështu që mendoj se angazhimi dhe shqetësimi është i të gjitha forcave politike për ta përballuar sa më mirë. Fakti që ka mendime të ndryshme mendoj se është shumë i mirë, se sa të mos kishte as një mendim alternativ apo kundërshtues…

Gazetari: E saktë.

Presidenti Meta: …apo reflektiv. Po të shohim edhe qeveria është në një proces të vazhdueshëm të rivlerësimit apo të reflektimit të masave.

Të mos harrojmë se partneri ynë më i afërt, kur Shqipëria ka qenë në vështirësi, Italia, ka qenë më e godituara në Europë për më shumë se dy muaj. Dhe është vendi me të cilin ne kemi lidhjet më të forta njerëzore edhe përsa u takon shkëmbimeve, por edhe për sa i takon biznesit, ekonomisë dhe eksporteve.

Kështu që Shqipëria nuk mund të mbetej jashtë hartës së kësaj pandemie edhe për këtë arsye. Dhe fakti se në Itali ka një përmirësim të treguesve ditët e fundit, na ndihmon për të qenë edhe ne më optimistë, se së shpejti edhe në vendin tonë, por edhe në rajonin tonë do të mund ta tejkalojmë këtë situatë.

 

Gazetari: Ekzekutivi ditët e fundit bëri disa ndryshime në Kodin Penal, duke ashpërsuar dënimet për ata që shkelin rregullat e luftës. Një veprim i tillë duket u kundërshtuar “en bloc” të themi nga segmentë të caktuara, fillimisht të opozitës, të shoqërisë civile, etj. Si garant i Kushtetutës dhe i të drejtave të shtetasve shqiptarë, si do t’i gjykonit ju këto ndryshime? A ekziston – në leximin tuaj si njohës i mirë i Kushtetutës dhe i politikës – frika që përmes këtyre ndryshimeve drastike në Kod të kemi forcimin nesër, pasnesër të një lloj autokracie sot si një fenomen të një diktature të nesërme? çdo gjë bën vaki apo jo?

Presidenti Meta: Ne nuk kemi jemi një vend, që kemi vuajtur nga mungesa e tipareve të autokracisë edhe në kohë të qeta, që nuk kanë të bëjnë me pandeminë, por kjo nuk është çështje që shtrohet sot.

Sfida kryesore për të gjithë është që të rrisim sa më shumë ndërgjegjësimin e qytetarëve për ta fituar këtë betejë me përgjegjshmëri, me durim, me pozitivitet, pasi nuk mendoj se është çështja e penalizimeve dhe frikësimeve në plan të parë, kur kemi të bëjmë me një reagim të 3 milionë qytetarëve, të cilët pa asnjë diskutim që janë të interesuar për shëndetin e tyre, për jetën e tyre, për familjet e tyre, prandaj unë gjithmonë kam nënvizuar rëndësinë e frymës së bashkëpunimit.

Në këtë drejtim të gjitha masat kufizuese duhet të jenë proporcionale me situatën dhe gjithmonë në respekt të Kushtetutës dhe në respekt edhe me konventat ndërkombëtare, që Shqipëria është e detyruar t’i respektojë.

Kushtetuta jonë është shumë e mirë, i ka parashikuar edhe raste të tilla, kur për hir të një arsyeje madhore ndërmerren disa kufizime të përkohshme që gjithmonë bëhen për të mbrojtur një interes më të madh publik, kombëtar, shtetëror.

Gazetari: Ka një interesim shumë të madh nga njerëzit në lidhje me pyetjet që më vijnë për ju. Unë kam zgjedhur një prej tyre, sepse është shumë sensitive, më saktësisht nga biznesi.

Situata nuk është vetëm mjekësore, por më komplekse. Sipas gjykimit tim, thotë ky person, bomba më e madhe nuk është goditja nga virusi. Kjo do të bëjë punën e vet nesër, pasnesër, por më e rëndë do të të jetë goditja nga ngadalësimi ekonomik. Kjo, thotë zotëria, do të sjellë një dëm shoqëror qindra herë më të madh se ai i virusit. Për këtë asnjë nuk është i përgatitur. Cili është opinioni juaj?

Presidenti Meta: Unë mendoj se vlerësimi është i drejtë në kuptimin, që ekonomia gjithashtu është e kërcënuar për shkak të masave që janë marrë.

Por këto masa, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, që janë marrë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve, që vjen e para dhe që është gjëja më e rëndësishme. Ndoshta tani pasi kemi përballuar relativisht një periudhë mjaft të vështirë sa i takon pandemisë dhe ku rritet paksa edhe optimizmi për përmirësimin e kësaj situate, vëmendja bëhet edhe më e fortë drejt ekonomisë dhe pasojave që do të ketë në jetën e çdo familjeje, të çdo qytetari.

Padyshim që ky është një problem i madh, është një problem përsëri ku bashëpunimi ndërmjet shtetit, ndërmjet qeverisë, ndërmjet Bankës së Shqipërisë, ndërmjet sipërmarrjeve dhe grupeve të interesit duhet të forcohet, pasi kemi të bëjmë me një interes kombëtar dhe publik për rikuperuar sa më shpejt këto humbje, këto dëme, që kanë ardhur nga ndërprerja e shumicës së aktiviteteve ekonomike gjatë kësaj periudhe.

Në këtë drejtim unë besoj që edhe qeveria është e angazhuar, edhe opozita ka bërë propozimet e saj, edhe dhomat e ndryshme të biznesit kanë dhënë idetë e tyre dhe besoj që edhe këtë kosto ta ndajmë në mënyrën më të drejtë dhe më transparente midis të gjithëve.

Gazetari: Zoti Meta, ju jeni njohës i mirë i ekzekutivit keni qenë Kryeministër, Zëvendeskryeministër, ministër. Nëse do të ishit sot kryeministër i COVID-19, çfarë do të bënit ndryshe?

Presidenti Meta: Unë nuk mund të them aspak se çfarë do të bëja në një rast të tillë, për arsye se unë jam President. Në këtë situatë jam përpjekur dhe përpiqem të bëj më të mirën për të nxitur dhe motivuar energjitë më pozitive të të gjithë aktorëve, për të përballuar një fatkeqësi të tillë, për të nxjerrë sa më shumë mësime prej saj dhe për të patur sa më pak pësime.

Sepse jemi ende në një proces dhe e gjitha kjo do ta ndihmojë të gjithëve dhe për një reflektim më të gjerë edhe shoqëror.

Gazetari: Zoti Meta, duket se një armik i përbashkët ju ka afruar në një front me kryeministrin Rama. Zoti Rama, ju ka falenderuar publikisht për mesazhet tuaja, dhe me shumë të drejtë, për atë që ju keni bërë që kur kemi hyrë në këtë luftë. Ndërkohë që edhe ju nuk ja falët nga ana juaj, vlerësuat paketën ekonomike.

Si do ta lexoni ju menaxhimin që po i bën kryeministri situatës COVID-19? A shikoni ju zoti Meta, më ndje për pyetjen, një qëndrim ku ka disa tendeca të një hiper-protagonisti deri in-extremis që nganjëherë është, pse jo, është edhe i tepërt në këtë situatë?

Presidenti Meta: Kjo është një çështje dytësore për mendimin tim. E rëndësishme është efikasiteti i angazhimeve të qeverisë, të vendimeve të parlamentit, të pushtetit vendor në zbatimin e të gjitha këtyre masave dhe të këtyre kufizimeve.

Në këtë drejtim, ajo që unë vlerësoj si shumë të rëndësishme është që çdo vendimmarrje pavarësisht se koha kërkon vendime të shpejta, duhet të konsultohet me grupet e interesit, apo me specialistët më të mirë të fushave të caktuara, sa më shumë të jetë e munduar, aq sa lejon koha kuptohet, sepse nuk jemi në një situatë të zakonshme.

Së dyti, jo vetëm duhet të marrim vendime të mira, por duhet të kujdesemi për zbatimin e mirë të tyre, për të gjitha aktet administrative që dalin për zbatim të vendimeve, të ligjeve, të gjithçkaje, që ka të bëjë me menaxhimin e kësaj krize.

Duhet të jetë ndihmuese, dhe jo vështirësuese, apo penguese, për të pasur efikasitetin sa më të mirë dhe që të ndihet sa më shpejt nga qytetarët apo shtresat e ndryshme. Në këto aspekte, mendoj se mund të bëjmë edhe më shumë në ditët dhe javët që do të vijnë.

Gazetari: Pak ditë më parë Shkodra kthye për disa ditë në një terren të tensionuar në politikë. Ju shkuat atje, bëtë një vizitë me shumë të drejtë, mbajtët qëndrimin që ju takon. Unë ju ndoqa në prononcimet me gazetarët. Do doja t’iu pyesja, a ka një tendencë sot që të bëhet pak politikë me Covid-19, zoti Meta?

Presidenti Meta: Është e vështirë të unifikosh të gjithë politikën me qëndrime të mirëpërcaktuara për sa i takon edhe menaxhimit të pandemisë apo të ekonomisë për shkak të pandemisë, pasojave që ajo sjell në ekonomi. Por, është e rëndësishme që të gjithë e kanë në fokus këtë çështje dhe përpiqen përmes vendimeve apo propozimeve t’i shërbejnë menaxhimit më të mirë të kësaj situate.

Pozitive është që asnjë aktor apo asnjë forcë politike nuk ka kundërshtuar kufizimet apo nuk ka ndërrmarë iniciativa të cilat vërtetë mund të krijonin një krizë në menaxhimin e kësaj situate. Përkundrazi ka mirëkuptim, ka një debat sesi kjo mund të menaxhohet më mirë në format, në mënyrat, në taktikat apo dhe në disa elementë të strategjisë.

Gazetari: Zoti Meta, ju mblodhët dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare ku besoj se u morën dhe disa vendime. A po i zbaton rigorozisht qeveria këto vendime apo qeveria po ecën sipas planit të vet, duke injoruar të themi segmente të caktuara të këtyre vendimeve?

Presidenti Meta: Unë besoj se ky është një proces, që po ecën, po vazhdon, ndërkohë që duhet të punohet për t’u zbatuar deri në fund vendimet e para që ndërmori qeveria.

Është mjaft e rëndësishme që qeveria ka treguar angazhim dhe përkushtim për të marrë masa të tjera dhe për të realizuar ndryshime të tjera në interes të ekonomisë, sipërmarrjeve, të biznesit dhe të qytetarëve të cilët preken më shumë nga kjo ndërprerje e ekonomisë apo ngadalësimit të saj.

Gazetari: Kam një informacion, burimet e mia nga Shkodra bëjnë me dije se shkarkimi i ish-Prefektit u bë thjesht për arsye sepse ju priti në takim me shumë të drejtë juve si President dhe ju sajdisi. është e vërtetë, keni informacione?

Presidenti Meta: Kjo do dukej tërësisht e pakuptimtë, ndërkohë që nuk është shkarkuar ende Prefekti i Lezhës, me të cilin gjithashtu kam patur një takim. Nuk besoj se ky është një argument.

Ruaj përshtypjet më të mira nga takimi me ish-Prefektin, i cili është ose ka qenë edhe ushtarak i lartë si profesion, si background. Ajo që unë kam vënë re në Shkodër është që ka patur një dëshirë për mirëkuptim, për bashkëpunim.

Qeveria ka ndërmarrë masa shtesë, pra ka bërë komandimin e një Zv.ministri për këtë situate. Shpresoj që të forcohet më tej bashkëpunimi, pasi është tepër e rëndësishme të mos krijohen vatra të pamenaxhueshme asgjëkundi në vend dhe unë besoj që kjo situatë në Shkodër do të kalohet shpejt.

Gazetari: Jam shumë kurioz se ku po e ka kalon karantinimin e tij, Presidenti i vendit? Kur them karantinimin veçanërisht atë 48-orëshin e fundjavës, zoti Meta, që është një tmerr më vete, ku njeriu për pak sa nuk çmendet, duke ndenjur 48 orë në shtëpi mes dhomës, kuzhinës, aneksit, ballkonit, gruaja, kalamjt nëpër këmbë, si ia del që të mos çmendesh?

Presidenti Meta: E kam kaluar kryesisht duke bërë shëtitje dhe duke punuar dhe në zyrë.

Gazetari: Zoti Meta, juve jeni në një zonë moshore risku, sepse jeni në një moshë me Boris Johnson. A keni frikë personalisht nga Covid 19?

 

Presidenti Meta: Edhe në qoftëse më zë nuk duhet të kem frikë po t’i referohem babait të Boris Johnson, pasi edhe unë në fshat kam lindur.

Gazetari: Juve ja keni hedhur, sepse jeni marrë shumë me sport dhe plus që nuk abuzoni me asnjë nga veset tipike të shqiptarëve, që është duhani, alkooli…

Presidenti Meta: Kjo e sportit nuk është shumë e saktë se fakti që zuri dhe Paolo Maldinin dhe djalin e Maldinit, që është futbollist aktiv….

Gazetari: Po, por ata janë marrë me futboll, juve jeni marrë me shtangë. Zoti Meta të falënderoj shumë që ishe pjesë e bisdës sime!

Presidenti Meta: Një këshillë për të moshuarit në mënyrë të veçantë, pasi dihet se kjo është një stinë me viroza, dhe krijohen shumë komplikacione, të cilat mund të rrezikojnë shëndetin e tyre, por shëndeti i të gjithëve është i rrezikuar për aq kohë sa drita e kuqe ende të jetë e ndezur dhe shpresojmë të fiket sa më shpejt.