Presidenti Meta dekoron rapsodin e njohur me Titullin “Mjeshtër i Madh”: E ardhmja e kombit mbështetet në forcimin e familjes, Atdheut edhe mbrojtjes së trashëgiminë kulturore

198
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” rapsodin e njohur Viktor PalokaNë shenjë vlerësimi ndaj kontributeve të çmuara si njëri prej rapsodëve të njohur të këngës popullore, udhëheqës dhe organizator i veprimtarive të shumta dhe autor tekstesh këngësh. Me mirënjohje ndaj veprës së tij artistike, që e bëri të spikasë në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore jo materiale, si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare, duke lartësuar vlerat e rralla të artit popullor shqiptar”.

Duke iu drejtuar të familjarëve dhe artistëve të pranishëm në ceremoninë solemne të vlerësimit, Presidenti Meta vuri në dukje:

“Të nderuar pjesëmarrës, jemi sot së bashku, për të nderuar e vlerësuar një emër të njohur në fushën e trashëgimisë sonë kulturore kombëtare, rapsodin e shquar Viktor Paloka.

Trevat tona shqiptare dallohen për trashëgimi shumë të pasur kulturore, që dëshmojnë lashtësinë, madhështinë dhe vlerat e popullit tonë: trashëgiminë materiale, me objekte, monumente, vepra, objekte arti e artekrafte të shumta të trashëguara ndër shekuj, por dhe trashëgiminë jo materiale, me folklorin, traditat, gjuhën, shprehjet, njohuritë tradicionale e krijimtarinë popullore, të përcjella brez pas brezi.

Kjo trashëgimi kulturore është mbartëse e kujtesës sonë historike dhe e identitetit tonë kombëtar dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme shkencore e kulturore, për ne dhe për brezat që do të vijnë.

Elemente të tillë të identitetit si: gjuha, kultura, traditat, zakonet, veshjet,  mbajnë gjallë kombet ndër shekuj.

Prandaj, është thelbësore ruajtja e këtyre elementëve, që na bëjnë të themi me krenari që jemi shqiptarë dhe për të cilat, shumë patriotë shqiptarë kanë dhënë jetën. 

Sot, nderimi për rapsodin e shquar Viktor Paloka, është nderim dhe mirënjohje për të gjithë kontribuesit e shquar të folklorit tonë, qofshin krijues apo interpretues të tij.

Zoti Paloka ka një kontribut rreth 50-vjeçar në skenë, në krijimtari dhe në drejtim artistik. Jeta e tij ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht, që në lindje, me këngën dhe rapsoditë.

Familja Paloka ka një traditë të vjetër dhe njihet si familje e shquar, që ka nxjerrë nga gjiri i saj, për pesë breza, mjaft artistë popullorë.

Gjatë gjithë karrierës së tij zoti Paloka është kontribues i shquar i folklorit, jo vetëm si rapsod interpretues, por edhe si krijues i qindra teksteve.

Zoti Paloka ka qenë, gjithashtu, drejtues artistik i Ansamblit Folklorik të Vaut të Dejës dhe organizator i veprimtarive të shumta brenda dhe jashtë vendit, për të cilat është vlerësuar shpesh me çmime, trofe e diploma nderi.

Dashuria e tij për folklorin dhe përhapjen e tij është e jashtëzakonshme, duke e bërë pjesëmarrës në shumë simpoziume, konferenca e panele shkencore rreth trashëgimisë kulturore.

Ndërkohë, që në fushën e publikimeve, për vlerat e trashëgimisë kulturore, zoti Paloka ka dhënë kontributin e tij me botimin e tre librave me tematikë traditat kulturore të zonës, botimin e disa albumeve muzikore, disa dokumentarëve dhe emisioneve televizive.

Ajo që e bën zotin Viktor Paloka të veçantë, si rapsod interpretues dhe organizator artistik është njohja e thellë dhe puna me pasion e përkushtim në drejtim të ruajtjes dhe përhapjes së trashëgimisë kulturore të zonës dhe asaj shqiptare.

Ekspozimi dhe përhapja e kësaj trashëgimie është shprehur përmes këngëve, valleve, instrumentave dhe kostumeve origjinale, për të cilat zoti Paloka dhe grupi nga Vau i Dejës kanë gjetur vlerësimin maksimal nga publiku dhe nga specialistët.

Edhe pse sot është në pension, zoti Paloka vazhdon me dashuri e përkushtim punën e tij për përhapjen e trashëgimisë kulturore jo materiale, si shprehje e pasurisë sonë shpirtërore kombëtare.

Në nderim të kontributit të gjatë e të çmuar për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë sonë kombëtare jo materiale, si dhe të veprës së tij artistike, kam kënaqësinë të vlerësoj sot zotin Viktor Paloka me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit shtoi: Atdheu, familja, folklori janë të treja bashkë, dhe vlera më e madhe është pikërisht ajo që ju z.Paloka keni treguar, që jeni një familje e fortë, atdhetare dhe e përgjegjshme, që kujdeset për brezat që vijnë.

 Kjo është shumë e rëndësishme dhe një arritje e jashtëzakonshme. Pa këtë ju nuk do të ishit ky që jeni sot, pa punën e paraardhësve tuaj, gjyshit, stërgjyshit e kështu me radhë.

 Në kohët e sotme duhet të kuptojmë që familja, Atdheu, folklori dhe trashëgimia kulturore janë target i atyre, që duan të zhbëjnë vende dhe kombe për interesat e tyre. Kështu që e ardhmja jonë bazohet tek forcimi i familjes, tek forcimi i atdheut edhe tek ruajtja e traditave më të mira kombëtare dhe trashëgimisë kulturore.

 Urimet më të mira dhe për punën dhe kujdesin që ju keni për nipërat për mbesat dhe për pasardhësit tuaj.

Në fund të ceremonisë, para Presidentit të Republikës dhe të pranishmëve, “Mjeshtri i Madh” i rapsodisë shqiptare Viktor Paloka, së bashku me të vëllain, Toninin dhe mbesat e tij Elisën dhe Glorian, interpretuan tri këngë: për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për folklorin si dhe “Vallen mirditore”.