Presidenti Meta: Dekreti është në fuqi dhe duhet zbatuar! Kush nuk e zbaton do përgjigjet para ligjit

475
Sigal

Sot Presidenti Meta ka folur për mediat pas një aktiviteti. Ai ka thënë se do të ndalojmë çdo të çmendur që do të fusë popullin në konflikt civil.

PyetjeZoti President, e keni lexuar këtë rezolutën e shumicës? 100 vota kundër jush zoti President, keni reflektuar?

Presidenti Meta: Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti. Natyrisht jo nga ky, por nga një Parlament krejtësisht legjitim. Presidenti i përket Republikës. Republika u përket qytetarëve.

PyetjeDatën e re të zgjedhjeve kur do e keni? Dhe kur do ta thërrisni zotin Rama dhe zotin Basha në takim?

Presidenti Meta: Sa më parë që të jetë e mundur. Po punoj me shumë qetësi dhe me shumë përgjegjësi. Dekreti është në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin.

PyetjeZoti President, ndërkohë që dekreti juaj pritet të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor, a do të pranojë Presidenti i Republikës çdo vendimmarrje, cilado qoftë ajo të Kolegjit Zgjedhor?

Presidenti Meta: Dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit, që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet.

Përkundrazi, i fton të gjithë që të izolojmë çdo të çmendur, i cili në këtë Ditë të Dhurimit të Gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme.

Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse vetëm ato sigurojnë çeljen e shpejtë të negociatave për në Bashkimin Europian, që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve.

Dekreti është në fuqi. Dekreti është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë, le të vazhdojë! Është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë që të bëjë thirrje çdo ditë për reflektim.

PyetjeZoti President, çfarë pasojash do të kenë ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë?

Presidenti Meta: Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurtë që do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend.