Presidenti Ilir Meta nderon veprën dhe kontributet madhore të Ibrahim Rugovës dhe familjes Jashari

600
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta nderoi dhe vlerësoi jetën, veprën e paharruar dhe kontributet madhore të Ibrahim Rugovës si dhe përkujtoi sakrificat sublime të familjes Jashari për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Presidenti Meta fillimisht bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule mbi varrin e Presidentit Ibrahim Rugova në Velani, duke u përkulur me respekt ndaj veprës dhe kontributeve historike të tij.
Më pas Presidenti Meta vizitoi Kompleksion e Memorialit “Adem Jashari” në Prekaz ku pasi vendosi një kurorë me lule dhe bëri homazhet në shenjë respekti dhe nderimi për sakrificat e tyre sublime në vendprehjet e martirëve të familjes Jashari, u ndal edhe në Muzeun ku nënshkroi Librin e Përshtypjeve.
Me këtë rast Presidenti i Republikës vuri në dukje se sakrificat e Adem Jasharit dhe familjarëve të tij duhet jo vetëm të frymëzojnë shqiptarët kudo ku jetojnë, por përfaqësojnë një nga aktet më frymëzuese të mbështetjes që mbarë kombi shqiptar i dha lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Kur shikon gjithë ata burra, gra dhe fëmijë të rënë, e kupton se sa i shtrenjtë ka qenë çmimi i lirisë. Brezat e rinj sidomos duhet të shprehin nderimin, por njëkohësisht të mbajnë gjallë angazhimet për të forcuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në botë”, – u shpreh Presidenti Meta. 
Ndërkaq, duke folur për televizionin “RTV 21”, Presidenti i Republikës theksoi se sakrifica e gjithë familjes Jashari është një nga aktet më frymëzues të mbështetjes që kombi shqiptar i dha lirisë e pavarësisë së Kosovës. 
“Përshtypjet janë mjaft të mira, sepse shikoj që nga vizita e kaluar është ndërtuar muzeu, një pasurim i mëtejshëm i gjithë këtij kompleksi mjaft unik, domethënës dhe tepër frymëzues për të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë. Sakrifica e Adem Jasharit dhe e gjithë familjes Jashari është një nga aktet më frymëzues të të gjithë mbështetjes që kombi shqiptar i dha lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. 
Besoj se të gjithë ata që vijnë këtu dhe që duhet të vijnë vazhdimisht, duhet gjithmonë jo vetëm të shprehin nderimin për këtë sakrificë të jashtëzakonshme por njëkohësisht të mbajnë të gjalla angazhimet për të forcuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në botë”, – deklaroi Presidenti Meta..


Sigal