Presidenti Meta dekoron me Titullin “Mjeshtër i Madh” futbollistin e shquar të ekipit “17 Nëntori” dhe Ekipit Kombëtar, z.Shkëlqim Muça

240
Sigal

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” futbollistin e shquar të ekipit “17 Nëntori” dhe Ekipit Kombëtar, z.Shkëlqim Muça, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për talentin, cilësitë e shquara dhe kontributin e spikatur, në sukseset e ekipit ’17 Nëntori’ dhe Ekipit Kombëtar. I jashtëzakonshëm në fushën e blertë, dirigjent i shkëlqyer dhe gjithmonë fitues”.

Në përshëndetjen e Tij drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të shquara të futbollit dhe sportit, të pranishëm në ceremoni, Kreu i Shtetit vuri në dukje:

“Shkëlqim Muça është një nga talentet e jashtëzakonshme të futbollit shqiptar, i cili ka luajtur me shumë sukses dhe ka një kontribut të jashtëzakonshëm në rezultatet e ekipit “17 Nëntori” në atë kohë dhe “KF Tirana” sot dhe padyshim tek Ekipet Kombëtare, si një nga mesfushorët, organizatorët, dirigjentët, dhe sulmuesit më të spikatur të tyre.

Cilësitë e tij të shkëlqyera fizike dhe teknike e bënë atë të dallohet dhe të shkëlqejë menjëherë duke u bërë truri dhe protagonisti i shumë arritjeve të “17 Nëntorit”, por edhe Ekipeve Kombëtare, duke nisur me suksesin e veçantë si titullar në vitin 1981 me Ekipin Kombëtar “Shpresa” si kampion të Ballkanit, për të vazhduar me disa tituj kampion kombëtar me “17 Nëntori”-n dhe me disa Kupa të Republikës.

Muça ishte një lojtar me aftësi të jashtëzakonshme, ishte jo vetëm një organizator, jo vetëm një dirigjent, jo vetëm një frymëzues, por të gjithë e mbajnë mend se ishte edhe një sulmues i jashtëzakonshëm.

Kur ai bashkohej në sulm me Mingën dhe Kolën, ishte një treshe jashtëzakonisht e frikshme për kundërshtarët dhe mjaft rezultative, po të kemi parasysh se kjo treshe shënoi rreth 400 gola dhe Muça vet 87 të tillë, përveç edhe shumë asisteve.

Ai ka një kontribut të veçantë si titullar i ekipit Kombëtar, por edhe si golashënues me Kombëtaren tonë dhe njëkohësisht ka kontribute të jashtëzakonshme në shumë ndeshje të veçanta dhe të paharrueshme, ku një prej tyre, që asnjë prej nesh që e ka parë në atë kohë, nuk mund ta harrojë, si fitorja 2-0 me Belgjikën e madhe të asaj kohe, ku Shqipëria ishte jashtëzakonisht sulmuese dhe ku padyshim Muça mbante një peshë shumë të madhe në atë ndeshje.

Ai do të mbahet mend gjithmonë si një futbollistët më virtuozë dhe më të talentuar të viteve 1980, jashtëzakonisht i aftë me topin, si një asistues i jashtëzakonshëm, si një gjuajtës mjaft rezultativ dhe befasues.

Ai do të mbahet mend jo vetëm për fantazinë e tij të jashtëzakonshme dhe befasuese, por njëkohësisht edhe për faktin që studioi për inxhinieri dhe u përpoq të bënte një lojë sa më inxhinierike, rezultative dhe efikase.

Njëkohësisht Muça vazhdoi dhe vazhdon karrierën e tij edhe sot e kësaj dite, duke kontribuar më pas si trajner dhe duke fituar disa kampionate dhe kupa, por edhe sot si personalitet mjaft i njohur publik dhe i zëshëm, i cili jep vazhdimisht këshillat dhe idetë e tij për zhvillimin e këtij sporti, veçanërisht për të rritur frymëzimin e fëmijëve dhe të rinjve për t’u marrë me sport, drejt arritjeve të shkëlqyera.

 

Faleminderit!”