Presidenti Meta dekreton emërimin e gjyqtarit Artur Kalaja në Gjykatën e Lartë

198
Sigal

Artur Kalaja do të jetë gjyqtar në Gjykatën e Lartë.Presidenti Ilir Meta ka dekretuar propozimin e KLGJ, duke dekretuar emërimin e Artur Kalasë në Gjykatën e Lartë. Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 8 gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së.

“Presidenti i Republikës, përsërit edhe një herë thirrjen ndaj KLGJ-së se, duhet të vijojë angazhimin me ritme të shpejta për procedurat për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë, duke vepruar me pavarësi, integritet, dhe transparencë, për plotësimin sa më shpejt të Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore dhe për t’i ofruar njëkohësisht kësaj Gjykate mbështetjen e nevojshme.

Presidenti i Republikës, vlerëson të risjellë edhe njëherë në vëmendje të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë institucioneve të tjera shtetërore të përfshira në këtë proces,se bërja sa më shpejt dhe plotësisht funksionale e Gjykatës së Lartë, por njëkohësisht dhe funksionimi me trupat e nevojshme gjyqësore të Gjykatave të Apelit, është me rëndësi jetike për vendin, lidhet direkt me procesin e integrimin Europian, stabilitetin e Shqipërisë, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, thuhet në një njoftim të Presidencës.