Presidenti Ilir Meta përkujton sot protestën e parë antikomuniste në Shqipëri, që sipas tij, ishte më e fuqishmja.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit thekson se, “Kryengritja antikomuniste e Kavajës është një mesazh i gjallë për rininë shqiptare, që sot përballet me të keqen, që ka marrë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
Reagimi i plotë i Kreut të Shtetit
Si në çdo 26 mars, përkujtojmë sot protestën e parë më të fuqishme antikomuniste në Shqipëri, pas dekadash terrori, shtypje dhe izolimi. E para protestë, kur të rinjtë e Kavajës, marshuan rrugëve të qytetit me thirrjet “Lironi shokët tanë”, “Poshtë Diktatura”, “Liri-Demokraci”. Kryengritja antikomuniste e Kavajës është një mesazh i gjallë për rininë shqiptare, që sot përballet me të keqen, që ka marrë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë. Protesta është zemra e demokracisë për ata që nesër nuk duan të zgjohen në diktaturë!

























