Presidenti Ilir Meta: Populli ynë ka ‘Mandelat’ e tij, u burgosën padrejtësisht për të sjellë lirinë e të gjithëve

171
Sigal

Në kuadër të ditës ndërkombëtare të Nelson Mandelës, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shpërndarë një mesazh tepër speciale, duke krahasuar Nelson Mandelën me ‘Mandelat’ tanë At Zef Pllumin, Pjetër Arbnorin, Adem Demaçin, të cilët njejtë si Mandela u privuan për dekada me rradhë nga liria dhe vuajtën e u përndoqën nga regjime mizore për shkak të besimeve të tyre.

“Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës na risjell sot në vëmendje veprën dhe trashëgiminë e vlerave të një personaliteti të madh dhe të paharruar, simbol të vuajtjeve në emër dhe për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, i cili frymëzon në çdo kohë me angazhimin dhe përkushtimin e palodhur për paqen dhe pajtimin.”,- është shprehur Kreu i Shtetit në mesazhin e publikuar në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’.
Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës na risjell sot në vëmendje veprën dhe trashëgiminë e vlerave të një personaliteti të madh dhe të paharruar, simbol të vuajtjeve në emër dhe për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, i cili frymëzon në çdo kohë me angazhimin dhe përkushtimin e palodhur për paqen dhe pajtimin.

Në Shqipëri dhe në Kosovë ne kemi patur At Zef Pllumin, Pjetër Arbnorin, Adem Demaçin dhe mijëra ‘Mandelat’ tanë, të cilët për dekada me radhë u privuan nga liria, vuajtën dhe u përndoqën nga regjime mizore për shkak të ideve dhe besimeve të tyre, por mbijetuan për të na rrëfyer dhe inkurajuar për të qenë më tolerantë për idetë, besimet dhe kulturat e njëri-tjetrit, si dhe gjithmonë syçelët për mbrojtjen e demokracisë dhe pluralizmit.