PRESIDENTI ILIR META TAKOHET ME PRESIDENTIN DONALD TRUMP

673

Presidenti Meta takohet me Presidentin Tramp: SHBA, partneritet i fortë strategjik

Sigal

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, u takua me Presidentin e SHBA Donald Trump në New York, në OKB, në kuadrin e pjesëmarrjes në sesionin e 73 të OKB-së. Në këtë takim, e pranishme ishte edhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Melani Trump. Takimi i Presidentit Meta me Presidentin e SHBA-ve Trump është një vlerësim i Presidentit të SHBA për Shqipërinë dhe shpreh marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë edhe në Samitin e thirrur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump. Presidenti Meta, shkruan në facebook, pas takimit me Presidentin Trump: I kënaqur që mora pjesë në pritjen e Presidentit të SHBA, Donald Trump. Partneritet i fortë strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA.
(Official White House Photo by Andrea Hanks)

Presidenti Meta me investitorin e njohur: Privilegj, takimi me Bloomberg

Kreu i shtetit Ilir Meta, në kuadër të vizitës që po zhvillon në SHBA, ka marrë pjesë sot në Forumin Global të Biznesit “Bloomberg 2018”. Në këtë aktivitet ndërkombëtar ku marrin pjesë drejtues shtetesh dhe investitorët më të fuqishëm në botë, presidenti Meta është takuar me Mike Bloomberg. “I privilegjuar të takohem me Mike Bloomberg dhe marr pjesë në Forumin Global të Biznesit Bloomberg 2018 “BloombergGBF”. Biseda shumë interesante për partneritetin midis biznesit dhe qeverive, në dobi të zhvillimit dhe begatisë së vendeve”,- shkruan presidenti Meta në mesazhin e tij në rrjetet sociale. Mike Bloomberg është investitor, politikan dhe filantrop i njohur në arenën ndërkombëtare. Ai renditet si sipërmarrësi i 8-të më i pasur në SHBA dhe i 11-ti në botë.

Presidenti Meta takon kryeministrin italian: Mirënjohës për mbështetjen dhe asistencën shumëdimensionale italiane

Në vijim të qëndrimit në SHBA, presidenti Ilir Meta zhvilloi një takim me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte. Presidenti Meta shkruan: “Kënaqësi të takoj dhe ta uroj Giuseppe Conte, për marrjen e detyrës së Kryeministrit të Italisë. Marrëdhënie të shkëlqyera tradicionale e miqësore mes dy kombeve e vendeve tona. Mirënjohës për mbështetjen dhe asistencën shumëdimensionale italiane.” Presidenti Meta ndodhet në SHBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Meta takohet me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II

Në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u takua me Mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, si dhe theksoi rëndësinë që këto marrëdhënie të marrin një hov të ri në të ardhmen. “Bashkëpunimi dypalësh, veçanërisht në fushën e sigurisë, por edhe interesi në rritje për të bashkëpunuar në aspektin ekonomik apo të shëndetësisë, janë fusha që duhet t’i nxisim e promovojmë më tej”, – nënvizoi Presidenti Meta. Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi angazhimin dhe rolin shumë të rëndësishëm që Mbretit Abdullah II dhe Jordania luajnë për paqen dhe sigurinë në rajonin e Lindjes së Mesme. Nga ana e tij, Mbreti Abdullah II e vlerësoi shumë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe me kënaqësi pranoi ftesën e Presidentit Meta për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Presidenti Meta takon Presidentin e Qipros, Nicos Anastasiades

Në vijim të ndjekjes së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua me Presidentin e Republikës së Qipros, z. Nicos Anastasiades. Presidenti Meta e falënderoi homologun qipriot për mbështetjen që ai personalisht dhe Qipro i japin çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Presidenti Meta nënvizoi interesin për t’i forcuar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe për t’u dhënë atyre më shumë rezultate substanciale.

Presidenti Meta takohet me Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda

Në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua me Presidentin e Polonisë, z.Andrzej Duda. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur me marrëdhëniet shumë miqësore e të bashkëpunimit prej dekadash mes dy vendeve dhe nevojën e forcimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të tyre në të ardhmen. Në mënyrë të veçantë të dy Presidentët vlerësuan rritjen e interesit dhe të bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe numrin gjithnjë në rritje të turistëve polakë që vizitojnë Shqipërinë.